Bashkimi Evropian po lejon diplomatët e saj në Moskë të vaksinohen me vaksinën ruse, Sputnik V nëse ata preferojnë të bëjnë një gjë të tillë, thuhet në një e-mail të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë.
Vaksina Sputnik V nuk është miratuar për përdorim nga Agjencia Evropiane për Barna (EMA).
Në një e-mail që është dërguar nga një zyrtar i lartë i delegacionit të BE-së në Moskë, më 3 shkurt, është emëruar “Vaksinat për COVID-19 – kërkesë urgjente për përgjigje sot”, stafi është informuar se autoritetet ruse kanë vendosur “që të zgjerojnë fushatën e vaksinimit edhe për korin diplomatik, fushatë e organizuar nga autoritetet e qytetit të Moskës”. Aty po ashtu thuhet se “për këtë qëllim, ata po mbledhin të dhëna e stafit të misionit diplomatik apo të anëtarëve të familjeve të tyre dhe mbi 18 persona janë të gatshëm të vaksinohen”. Në këtë e-mail është shkruar identiteti i këtyre personave dhe numri identifikues i akreditimit në Rusi.
Megjithatë, në këtë tekst, vaksina Sputnik V nuk është përmendur në mënyrë eksplicite, por në e-mail thuhet se autoritetet ruse “nuk po specifikojnë se cila vaksinë do të përdoret” dhe se “më shumë informacione se kur dhe ku do të bëhet vaksinimi, do të dërgohet më vonë, kur (autoritetet ruse) të shohin se a ka interesim nga komuniteti diplomatik” që të vaksinohen.
Në e-mail shtohet megjithatë se “nga selia, ne nuk kemi pranuar asnjë qëndrim vendimtar lidhur me atë nëse ne mund të vaksinohemi me vaksinat që s’janë të aprovuara nga EMA, aty ku ato janë në dispozicion”. Deri më tani, EMA ka miratuar vetëm tri vaksina: Pfizer/BioNTech, Moderna dhe AstraZeneca.
“Ne jemi udhëzuar se ky është vendim personal, i cilido individ, por nuk është e duhur që të rekomandohet ndonjë vaksinë që nuk është miratuar nga EMA. Prandaj, delegacioni nuk mund të japë një rekomandim, por ua lë në dorë ju që jeni të regjistruar në Moskë, apo anëtari i familjes suaj, nëse do ta bëjë një gjë të tillë”, thuhet në letër.
SHIKONI EDHE: Hungaria, shteti i parë i BE-së që blen vaksinën ruse Sputnik-VNë një përgjigje me shkrim ndaj pyetjeve të parashtruara nga REL-i nëse Shërbimi Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), ka propozuar udhëzues për delegacionet e ndryshme në mbarë botën, se si t’i qasen kësaj çështjeje, pra vaksinave lokale kundër COVID-19, që nuk janë miratuar nga EMA, zëdhënësja e këtij shërbimi, Nabila Massrali tha se “EEAS po diskuton me shtetet anëtare mbi disa opsione të ndryshme për vaksinimin e diplomatëve dhe stafit të BE-së që janë të vendosur në misione jashtë, duke respektuar politikën e BE-së për kohën dhe ritmin e shpërndarjes së vaksinave (për grupet prioritare), sfidat logjistike dhe ligjore dhe që janë në përputhje me mbështetjen e BE-së për vendet e treta”.
Një burim në Moskë i tha REL-it se zyrtarët rusë u kanë ofruar diplomatëve evropianë vaksina “si të çmendur, në çdo kohë, në çdo takim”.
Ndërkaq, në llogarinë zyrtare në Twitter të Sputnik V theksohet se ambasadori i Italisë në Rusi, Pasquale Terracciano është vaksinuar me këtë vaksinë më 19 janar dhe e kanë cituar ambasadorin të ketë thënë se “unë jam vaksinuar me vaksinën ruse Sputnik V. deri më tani nuk kam përjetuar ndonjë efekt anësor”.
Kjo ofertë e Qeverisë ruse vjen në kohën kur BE-ja po vazhdon fushatën e saj të vaksinimit kundër koronavirusit.
Your browser doesn’t support HTML5
Fushata e vaksinimit në BE nisi disa javë pasi Britania dhe Shtetet e Bashkuara kishin bërë një gjë të tillë. Mesatarisht, blloku administron vetëm 2.6 doza të vaksinës për 100 persona dhe kjo është shifër më e ulët krahasuar me atë në Britani ku administrohen 12.5 doza dhe në SHBA, 8.8 doza.
BE-ja po ashtu po përballet me probleme të furnizimit me doza të vaksinës së prodhuar nga Pfizer/BioNTech, por probleme më të mëdha të furnizimit aktualisht ka me vaksinat e AstraZenecas, kompani e cila, në fund të janarit njoftoi se do të dërgojë më pak doza në BE, rreth 60 për qind më pak, apo 31 milionë doza, për shkak se ka probleme me prodhim në fabrikën që ka në Belgjikë.
Lidhur me këto vonesa të arritjes së dozave është diskutuar edhe në e-mailin që ka parë REL-i, ku thuhet se “ne në delegacionin e BE-së, fatkeqësisht nuk mund të përgjigjemi në ndonjë pyetje të mundshme që mund të keni lidhur me prerogativat rreth vaksinës, sigurisë dhe efikasitetin e saj, përtej asaj që tashmë është publikuar në media”.
Lidhur me vaksinën Sputnik V kanë filluar diskutimet në Evropë, pasi revista e njohur shkencore, Lancet, këtë javë tha se vaksina ruse ishte 91.6 për qind efektive kundër zhvillimit të sëmundjes COVID-19. Kjo revistë tha se këto të dhëna dalin pas kryerjes së provave klinike të fazës së fundit.
SHIKONI EDHE: Studimet ruse tregojnë se Sputnik V është vaksinë e sigurt dhe efektiveDhjetëra politikanë evropianë së fundmi po i bëjnë presion BE-së që të miratojë për përdorim Sputnik V, dhe kryetarja e EMA, Emer Cooke, javën e kaluar, deklaroi për mediat se agjencia “ende nuk ka pranuar ndonjë aplikacion, as për shqyrtim dhe as për autorizimin” e vaksinës, por shtoi se “ne jemi në diskutime me kompaninë që është përgjegjëse për këtë vaksinë. Ata kanë ngritur një sërë pyetjesh me ne, në kontekstin e këshillës shkencore. Dhe kjo natyrisht se do të përcaktojë edhe vlerësimin që mund të ndodhë në të ardhmen”.
Hungaria ka miratuar për përdorim këtë vaksinë, duke u bërë shteti i parë i BE-së që bën një gjë të tillë. Ky shtet ka blerë dy milionë doza të Sputnik-V, por deri më tani nuk ka nisur vaksinimin me vaksinën ruse.