Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, thotë se pret nga institucionet e Kosovës që të koordinohen në lidhje me përdorimin e të gjitha kategorive të dronëve, përfshirë edhe ata Bayraktar TB-2.
Në një deklaratë me shkrim dërguar Radios Evropa e Lirë, KFOR-i kujton se komandanti i këtij misioni e ka autoritetin parësor mbi hapësirën ajrore të Kosovës, që nga përfundimi i luftës më 1999.
Një ditë më herët, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se vendi ka blerë dronë Bayraktar TB-2 nga Turqia.
SHIKONI EDHE: Kosova blen dronë BayraktarMe blerjen e tyre, Kosova “është edhe më e sigurt”, tha ai dhe shtoi se oficerët e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë trajnuar tashmë për përdorimin e dronëve.
Se sa dronë janë blerë, nuk është e qartë.
Por, kujton KFOR-i, hapësira e poshtme ajrore e Kosovës “mund të përdoret për nevoja specifike” dhe me “autorizim të mëparshëm nga komandanti i KFOR-it”.
Hapësira e poshtme ajrore nënkupton lartësinë deri në 6.250 metra.
Dronët Bayraktar TB-2 fluturojnë kryesisht në lartësi deri në 5.000 metra.
SHIKONI EDHE: Escobar: Largimi i KFOR-it nga Kosova nuk është në tavolinëForca e Sigurisë e Kosovës është në proces të shndërrimit në ushtri.
Është e paraparë që deri në vitin 2028, ajo t’i arrijë të gjitha kapacitetet operacionale për, siç thuhet, “ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, si dhe të qytetarëve, pronave dhe interesave të vendit”.
Megjithatë, ajo nuk do t’i zëvendësojë forcat e KFOR-it që vazhdojnë të kenë rreth 4.000 trupa në Kosovë.
Blerja e dronëve Bayraktar “në funksion të mbrojtjes”
Zëvendëskryetari i Komisionit parlamentar për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes në Kosovë, Enver Dugolli, thotë për Radion Evropa e Lirë se kur bëhet fjalë për çështje që bien edhe në domenin e misionit të KFOR-it, “ka bashkëpunim dhe koordinim”.
Bazuar në obligimet ligjore që ka Forca e Sigurisë e Kosovës, thotë ai, blerja e pajisjeve ushtarake është e domosdoshme.
“...pra, kjo çështje ka të bëjë me përgatitjen e Forcës së Sigurisë për të mbrojtur vendin, për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës”, thotë Dugolli, i cili vjen nga radhët e partisë në pushtet - Lëvizjes Vetëvendosje.
SHIKONI EDHE: DASH: Kosova të mos devijojë nga plani i tranzicionit të FSK-sëIsh-ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Anton Quni, anëtar i Komisionit për çështje të sigurisë dhe mbrojtjes, thotë se dronët luftarakë shihen kryesisht si armë sulmi, por kjo, sipas tij, nuk nënkupton se Kosova po përgatitet për aktivitete sulmuese.
“Krijohet përshtypja se dronët janë sisteme apo armë sulmuese. Ne gjithnjë kemi folur për operacione defensive, do të thotë kur rrezikohet territori i Republikës së Kosovës. Përderisa ne jemi në këto pozicione mbrojtëse, nuk flasim për armë sulmuese”, thotë Quni nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës - parti në opozitë.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai shton se Qeverinë e Kosovës e presin sfida për të siguruar kompetenca ligjore për Forcën e Sigurisë, në lidhje me aktivitetet e saj në hapësirën ajrore të vendit.
“Kjo është çështje, e cila duhet të jetë në fokusin e Qeverisë në të ardhmen. Do të thotë, të sigurojë infrastrukturën ligjore, pasi që disa kompetenca mbi kontrollin ajror janë çështje ekskluzive e NATO-s dhe KFOR-it në Kosovë. Nuk është diçka që nuk mund të tejkalohet nëse ekziston një bashkëveprim dhe një koordinim i mirë me autoritetet e NATO-s dhe me partnerët tanë”, thotë Quni.
SHIKONI EDHE: Kompetencat e NATO-s në KosovëVrajolli: Pajisja me armë për çfarëdo rrethane hipotetike
Autoritetet e Kosovës nuk kanë bërë të ditur çmimin e dronëve të blerë, por në treg ata njihen si të lirë dhe efektivë.
Mentor Vrajolli, drejtor ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, vlerëson se nëse shikohen kostot e pajisjeve luftarake, të cilat sigurohen nga ushtritë e botës, fillimisht duken të pajustifikueshme, në rast se ato nuk përdoren. Nga ky këndvështrim mund të shihen edhe dronët Bayraktar të blerë nga Kosova, thotë ai.
Por, shton Vrajolli, pajisjet luftarake jo gjithmonë blihen për t’u përdorur me çdo kusht.
“Sektori i mbrojtjes bëhet për t’u siguruar se në çfarëdo rrethane hipotetike që mund të shfaqet, përgatitjet e mbrojtjes të jenë në nivel të duhur. Në këtë këndvështrim, ky përforcim që është bërë nga ushtria e Kosovës, nuk paraqet ndonjë problem të madh. Mbase jo domosdo ne presim që dikush do të na sulmojë. Por, nëse na sulmon, atëherë ne duhet të jemi të përgatitur”, thotë Vrajolli për Radion Evropa e Lirë.
Çfarë është droni Bayraktar TB-2?
Droni Bayraktar TB-2 është fluturake pa pilot, që kontrollohet nga distanca.
Ky dron është zhvilluar në Turqi nga Selcuk Bayraktar, i diplomuar në Institutin e Teknologjisë në Masaçusets.
SHIKONI EDHE: Çfarë është Bayraktari?Bayraktar TB-2 mund të qëndrojë në qiell deri në 27 orë dhe fluturimi mundësohet nga një motor i thjeshtë me helikë. Ky dron mund të fluturojë deri në 150 kilometra nga baza e tij.
Ai është vlerësuar si mjaft i rëndësishëm në konfliktet në botë, përfshirë edhe atë në Ukrainë.
Bayraktar TB-2 aktualisht përdoret nga së paku 11 ushtri të botës.
Autoritetet e Kosovës nuk kanë bërë të ditur se kur kanë arritur dronët në Kosovë, por jozyrtarisht është thënë se kjo ka ndodhur në muajin maj, pak para stërvitjeve ushtarake “Defender Europe 2023”.
Kosova është përjashtuar nga këto stërvitje, të udhëhequra nga SHBA-ja, për shkak të situatës së tensionuar në veriun e saj të banuar me shumicë serbe. Tash e gati dy muaj, qytetarët serbë atje janë duke kundërshtuar vendosjen në zyrat komunale të kryetarëve shqiptarë.