Ndërlidhjet

Pakënaqësi me masat ekonomike për përballjen me koronavirusin


Kryeministri i Qeverisë teknike të Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski. Foto nga arkivi.
Kryeministri i Qeverisë teknike të Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski. Foto nga arkivi.

Masat ekonomike që janë miratuar nga qeveria për disa nga odat ekomomike dhe një pjesë të ekspertëve nuk janë të mjaftueshme në përballje me krizën ekonomike, pas përhapjes së koronavirusit edhe në Maqedoninë e Veriut.

Qeveria, të martën miratoi 17 masa të ndryshme në vlerë prej 200 milionë eurosh për të ndihmuar ekonominë dhe bizneset, ndërsa ka vendosur edhe uljen e pagave në nivelin e pagës minimale për të gjithë zyrtarët e emëruar në të gjitha nivelet e pushtetit qendror dhe lokal, kredi për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, ndihmë për punonjësit e kulturës, sportit dhe mediave në nivelin e pagës minimale, e masa tjera.

Nga Lidhja e Odave Ekonomike thonë se masat nuk janë edhe aq të favorshme, pasi nuk ofrohet një stabilitet apo siguri për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të cilat janë edhe më të goditura nga kriza. Kryetarja e kësaj shoqate, Daniella Arsovska tha se këta sektorë duhet të ndihmohen me kredi më të larta, se ato të miratuara e që sillen prej tre mijë deri më 30 mijë euro.

“Konsideroj se gjendja te ne është kritike, e cila do mund të ndërlikohet edhe më shumë në kuptimin se mosreagimi i duhur mund të nxisë probleme në zbatimin edhe të këtyre masave. Duhet ta kemi të qartë se nëse kompanitë nuk ndihmohen urgjentisht, nuk do të ketë as edhe një kompani që do të gjenerojë fonde në buxhet dhe nuk do të ketë njeri që do të mund t'i shlyejë detyrimet. Ne besojmë se kompanitë e mëdha do ta gjejnë mënyra për të kapërcyer gjendjen, por ndërmarrjet e vogla, të mesme, sipërmarrësit dhe vetpunësuarit, do të thotë të gjithë ata që kanë pasur probleme deri më tani, tani janë në gjendje shumë të rëndë. Bëhet fjalë për ndërmarrja me shumë të punësuar”, thotë Arsovska.

Nga vendimi për uljen e pagave të zyrtarëve, qeveria synon të kursejë katër milionë euro që do të destinohen për sektorë të tjerë, por pa dhënë ndonjë shifër se sa shtetit do t’i kushtojnë të ardhurat e punonjësve të administratës, të cilët nuk janë përfshirë në masën e shkurtimit të rrogave. Bëhet fjalë për rreth 140 mijë të punësuar në administratë.

Një nga masat e qeverisë që është pranuar nga bankat ka të bëjë me shtyrjen e kësteve të kredive prej tre deri në gjashtë muaj. Por, gjatë kësaj periudhë klientëve do të obligohen të paguajnë normën e interesit dhe e cila do të shpërndahet në këstet mujore pas normalizimit të gjendjes. Kjo ka nxitur reagime nga klientët dhe njohësit e çështjeve ekonomike.

“Nëse shihen masat që janë propozuar e që janë miratuar, mendoj se në pjesën e bankave nuk kemi një zgjidhje të mirë sepse do t'i rëndojë qytetarët me kamata. Do të ishte më mirë të mos llogaritet norma e interesit, do të thotë zgjidhja duhet të jetë pezullimi i plotë i kredisë për një periudhë të caktuar kohore, pra qytetarët gjatë kësaj periudhe të mos paguajnë kredinë, por edhe kamatën, pasi nuk do kishte kuptim një zgjidhje e tillë”, thotë analisti ekonomik Branimir Jovanoviq.

Por, kryeministri i Qeverisë teknike të Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski thotë se masat janë më të mirat e mundshme për momentin dhe kanë të bëjnë me periudhën prej dy muajsh.

“Jam i bindur se do të kapërcejmë këtë situatë. Kjo është një sfidë nga e cila nuk mund të ikim. Besoj se të gjithë së bashku të arrijmë që së pari të ruajmë shëndetin e qytetarëve tanë, por edhe të mbajnë gjallë ekonominë”, ka deklaruar kryeministri Oliver Spasovski.

Opozita ka akuzuar se qeveria nuk ka ndërmarrë masa me kohë dhe se tërë kapacitetet i kishte përqendruar në fushatën elektorale për zgjedhjet, që tashmë janë anuluar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG