Ndërlidhjet

Lëndët në gjykata, pengesë për biznesin


Lëndë të pazgjidhura (Foto nga arkivi)
Lëndë të pazgjidhura (Foto nga arkivi)
Zvarritja e lëndëve në Gjykatat e Kosovës po pengon zhvillimin e biznesit, vlerësojnë përfaqësues të bizneseve dhe kompanive kosovare. Moszbatimi i kontratave si dhe mospagesa me kohë nga palët kontraktuese, janë vetëm disa nga lëndët, të cilat dërgohen në gjykata dhe nuk zgjidhen për vite të tëra.


Oda Ekonomike Amerikane dhe Oda Ekonomike e Kosovës së shpejti do të themelojnë qendrat e arbitrazhit, që do të mundësojnë zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me karakter ekonomik që eventualisht mund t’i kenë bizneset.

Arian Zeka nga Oda Ekonomike Amerikane thotë për Radion Evropa e Lirë se duke pasur parasysh joefikasitetin e sistemit gjyqësor në Kosovë, është i domosdoshëm themelimi i këtyre qendrave.

“Qëllimi i këtyre qendrave për zgjidhjen alternative të konflikteve ndërmjet bizneseve, do të jetë shumë i madh, për shkak se momentalisht bizneset në përqindje të madhe nuk iu drejtohen gjykatave për zgjidhjen e konflikteve që kanë me bizneset e tjera. Arsyeja është zhargitja e këtyre lëndëve, moszgjidhja e tyre me vjet të tëra për shkak se, momentalisht, si lëndet civile penale, edhe ato komerciale, të gjitha përfshihen në një vend dhe ato duhet të presin në radhë sikurse lëndët e tjera”, thotë Zeka.


Ndryshe, që nga viti 2008 e deri më sot, numri i lëndëve të inventarizuara në gjykata ka qenë mbi 133 mijë, ndërsa janë zgjidhur rreth 14mijë sosh. Një nga mënyrat më të mira që mund të çojë kah zgjidhja e problemit të numrit të madh të lëndëve gjyqësore, shumë herë nga ekspertë të drejtësisë është theksuar miratimi i infrastrukturës ligjore.

Ndërsa, në disa hulumtime të fundit të organizatave ndërkombëtare, thuhet se vonesat në zgjidhjen e çështjeve gjyqësore dhe juridike zbehin besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë.

Edhe përfaqësues të kompanive theksojnë se është më se i nevojshëm themelimi i një qendre për zgjidhjen e konflikteve ndërmjet bizneseve.

Bedri Kosumi nga kompania “Pestova”, në Vushtrri, thotë se bizneset kosovare shumë herë ballafaqohen me probleme që kanë me palët kontraktuese.

“Mendoj se është shumë i nevojshëm themelimi i një qendre për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me karakter ekonomik, për arsye se problemet dhe borxhet e këqija janë vetëm duke u rritur dhe për të qenë sigurt duhet të krijohet një qendër e arbitrazhit që do t’i ndihmonte bizneset në zgjidhjen e konflikteve ndërmjet bizneseve”, shprehet Kosumi

Në bazë të të dhënave që posedon Oda Ekonomike Amerikane deri më tani bizneset kosovare janë përballur me probleme jashtëzakonisht të mëdha siç është moszbatimi i kontratave nga ana e palës kontraktuese, moskryerja e pagesave me kohë, etj.


Këto probleme, sipas Arian Zekës, kanë vazhduar me vjet. Sipas tij, shumë herë bizneset duke pasur parasysh joefikasitetin e gjykatave, nuk iu janë drejtuar fare atyre dhe kjo, siç thekson ai, në masë të madhe ka penguar zhvillimin e një biznesi.

“Besojmë që me themelimin e këtyre qendrave, kjo praktikë e tillë e shkeljes së kontratës, vonesës së pagesave etj., do të eliminohet. Ajo çka ka ndodhur në të dyja qendrat është bërë trajnimi i arbitrave, të cilët do të shërbejnë në këto dy qendra dhe shumë shpejt pritet funksionalizimi. Ndoshta fundi i qershorit apo fillimi i korrikut do t’i gjejë të dyja Odat me qendra për zgjidhjen e konflikteve”, thekson Zeka.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG