Rritja e numrit të njohjeve dhe anëtarësimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare, mbetet një prej synimeve kryesore të Qeverisë aktuale, ngjashëm me ato parapraket.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Behgjet Pacolli tha për Radion Evropa e Lirë se njohjet e reja për Kosovën janë një proces i pandalshëm. Ai tha se ka një angazhim të vazhdueshëm për të arritur rezultate konkrete.
"Praktikisht ne jemi duke punuar, të shtrirë në të gjitha anët e botë, në të gjitha kontinentet. Jemi duke punuar pandërprerë me gjithë potencialin që posedojmë. Besoj se rezultatet nuk do të mungojnë. Ne tani kemi pasur dy njohje këtë vit dhe besojmë se deri në fund të muajit do të kemi edhe një njohje tjetër. Njohjet nga shtetet e mëdha ku jemi duke punuar, nuk mund të them se mund të vijnë brenda një apo dy muajve, por janë shënjestrime të cilat duhet të ndodhin këtë vit", tha Pacolli.
Ai tha po ashtu se si rezultat i punës dhe përpjekjeve intensive, shteti i Madagaskarit e ka njohur Kosovën në nëntor të vitit 2017, Guinea-Bissau e ka rikonfirmuar njohjen e saj dhe së fundmi, Kosovën shtet e ka njohur edhe Barbadosi.
"Ministria e Punëve të Jashtme ka dy detyra kryesore sa i takon lotimit: një është që të hapë dyer të reja dhe veprimi tjetër është që t'i mbajë dyert e hapura. Pra, ato dyer që janë hapur një herë, t'i mbajë hapur. Do të thotë të bëjë përpjekje që ato shtete qe nuk e kanë njohur Kosovën ta bëjnë një gjë të tillë, kurse me ato që e kanë njohur të kultivohen marrëdhëniet ", tha Pacolli.
Nga ana tjetër, njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare konsiderojnë se politika e jashtme e Kosovës, vazhdon të jetë e çakorduar dhe pa një strategji të qartë.
Your browser doesn’t support HTML5
Labinot Greiçevci, studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare tha për Radion Evropa e Lirë se institucionet e Kosovës që nga kohë kur është dhënë mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e deklaratës së pavarësisë, kanë humbur shumë mundësi për lobim e njohje të reja.
"Në marrëdhëniet ndërkombëtare kur humbet momenti, atëherë normalisht që duhet një kohë që ai të kthehet. Me sa kam parë, deri me tani nuk po vihet re që kemi ndonjë lëvizje strategjike e përmbajtjesore nga Ministria e Punëve të Jashtme, qoftë në këtë Qeveria apo në Qeverinë e kaluar, që të shtohet numri i njohjeve të reja dhe gjithashtu të rritet anëtarësimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare", tha Greiçevci.
Po ashtu, për ndaljen apo ngadalësimin e procesit të njohjeve, sipas Greiçevcit, ka ndikuar në masë të madhe edhe lobimi agresiv i Serbisë. Së fundmi, ky shtet po angazhohet edhe në planin diplomatik, duke u kërkuar shteteve të caktuara ta tërheqin njohjen e Kosovës.
"Kosova ka dështuar edhe në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, siç është rasti UNESCO-s, dhe vihet re edhe një lloj, mbase plogështie, edhe nga ana e aleatëve tanë ndërkombëtarë për ta shtyrë përpara procesin e njohjeve të mëtejme ndërkombëtare. Me gjasë, gjithë ky proces po ndërlidhet me atë që mund të quhet si marrëveshja finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë", tha ai.
Edhe ministri i Jashtëm Pacolli thotë se është plotësisht i vetëdijshëm që Serbia po angazhohet në pengimin e njohjeve, e madje edhe në tërheqjen e këtyre njohjeve. Por, ai beson në kapacitetet e shtetit të Kosovës për t’i përballuar këto ofensiva diplomatike të shtetit serb.
"Serbia është zgjuar disi prej gjumit këtë vit dhe është duke punuar shumë të ato shtet të cilat e kanë njohur Kosovën, sidomos ata kanë në shënjestër shtete që janë ekonomikisht të dobëta dhe aty janë çdo ditë me diplomacinë e tyre, me potencialin që kanë krijuar enkas për këtë qëllim. I dimë lëvizjet e tyre ditore, ata janë në lëvizje dhe siç e shihni ata kanë pasur deri diku suksese, mirëpo, në thonjëza”, tha Pacolli.
Më 17 shkurt, Kosova ka shënuar jubileun e parë të pavarësisë. Për 10 vjet të shtetësisë, Kosovën e kanë njohur 116 shtete.
Your browser doesn’t support HTML5
Por, shteti më i ri evropian ende nuk e ka siguruar ulësen që i takon në Organizatën e Kombeve të Bashkuara si dhe nuk e ka fituar mbështetjen unike të Bashkimit Evropian, ngase pesë shtete anëtare të BE-së, nuk e njohin atë si shtet.