Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u tha liderëve të Bashkimit Evropian se ata duhet të tregojnë forcë dhe të punojnë drejt miratimit të rundit të ri të sanksioneve kundër Rusisë, duke thënë se “zënkat” e brendshme i shkojnë për shtati vetëm Moskës.
“Evropa duhet të tregojë forcë sepse Rusia vetëm forcën e sheh si argument”, tha Zelensky gjatë fjalimit më 30 maj në samitin e BE-së.
Ky samit dyditor ka për qëllim të përforcojë mbështetjen e bllokut për Ukrainën, në luftën e saj kundër forcave pushtuese ruse.
Duke folur para liderëve të BE-së përmes video-lidhjes, Zelensky tha se është koha që BE-ja të mos përçahet dhe bëri thirrje për sanksione të reja ndaj Rusisë, përfshirë edhe për një embargo ndaj naftës ruse.
“Pakoja e gjashtë e sanksioneve duhet të miratohet, përfshirë naftën, në mënyrë që Rusia ta ndjejë çmimin për atë që po bën ndaj Ukrainës dhe ndaj Evropës në tërësi dhe në mënyrë që ju të bëheni më në fund të pavarur nga armët e energjisë së Rusisë”, tha ai.
Ndarjet në BE mbi importet e naftës ruse kanë ngadalësuar miratimin e pakos së re të sanksioneve.
Një propozim që lejonte përjashtime nga sanksionet për naftën e papërpunuar ruse, që transportohet përmes tubacioneve, dështoi më 29 maj, pas kundërshtimeve nga Hungaria. Ky fakt bën që negociatorët të përpiqen të eliminojnë një përçarje të mundshme midis shteteve të BE-së rreth luftës së Rusisë kundër Ukrainës, para samitit dyditor të BE-së që nis më 30 maj.
Sipas draftit të fundit të përfundimeve të samitit, liderët e 27 shteteve të bllokut do të pajtohen për rundin e ri të sanksioneve që do të përfshijnë edhe një përjashtim të përkohshëm për naftën ruse që transportohet përmes tubacioneve nga Rusia në BE.
Teksti i konkluzioneve, të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë, thuhet se “Këshilli Evropian pajtohet që pakoja e gjashtë e sanksioneve kundër Rusisë të mbulojë naftën e papërpunuar ruse, por edhe produktet e naftës që dërgohen nga Rusia te shtetet anëtare, me një përjashtim të përkohshëm për naftën e papërpunuar që transportohet përmes tubacioneve”.
Hungaria, Sllovakia dhe Republika Çeke, shtete që pranojnë naftë ruse përmes tubacionit Druzhba – i gjatë 4,000 kilometra – do të vazhdojnë të furnizohen në këtë mënyrë edhe pse këto furnizime do të sanksionohen eventualisht.
Në deklaratë konfirmohet se shtetet e BE-së do të pajtohen për propozimin për embargon ndaj naftës ruse që dërgohet në BE përmes detit. Kjo ndalesë, sipas deklaratës, do të hyjë në fuqi në fund të vitit dhe bëhet thirrje për “solidaritet në mesin e shteteve anëtare në rast të ndonjë ndërprerjeje të menjëhershme të furnizimeve”.
SHIKONI EDHE: Putin: Disa shtete të BE-së e kanë të pamundur të heqin dorë nga nafta ruse
Ndikimi i luftës te shtetet fqinje
Gjatë samitit, liderët e BE-së pritet të diskutojnë edhe për ndikimin e luftës te shtetet fqinje dhe në Ballkanin Perëndimor.
Në dokument përmendet nevoja e ofrimit të mbështetjes së duhur për Republikën e Moldavisë, teksa përballet me krizë të energjisë dhe atë ekonomike, si dhe me presion të migrimit, i cili sa vjen e rritet si pasojë e luftës.
“Këshilli Evropian bën sërish thirrje që t’i jepet fund shtypjes në Bjellorusi dhe kërkon zbatimin e të drejtave demokratike për popullin bjellorus siç është mbajtja e zgjedhjeve të reja dhe të lira”, thuhet në draft-konkluza.
SHIKONI EDHE: Smith: NATO e shqetësuar për paqen dhe stabilitetin e BallkanitRusia rrit presionin në Donbas
Forcat ruse kanë vazhduar ofensivën e tyre në lindje të Ukrainës, duke iu afruar qyteteve kyçe dhe duke bombarduar Harkivin, pasi presidenti Zelensky ka vizituar këtë qytet më 29 maj, duke shënuar udhëtimin e tij të parë jashtë Kievit, prej nisjes së luftës më 24 shkurt.
Forcat ruse kanë rritur presionin në qytezat Severodonjeck dhe Lisiçansk në lindje të Ukrainës, pasi kanë pretenduar të kenë marrë kontrollin e qytetin të afërt, Liman.
Zyrtarët ukrainas, në anën tjetër, kanë thënë se mbrojtësit janë duke luftuar në kushte të rënda në këto zona strategjike.
Guvernatori i rajonit Luhansk, Serhiy Hayday, ka thënë se situata në Lisiçansk është bërë “shumë e rëndë” për shkak të numrit të të vdekurve dhe të plagosurve.
SHIKONI EDHE: Biden: Pushtimi rus në Ukrainë është çështje globale
Npërmjet një fjalimi televiziv më 29 maj, Zelensky ka thënë se rreth “90 për qind e ndërtesave janë të shkatërruar në Severodonjeck”, duke shtuar që “më shumë se dy të tretat e shtëpive janë të shkatërruara plotësisht”.
“Marrja e Serverodonjeckut është gjë thelbësore për pushtuesit”, ka thënë ai për forcat ruse.
“Do të bëjmë gjithçka që mundemi për të pamundësuar avancimin e tyre”.
Komentet e tij pasuan vizitën në qytetin e Harkivit.
“Ju rrezikoni jetët tuaja për të gjithë ne dhe për shtetin tonë”, është cituar t’iu ketë thënë Zelensky luftëtarëve.
Agjencia e lajmeve Reuters ka raportuar se disa orë pas vizitës së Zelenskyt, në Harkiv janë dëgjuar disa shpërthime.
Shërbimi Shtetëror i Emergjencave në Ukrainë ka thënë se bombardimet ruse kanë nxitur zjarret rreth Harkivit, qytetit të dytë më të madh në Ukrainë.
Rusia ka vazhduar bombardimin e Harkivit, pasi luftëtarët ukrainas kanë zmbrapsur forcat ruse nga pozicionet që kanë pasur në këtë qytet disa javë më parë.
SHIKONI EDHE: Putin kushtëzon eksportet e drithërave të Ukrainës me lehtësimin e sanksioneve
Forcat ruse janë fokusuar në rajonin Donbas, pas përballjes me rezistencën e ashpër të forcave ukrainase afër Kievit.
Në disa komente për televizionin francez, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë më 29 maj se “çlirimi” i rajonit të Donabsit është “prioritet” për Moskën.
Territoret tjera ukrainase duhet të vendosin vetë për të ardhmen e tyre, ka thënë ai.