Procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duhet të ketë një agjendë të negociatave për vitin 2022, e cila duhet të jetë në shërbim të arritjes së qëllimit final dhe në interes të të dyja palëve si palë të barabarta në negociata, thonë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës.
Njohësit e zhvillimeve politike, Agon Maliqi dhe Ognjen Gogiq, nuk presin që gjatë këtij viti të ketë rezultate konkrete në dialogun Kosovë-Serbi për sa i përket arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare që do të normalizonte marrëdhëniet ndërmjet të dyja vendeve.
SHIKONI EDHE: Dialogu Kosovë-Serbi që nuk po përfundonPër më shumë, sipas tyre, deri pas përfundimit të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në Serbi, të cilat priten në pranverën e këtij viti, procesi i dialogut nuk do të shënojë lëvizje fare.
Bislimi: Qasja jonë është e hapur dhe konstruktive
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, shef i delegacionit të Kosovës në dialogun me Serbinë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Qeveria e Kosovës është e gatshme të vazhdojë me procesin e dialogut dhe këtë tashmë ua ka bërë të ditur vendeve aleate të saj në takimet që ka pasur muajve të fundit.
“Qeveria e Kosovës është e gatshme të vazhdojë procesin e dialogut, ashtu si ka bërë deri më tani, në kuptim të arritjes se një marrëveshjeje finale, gjithëpërfshirëse, e cila do të sillte njohjen e Kosovës nga Serbia. Qasja jonë është plotësisht e hapur dhe konstruktive, por është e bazuar në parime që sot janë bazament i politikës së jashtme të shteteve të NATO-s”, ka thënë Bislimi në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë.
Në dhjetor të vitit të kaluar, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Serbia dëshiron vazhdimin e dialogut, por i ka akuzuar autoritetet e Kosovës se nuk duan të vazhdojnë procesin.
SHIKONI EDHE: Pafuqia e BE-së në dialogun Kosovë-SerbiBashkimi Evropian ka rolin e lehtësuesit të dialogut Kosovë-Serbi dhe Qeveria e Kosovës vlerëson se BE-ja e ka ruajtur neutralitetin minimal në këtë proces.
“Megjithatë, Qeveria pret nga Bashkimit Evropian që të ruajë një kornizë të dialogut që është e bazuar në vetë vlerat e traktateve të saj themeluese dhe një qasjeje që e promovon sigurinë regjionale të Ballkanit Perëndimor, në pajtueshmëri me pritjet e NATO-s dhe në mbrojte të regjionit tonë nga ndikimi rus e kinez”, ka thënë Bislimi për Radion Evropa e Lirë.
Maliqi: Ambasadorët e rinj të SHBA-së me dinamikë të re
Njohësi i zhvillimeve politike, Agon Maliqi, redaktor dhe bashkëthemelues i blogut “Sbunker”, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë vlerëson se as kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe as presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk kanë vullnet për të vazhduar procesin e dialogut. Për më shumë, sipas tij, ngecja në përgjithësi e Ballkanit Perëndimor në rrugën e integrimeve evropiane, e lë BE-në pa mekanizmin e shtytjes së jashtme që procesi të vazhdojë.
Maliqi thekson se bazuar në situatën aktuale, vetëm thellimi eventual i krizës politike dhe kalimi në krizë të sigurisë në veri të Kosovës, mund të jetë shtysë për vazhdimin e procesit të dialogut.
“Këto lloj zhvillimesh mund ta rikthejnë procesin politik dhe vëmendjen ndërkombëtare në veçanti. Së dyti, në SHBA mund ta kemi një dinamikë të re me ardhjen e ambasadorëve, në Prishtinë (Jeffrey Hovenier) dhe në Beograd (Christopher Hill), të cilët mund t’ia japin një dinamikë tjetër, si dhe përdorimi – siç është premtuar- i mekanizmave kërcënues, të tipit të sanksioneve për aktorët e ndryshëm. Por, fundja as vetë SHBA-ja nuk do ta ketë këtë mundësi pa ndodhur diçka në frontin evropian”, vlerëson Maliqi.
SHIKONI EDHE: Fleksibiliteti i diskursit amerikan për zgjidhjen e kontestit Kosovë-SerbiAi shton se pa përmbylljen e zgjedhjeve presidenciale në Francë, në muajin prill dhe ndonjë dinamike në zhvillimet evropiane për sa i përket Ballkanit Perëndimor, si dhe pa përmbylljen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në Serbi, nuk do të mund të shihet ndonjë energji e re e kryqëzuar ndërmjet BE-së dhe SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi.
Sipas tij, presidenti francez, Emmanuel Macron, ka premtuar një samit në muajin qershor, ku mund të sqarohet perspektiva evropiane për rajonin, gjë që mund të reflektojë edhe në dialogun Kosovë-Serbi.
