Ekonomia e Maqedonisë së Veriut do të përballet me pasoja të rënda, nëse qeveria së shpejti nuk del me masa serioze për t’i ndihmuar bizneset, në veçanti pas paralajmërimeve se vendi mund të përballet me valë të re të koronavirusit. Kjo, sipas sindikatave të punëtorëve dhe organizatës së punëdhënësve, do të çojë në shtrëngim masash që do të godasin bizneset, të cilat në pamundësi që t’i shlyejnë obligimet ndaj punëtorëve, do të jenë ë detyruara të shkurtojnë vendet e punës.
Qeveria ende zyrtarisht nuk ka dalë me masat e reja, por siç bëhet e ditur, ajo do të vazhdojë me ndihmat për kompanitë për pagesën e rrogave, por me disa ndryshime, në mënyrë që të parandalohet keqpërdorimi nga drejtuesit e bizneseve. Do të përfitojnë edhe pensionistët me të ardhura më të ulëta se 15,000 denarë (rreth 250 euro), si dhe kategori tjera të qytetarëve në nevojë.
“Pakoja e re do të jetë dukshëm më e madhe sesa ato të mëparshmet dhe do të përfshijmë më shumë kategori të qytetarëve”, kanë bërë të ditur nga Ministria e Ekonomisë.
SHIKONI EDHE: Maqedoni e V.: Shtrenjtohen çmimet, varfërohet shporta e konsumatorëvePor, organizata e punëdhënësve kërkon që këto masa të miratohen sa më parë, si dhe të ketë lehtësira dhe kritere tjera në përfitimin e tyre.
“Masat e para, edhe pse ishin shumë voluminoze sa i përket sasisë së mjeteve, një pjesë e tyre nuk janë shfrytëzuar për shkak të kritereve të rigoroze dhe jo të njëjta për të gjitha kompanitë. Një nga kriteret ishte që kompanitë të kenë rënie prej 30 për qind të të ardhurave që të mund të përfitojnë ndihmën, kështu që shumë prej kompanive që kishin 29, 27 apo 25 për qind rënie nuk përfituan asgjë".
SHIKONI EDHE: Pakënaqësi me masat ekonomike për përballjen me koronavirusin"Ndërkohë, që kishte kompani që nuk kishin rënie të të ardhurave, por kishin rritje të shpenzimeve, që do të thotë se këto nuk arritën që t’i mbulojnë humbjet, pavarësisht se morën ndihmën shtetërore. Prandaj, konsiderojmë se duhet të ketë lehtësira në marrjen e ndihmës shtetërore pasi në të kundërtën pasojat do të jenë edhe më të mëdha”, thotë Angel Dimitrov nga organizata e punëdhënësve.
Ndërkohë, drejtuesit e sindikatës së tekstilit kanë drejtuar akuza ndaj kompanive për keqpërdorim të mjeteve, ndërsa qeverinë e akuzojnë për mungesë të kontrollit për mjetet e ndara. Kjo sipas sindikatës ka çuar në rritjen e numrit të të larguarve nga puna.
“25 mijë persona gjenden në regjistrin e Agjencisë së Punësimit. Pse këta janë larguar nga puna kur mbi 200 milionë euro janë dhënë në formë të ndihmës për përballje me pasojat e krizës apo për moslargime nga puna. Askush nuk kërkon llogari se pse ndodh kështu, as Drejtoria e të Ardhurave Publike e as Agjencia për Punësim".
"Kemi 300 kompani që nuk u kanë dhënë punëtorëve as edhe një denar, ndërkohë nga qeveria kanë marrë nga 14.500 denarë (rreth 250 euro) për çdo të punësuar, ndërsa kemi 7 mijë kompani tjera që nuk ua kanë paguar punëtorëve tërë pagën minimale që e kishin marrë si ndihmë për pagat e punëtorëve. Bëhet fjalë për kompani të mëdha që kanë marrë ndihmën më të madhe”, ka deklaruar Kristina Anteva, përfaqësuese e sindikatës së punonjësve të tekstilit.
SHIKONI EDHE: Maqedoni e Veriut: Dyshime për keqpërdorime me fondet për pandeminëAlaudin Zeqiri, profesor i Ekonomisë në Universitetin e Tetovës, thotë se ndihma e shtetit duhet t’i përfshijë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që përfshijnë një numër të madh të punonjësve.
“Këtu doemos që duhet t’i jepet një aksent inkubatorëve të biznesit, që përfshijnë ndërmarrjet e vogla dhe mesme që t’i jepet impuls financiar për të mbajtur sadopak një impuls financiar deri në fund të këtij viti kalendarik. Qeveria duhet të ketë një pasqyrë reale pasi nga kjo në mënyrë direkte varen edhe punonjësit, pagat, pagesat tjera e resurset”, thotë Zeqiri.
Qeveria deri tani ka miratuar tri pako të masave në vlerë prej 500 milionë eurosh, që kryesisht kishin të bënin me pagat e punëtorëve në vlerë prej 14.500 denarësh për çdo kompani që ka humbje në punë apo që nuk largon punëtor. Ndihma janë dhënë edhe për shtresat tjera sociale, me paga më të ulëta se ajo minimale, për nxënës, studentë, e madje edhe për turizëm vendor.