Liderët e Bashkimit Evropian (BE) vendosën të enjten t’i hapin bisedimet për anëtarësim në BE me Ukrainën dhe Moldavinë, ndërsa Gjeorgjisë ia dhanë statusin e vendit kandidat.
Lajmi u bë i ditur të enjten në mbrëmje nga presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, i cili shtoi se bisedimet me Bosnjë e Hercegovinën do të hapen sapo të jetë përmbushur "shkalla e nevojshme e përputhshmërisë me kriteret e anëtarësimit".
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e cilësoi këtë vendim, i cili u mor në një samit në Bruksel, si “triumf” për vendin e tij dhe për vetë Evropën.
“Historia u shkrua nga ata të cilët nuk lodhen duke luftuar për lirinë”, shkroi Zelensky në rrjetin social X.
Hungaria ka kohë të gjatë që e kundërshtonte nisjen e bisedimeve me Kievin, megjithatë, nuk e përdori veton ndaj këtij vendimi.
SHIKONI EDHE: A do të mjaftojnë paratë për ta bindur Viktor Orbanin?Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, tha në një reagim në rrjetin social Facebook se vendi i tij nuk deshi "të marrë pjesë në një vendim të keq".
"Anëtarësimi i Ukrainës në BE është vendim i keq".
Ukraina dhe Moldavia aplikuan për t'iu bashkuar BE-së pasi Rusia e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2024.
Të dyja e gëzuan statusin e vendit kandidat në qershor të këtij viti.