Tashmë është e qartë se ekziston një betejë për faktorizim, ndërmjet krerëve të institucioneve të larta të Kosovës, përkatësisht ndërmjet presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit, Ramush Haradinaj, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë.
Kjo betejë, sipas tyre, ishte nxituar për shkak të paqartësive lidhur me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Më herët, partitë në koalicionin qeverisës dhe vetë kryeministri Haradinaj, kishin zgjedhur që të mos i ushtrojnë kompetencat e veta në politikën e jashtme sa i takon dialogut, duke ia lënë këtë çështje në mirëbesim presidentit Thaçi. Por, ideja e tij për “korrigjimin” e kufirit me Serbinë, si zgjidhje për arritjen e një marrëveshjeje paqeje ndërmjet dy shteteve, më pas ishte kundërshtuar dhe vazhdon të kundërshtohet nga partitë në pushtet dhe kryeministri Haradinaj. Kjo ka sjellë në mjaft raste deri te përplasjet përmes deklaratave, ndërmjet presidentit dhe kryeministrit.
Artan Muhaxheri, njohës i zhvillimeve politike, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson që është krijuar përshtypja e përgjithshme që presidenti Thaçi e ka pasur interes kryesor betejën politike ndërkombëtare, ndërkaq kryeministri Haradinaj politikën vendore.
“Në javët e fundit është përmbysur kjo logjikë dhe duket që edhe kryeministri Haradinaj dëshiron të pozicionohet si një faktor vendimmarrës në skenën ndërkombëtare, pasi që e ndërmori hapin e rritjes së taksës prej 100 për qind në raport me mallrat serbe. Kjo krijoi problem të madh edhe në dialogun në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, theksoi Muhaxheri.
Ai shtoi se presidenti Thaçi deri më tash është identifikuar me një përkrahje të madhe ndërkombëtare, por i ka munguar përkrahja nga spektri politik vendor. Ketë mungesë, sipas tij, kryeministri Haradinaj është duke tentuar që ta shfrytëzojë dhe të etablohet si përfaqësues i rëndësishëm politik i shtetit të Kosovës në politikën e jashtme.
Jeta Krasniqi, analiste e Institutit Demokratik të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se raportet e ftohta ndërmjet presidentit Thaçi dhe kryeministrit Haradinaj, janë të dukshme. Ky i fundit, siç thotë ajo, tashmë ka kërkuar formimin e një ekipi negociues që do të udhëheqë dialogun.
“Ne e shohim që për momentin ekziston një raport i ngurtë apo një raport i ftohtë ndërmjet presidentit dhe kryeministrit. Por, për ne është e rëndësishme që krerët e këtyre institucioneve të respektojnë përgjegjësitë dhe obligimet kushtetuese që ata i kanë, si dhe mbetet e rëndësishme që në bazë të obligimeve që kanë edhe të veprojnë, por, të mos shkojnë përtej tyre dhe t’i respektojnë ato”, tha Krasniqi.
Analisti Muhaxhiri vlerëson që beteja për faktorizim ndërmjet krerëve të institucioneve e dëmton Kosovën në procesin e dialogut me Serbinë.
“Në fakt, parimisht, një betejë e tillë ndërmjet krerëve institucionalë nuk është e dobishme për Kosovën, sepse i vendosë interesat individuale dhe karrieriste para një interesi më të gjerë qytetar, popullor dhe shtetëror. Mirëpo, kjo betejë do të varet edhe prej presionit ndërkombëtar. Kjo betejë mund të fuqizohet nëse nuk ka presion ndërkombëtar dhe mund të zbutet nëse ky presion rritet”, u shpreh Muhaxhiri.
SHIKONI EDHE: Taksa doganore nuk është ikje nga dialoguNdërkaq, Krasniqi vlerëson se përplasjet e krerëve të institucioneve, mund t’i sjellin Kosovës pasoja afatgjate.
“Çfarëdo lloj nisme që shpërfaqin luftërat politike ndërmjet institucioneve, vetëm sa e dëmton pozitën e shtetit të Kosovës dhe më pas, na sjellë neve pasoja afatgjate, të cilat shkojnë përtej një mandati të caktuar të një qeverie, të një parlamenti apo qoftë edhe një presidenti”, theksoi Krasniqi.
Sidoqoftë, njohësit e zhvillimeve politike thonë se në betejën për faktorizim janë përfshirë edhe zyrtarë të tjerë të lartë institucionalë të partive të ndryshme. Përveç tjerash, sipas tyre, kjo shpërfaq edhe përpjekjet e tyre për t’u fuqizuar para elektoratit.
Mungesa e koordinimit të krerëve institucionalë, kanë vlerësuar ata, do t’i hapë mjaft probleme Kosovës në pozicionimin saj në dialogun e Brukselit, si dhe në qasjen ndaj këtij dialogu.