Gogiq: Ngecja e dialogut pasojë e ngecjeve në integrimet evropiane
Politologu Ognjen Gogiq thotë për Radion Evropa e Lirë se marrëveshja gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është vetëm eufemizëm për njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë. Nisur nga kjo, sipas tij, në procesin e dialogut Serbia është faktori kyç, për shkak se në fund të procesit të bisedimeve ajo duhet t’i ofrojë Kosovës të paktën njohjen implicite apo të nënkuptuar.
SHIKONI EDHE: Escobar: Njohja reciproke do të ishte ideale për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi“Mbase Serbia do të ishte e gatshme ta bëjë këtë, por me kushtin që kjo t’i shpaguhet përmes integrimeve evropiane. Por, Serbia nuk mund ta bëjë këtë, sepse integrimet evropiane tash për tash kanë ngecur për një varg arsyesh dhe rrjedhimisht ajo nuk është e gatshme që të bëjë çfarëdo lëshimesh në raport me Kosovën. Dhe, kjo është esenca e kësaj situate ku dialogu shënon ngecje”, thotë ai.
Gogiq shton se kjo situatë tash për tash i konvenon presidentit serb, Vuçiq, dhe ai nuk është i gatshëm që të shkëmbejë njohjen e Kosovë për integrime evropiane, përderisa të mos ndryshojnë rrethanat ndërkombëtare. Por, siç thotë ai, asnjë politikani në Kosovë dhe as kryeministrit Kurti nuk i përgjigjet ngecja e procesit të dialogut, për shkak se të gjithë dëshirojnë ta dëshmojnë dhe rrumbullakojnë shtetësinë e Kosovës.
Por, sipas tij, në raport me integrimet evropiane, Kosova nuk ka marrë asnjë shtysë, përfshirë as liberalizimin e vizave, për të cilin i ka përmbushur kushtet sipas Komisionit Evropian.
SHIKONI EDHE: Për Kosovën, "ende nuk është momenti" për liberalizimin e vizaveKriza e sigurisë, si shtysë për vazhdimin e dialogut
Megjithatë, Maliqi dhe Gogiq nuk presin që gjatë vitit 2022 mund të ketë përmirësim të mjaftueshëm të rrethanave që do të çonin drejt ndonjë marrëveshjeje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Maliqi thotë se ajo çfarë mund të pritet është rifillimi dhe ricaktimi i kornizave të procesit të dialogut, por megjithatë, ai vlerëson se vullneti i liderëve kryesorë politikë dhe institucionalë në Kosovë dhe Serbi, për të vazhduar procesin, do të mungojë.
“Mirëpo, çfarë kemi mësuar gjatë dekadës së fundit, është se shumë shpesh zhvillimet dalin përtej kontrollit të politikanëve individualë dhe liderëve rajonalë dhe veçanërisht kjo kriza e përgjithshme e sigurisë që po ndodh në Evropën Lindore, në Ukrainë, por edhe në Bosnjë (e Hercegovinë) mund ta ridimensionojë dhe mund t’i përshpejtojë dhe kalibrojë interesat dhe dinamikat, gjë që mund të reflektojë pastaj edhe në dialogun Kosovë-Serbi”, thekson Maliqi.
SHIKONI EDHE: Rashiti: Situatë e paqartë drejt përmbylljes së konfliktit Kosovë-Serbi“BE-ja të jetë më konstruktive”
Politologu Gogiq shpreh mendimin se deri pas pushimeve të verës nuk do të ketë ndonjë lëvizje domethënëse në dialogun Kosovë-Serbi.
“Para së gjithash, mendoj se nuk do të ndodhë diçka e rëndësishme në rrugën e lëvizjes së Serbisë kah Bashkimi Evropian, gjë që do ta motivonte atë që të jetë më konstruktive në dialog. Kur bëhet fjalë për Kosovën, unë po shpresoj që Brukseli, Bashkimi Evropian e ka kuptuar që Kosovën nuk mund ta mbajnë më në statusin e ngecjes. Unë po shpresoj që e kanë kuptuar se nëse dëshirojnë që Kosova të jetë më konstruktive në dialog dhe reforma, atëherë duhet ta kryejnë pjesën e tyre të punës dhe këtu mendoj, para së gjithash, për liberalizimin e vizave”, thotë Gogiq.
Më 7 dhjetor të vitit 2021, shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, pas një takimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, u ka thënë medieve se është në kërkim të zgjidhjes për arritjen e marrëveshjes përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Nëse ka vullnet, problemi mund të zgjidhet qysh nesër apo tre vjet më vonë”, pati deklaruar Borell.
Gjatë vitit 2021, dialogu Kosovë - Serbi është zhvilluar kryesisht në nivel të ekspertëve, ndërkaq në nivelin e lartë politik janë zhvilluar dy takime ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit, në qershor dhe në korrik. Në asnjërin prej këtyre takimeve nuk është arritur ndonjë marrëveshje.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011.