Zvarritja e krijimit të institucioneve të reja, të dala nga zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 11 qershorit, ka bërë që disa nga projektet kapitale, që vlerësohen me ndikim në përmirësimin e zhvillimit ekonomik, të ndërpriten dhe mos të realizohen.
Disa nga projektet që kanë qenë në proces, janë ndërtimi i termocentralit “Kosova e Re”, pastaj rivitalizimi i Kombinatit “Trepça”, si dhe projekti i zonës turistike “Brezovica”.
Probleme më të theksuara janë evidencuar në kombinatin “Trepça”, pasi ende nuk është përzgjedhur Bordi Mbikëqyrës i kësaj ndërmarrjeje, bord ky që duhet të nisë me procesin e bartjes se pronësisë së kompleksit nga Agjencia Kosovare e Privatizimit tek Qeveria e Kosovës.
Drejtori i Kombinatit "Trepça” Ahmet Tmava, thotë për Radion Evropa e Lirë, se mospërzgjedhja e Bordit Mbikëqyrës dhe atij Menaxhues, nga Qeveria e Kosovës, po pengon edhe zbatimin e Ligjit për Trepçën, i cili është miratuar në fund të vitit të kaluar.
“Prej momentit të aprovimit të Ligjit për Trepçën, ai ligj prodhon obligime për zbatim. Kështu që kemi të bëjmë me një periudhë të gjatë që nuk është zbatuar. Pra, po prolongohet perspektiva zhvillimore”, thotë Tmava.
Për shkak të moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës është pamundësuar edhe rishikimi i buxhetit, që ka sjell vështirësi edhe në kryerjen e obligimeve buxhetore.
Ish-ministri i Financave, tashmë deputet në Kuvendin e Kosovës, Avdullah Hoti, pat thënë se “janë 112 milionë euro mungesë në buxhetin e shtetit”.
Një nga projektet, për të cilin obligimet kanë mbetur të papërfunduara për shkak të mungesës së mjeteve buxhetore, thuhet se është projekti i autostradës Prishtinë-Shkup.
Ela Ruçi, zëdhënëse në Konsorciumin turko- amerikan “Bechtel Enka”, konsorcium ky që është duke zhvilluar punimet në autostradë, nuk ka specifikuar se sa ka borxh qeveria, por ka thënë se “punët në autostradë janë adoptuar me kushtet e buxhetit të Kosovës”.
“Në momentin që Qeveria nuk ishte në gjendje të paguante ato që ishin paracaktuar më përpara në kontratë, ne kemi ndryshuar planin e punëve dhe punët operative në terren. Dhe i kemi përshtatur ato më kapacitete buxhetore të Qeverisë”, ka thënë Ruçi.
Në anën tjetër, ekspertë për çështje ekonomike në Kosovë, thonë se pasojat do të jenë të mëdha nga mosrealizimi i projekteve që kanë qenë në proces.
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Ismail Kastrati për Radio Evropa e Lirë, thotë se çdo vonesë e krijimit të Qeverisë së re, krijon çrregullim në planin afat-shkurtër dhe afat-mesëm në zhvillimin ekonomik.
”Posaçërisht projektet që janë në fazën e realizimit apo fazës së nisjes, siç është Termocentrali, hekurudhat, problem i kombinatit Trepça. Këto krijojnë çrregullime në ekonomi, posaçërisht infrastruktura, e cila është drejtpërdrejtë e lidhur me mundësinë e zhvillimit të ekonomisë, me mundësinë e tërheqjes se investimeve nga jashtë”, shprehet Kastrati.
Përveç këtyre projekteve, për shkak të mungesës se mjeteve financiare të cilat është dashur të sigurohen nga Qeveria e Kosovës, është ndërprerë edhe qarkullimi i të gjithë trenave në linjën Prishtinë -Pejë dheHani i Elezit – Fushë Kosovë.
Nga moskrijimi i institucioneve, Kosova ka humbur edhe një kredi prej 16 milionë euro nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, e paraparë për projektet zhvillimore në sektorin ekonomik. Ndërkaq, nga Bashkimi Evropian, Kosova rrezikon të humbë 50 milionë euro.