Biden shpalos plane masive për të ardhmen e Amerikës

Presidenti amerikan, Joe Biden, gjatë fjalimit në Kongres, 28 prill, 2021.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, paraqiti propozime gjithëpërfshirëse për punë, arsim dhe kujdes social, teksa mbajti fjalimin e parë të madh përpara Kongresit amerikan.

Biden foli në prag të 100-ditëshit në detyrë dhe shfaqi shpresën se ekonomia amerikane, e goditur rëndë nga pandemia e koronavirusit, do të ringjallet.

Ai u ndal tek administrimi i vaksinave kundër koronavirusit në SHBA, duke e përshkruar atë si “një nga arritjet më të mëdha logjistike në historinë e SHBA-së”.

Biden, megjithatë, tha se Qeveria e tij duhet të bëjë më shumë për ta kthyer vendin në këmbët e veta dhe për të siguruar se ai do të udhëheqë botën në dekadat e ardhshme.

Për këtë qëllim, ai tha se planifikon shpenzime masive prej 4 trilionë dollarësh.

“Amerika po lëviz. Po lëviz përpara. Dhe ne nuk mund të ndalojmë tani. Ne jemi në garë me Kinën dhe vendet e tjera për të fituar shekullin 21”, tha Biden.

SHIKONI EDHE: Biden premton vaksina për të gjithë deri në fund të majit

Biden tha se Plani i tij për Vende Pune parasheh 2.3 trilionë dollarë, ndërsa Plani për Familjet 1.8 trilion të tjerë.

Ai tha se rritja e shpenzimeve do të paguhet nga taksat më të larta për korporatat dhe të pasurit, por ky propozim është refuzuar më herët nga republikanët, e madje edhe nga disa demokratë të tij.

Presidenti u bëri thirrje republikanëve që të mbështesin vizionin e tij, duke thënë se plani i tij për infrastrukturë do të krijonte miliona vende pune, ndërsa plani për familjet do t’i përgatiste të rinjtë për punë të teknologjisë në të ardhmen.

“Pjesa tjetër e botës nuk po na pret. Të mos bësh asgjë nuk është opsion”, tha Biden.

SHIKONI EDHE: Kina po krijon shteg në Ballkan përmes “diplomacisë me vaksina”

Sipas disa analistëve, presidenti bëri përpjekje të lidhë politikat e tij të shpenzimeve dhe konkurrencën me Kinën, për të fituar mbështetjen e republikanëve. Si republikanët, ashtu edhe demokratët, janë të shqetësuar për rritjen e fuqisë ekonomike dhe ushtarake të Kinës.

Plani i Bidenit për familjet ka në shënjestër familjet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Ai do të siguronte arsim universal parashkollor, dy vjet kolegj falas, qasje në kujdes të përballueshëm për fëmijët, pushime më të gjata familjare dhe ulje taksash.

Sondazhet tregojnë se më shumë se gjysma e amerikanëve e miratojnë punën që Biden ka bërë deri më tani, por administrata e tij pritet të përballet me një luftë të gjatë në Kongres për të kaluar planet e shpenzimeve dhe taksave.

Lufta më e ashpër do të jetë në Senat, i cili është i ndarë 50-50 midis republikanëve dhe demokratëve.

SHIKONI EDHE: Senati amerikan miraton paketën e ndihmës

Senatori republikan, Tim Scott, e kritikoi agjendën ekonomike të Bidenit, duke thënë se rritja e taksave “do të vriste” vende të punës.

Ai tha se republikanët do të mbështesnin shpenzime klasike infrastrukturore në rrugë dhe ura, por tha se planet e shtrenjta të Bidenit janë “një listë e dëshirave liberale”.

Scott gjithashtu i dha merita administratës së ish-presidentit amerikan, Donald Trump, për vendosjen e bazës për shpërndarjen e vaksinave.

“Kjo administratë [e Bidenit] ka trashëguar një rrjedhë që tashmë kishte marrë kah”, tha Scott.

Biden foli edhe për nevojën e reformimit të policisë, pas vrasjes së George Floydit. Floyd, afrikano-amerikan, është vrarë nga një polic i bardhë në qytetin e Minesotës, vitin e kaluar. Rasti i tij ka shkaktuar disa muaj protesta kundër racizmit në SHBA.

Presidenti përmendi disa herë Kinën si konkurrenten kryesore të Shteteve të Bashkuara për dominimin global në dekadat e ardhshme.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara do “t’u bëjnë ballë” praktikave të padrejta tregtare të Pekinit që dëmtojnë punëtorët amerikanë.

SHIKONI EDHE: Me xhepa të thellë, Kina synon të rrisë ndikimin në Lindjen e Mesme

Biden po ashtu tha se SHBA-ja do të mbajë një prani “të fortë” ushtarake në Indo-Paqësor, për qëllime të mbrojtjes.

Biden tha se ia ka bërë të qartë presidentit rus, Vladimir Putin, se veprimet e Kremlinit, të tilla si ndërhyrja në zgjedhje dhe sulmet kibernetike, do të kenë pasoja, por shtoi se SHBA-ja dhe Rusia mund të bashkëpunojnë në çështje me interes të përbashkët.

Përgatiti: Valona Tela