Bizneset në Kosovë e shfrytëzojnë fare pak mundësinë që kanë rreth zgjidhjes së kontesteve të ndryshme përmes arbitrazhit, pa pasur nevojë që t’u drejtohen gjykatave.
Që nga viti 2011, në Kosovë janë hapur disa qendra të arbitrazhit për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve biznesore, të cilat mund të shfrytëzohen për t’i shmangur proceset e gjata gjyqësore.
Qendrat e arbitrazhit funksionojnë në kuadër të Odës Ekonomike të Kosovës dhe Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.
Arian Zeka, kryeshef ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Prishtinë, thotë për Radion Evropa e Lirë se pavarësisht faktit që këto vitet e fundit rezultatet në këtë drejtim nuk janë të kënaqshme, arbitrazhi tregtar është duke u dëshmuar si metodë efikase e zgjidhjes së kontesteve.
“Numri i rasteve të vogla edhe në Qendrën e Arbitrazhit të Odës Ekonomike Amerikane, por edhe në Tribunalin e përhershëm të arbitrazhit të Odës Ekonomike të Kosovës ka qenë relativisht i vogël. Ky numër i vogël nuk sugjeron që nuk ka pasur konteste midis bizneseve. Besoj që ka pasur konteste, të cilat kanë vazhduar me formën tradicionale të zgjidhjes së tyre përmes gjykatave”.
“Kjo i bie që nuk jemi të kënaqur me arbitrazhin si një metodë më efikase se sa që është gjykata për zgjidhjen e kontesteve”, thotë Zeka.
Edhe Vegim Kraja, sekretar i Tribunalit të Përhershëm të Arbitrazhit në Odën Ekonomike të Kosovës, thotë se ka një rritje të interesimit që mosmarrëveshjet biznesore t’i zgjidhin përmes rrugëve alternative, por jo në nivelin e kënaqshëm.
Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se aktualisht në këtë Tribunal janë duke u zgjidhur dy raste.
“Në institucionin tonë administrohen dy raste, të cilat kanë nisur që nga fillimi i vitit të kaluar dhe tashmë janë në zgjidhje e sipër. Palët në këto konteste janë të huaja dhe vendore”, thotë Kraja.
Ndërkaq, Arian Zeka thotë se është koha që ky mekanizëm të vlerësohet dhe të praktikohet më shumë në shoqëri, si një mundësi e zgjidhjes së konflikteve.
Megjithatë, ai tregon disa nga arsyet pse bizneset hezitojnë t’i drejtohen arbitrazhit:
“Duke u munduar që të gjejmë arsyen pse nuk ka shfrytëzim më të madh të arbitrazhit, kemi ardhur te një konkluzion se gjithmonë njërës palë afariste, njërit biznes, i konvenon që mos të ketë një efikasitet të tillë të bizneseve. Bëhet fjalë për bizneset të cilat, ose nuk i paguajnë me kohë detyrimet e tyre, ose janë të prira që të shkelin dispozitat e marrëveshjeve që kanë më biznese tjera. Dhe, në këtë rast ato me çdo kusht mundohen t’i shmangen arbitrazhit”.
Kurse Vegim Kraja tregon për përparësitë që ka zgjidhja e kontesteve nëpërmjet arbitrazhit.
“Arbitrazhi është zgjidhje alternative karshi gjykatave. Është gjykatë private e organizuar prej Odës Ekonomike. Avantazhi i parë llogaritet shpejtësia në krahasim me gjykatat. Gjykatat tona janë të ngarkuara me lëndë, kanë pjesëmarrje më të madhe dhe krahasuar me gjykatat kanë liri më të madhe. Pastaj është me procedurë konfidenciale, jo domosdo bëhet publike, ndërsa puna e gjykatave zhvillohet me dyer të hapura”, shpjegon Kraja.
Ndryshe, në vitin 2007 Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për Arbitrazhin, në bazë të të cilit “një mosmarrëveshje mund të zgjidhet përmes arbitrazhit vetëm nëse ekziston një marrëveshje e palëve, me anë të së cilës ato pranojnë që mosmarrëveshja të zgjidhet përmes arbitrazhit”.
Asnjë gjykatë në Kosovë nuk ka të drejtë të ndërhyjë në procedurën e arbitrazhit, përveç nëse është përcaktuar ndryshe me këtë ligj.