Në fund të janarit të vitit të ardhshëm, përfaqësuesit e partive politike parlamentare të Maqedonisë, ekspertë nga Bashkimi Evropian, në prani të eurokomisionerit për Zgjerim, Johannes Hahn si dhe përfaqësuesve të Parlamentit dhe Qeverisë franceze, do ta fillojnë procesin e dialogut të ndërsjellë mes pozitës dhe opozitës në Maqedoni të titulluar “Zhan Mone”, me qëllim të shtytjes së proceseve që kanë të bëjnë me integrimin e Maqedonisë në strukturat euroatlantike.
“Projekti ‘Zhan Mone’,nuk është gjykatë për të zgjidhur çështjet ndërmjet palëve në skenën politike në Maqedoni, por është një mundësi për dialog miqësor dhe të hapur, përmes të cilit do të zgjidhen problemet", ka deklaruar për mediat eurodeputeti Ivo Vajgëll, duke prezantuar para opinionit të Maqedonisë projektin “Zhan Mone” të Parlamentit Evropian, pasi paraprakisht ai ka realizuar bisedime me përfaqësuesit e partive parlamentare të Maqedonisë.
“Me shumë rëndësi është që Maqedonia i ka filluar ndryshimet dhe realizmi i reformave do të ndihmojë në drejtim të fillimit të bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian”, ka theksuar Vajgël .
I pyetur se kush do të marrë pjesë në këtë takim, duke pas parasysh se liderit të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevskit i është marrë pasaporta nga gjykata, me kërkesë të Prokurorisë Speciale Publike, Vajgëll tha se mjafton të jenë prezent përfaqësuesit e partive politike.
Ndërkaq, kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi ka thënë se Parlamenti i Maqedonisë është i gatshëm të hap procesin e dialogut të quajtur “Zhan Mone”.
“Parlamenti i Republikës së Maqedonisë është i gatshëm, bazuar edhe në deklaratat e përfaqësuesve të partive politike, që të hap dialogun e ashtuquajtur ‘Zhan Mone’, i cili në asnjë mënyrë, ashtu siç u konkludua, nuk nënkupton vazhdimin e atij procesi të bisedimeve që kanë ndodhur në të kaluarën, në Shkup dhe rreth Shkupit. Por, ka të bëjë me gatishmërinë e re të përbërjes parlamentare dhe subjekteve politike në Parlament, që përmes formës së dialogut që pritet të arrihet deri tek zgjidhjet e duhura të pranuara nga të gjithë ne, që të mund atë rekomandim reformues të mund ta zbatojmë në kohën më të shkurtë të mundshme”, tha Xhaferi.
Ndryshe, realizimi i një takimi të mbyllur për mediat, mes përfaqësuesve të partive politike parlamentare të Maqedonisë me ndërmjetësimin e zyrtarëve të lartë evropianë në afërsi të Parisit në shtëpinë “Zhan Mone”, ka për qëllim përmirësimin e raporteve mes pozitës dhe opozitës në Maqedoni, në funksion të kapërcimit të sfidave rreth integrimit të Maqedonisë në strukturat euroatlantike.
Ideja për realizimin e një takimi të këtillë mes aktorëve relevantë politikë në Maqedoni, vjen në momentin kur negociatorët e Maqedonisë dhe Greqisë, me ndërmjetësimin e të dërguarit të posaçëm të OKB-së Metju Nimic, intensifikojnë bisedime për zgjidhjen e kontestit të emrit, që do të çonte kah zhbllokimi i proceseve euroatlantike.
Në këtë drejtim, kryeministri i Maqedonisë Zoan Zaev për mediat ka thënë se Maqedonia duhet të shfrytëzojë rrethanat e volitshme për zgjidhjen e kontestit të emrit që ka me Greqinë.
“Me Republikën e Greqisë kemi gjasa më të mëdha se më herët që të gjejmë zgjidhje. Pres që deri në fund të këtij muaji të fillojnë të lëvizin gjërat, të paktën mes negociatorëve me Nimicin. Unë qëndroj në disponim në nivel të kryeministrave, ministri i Punëve të Jashtme është i gatshëm, tashmë kemi biseduar edhe me Presidentin e shtetit. Duke i pasur parasysh këto, Maqedonia patjetër duhet të jetë e gatshme për të bërë hapa në drejtim të zgjidhjes përfundimtare të kësaj çështjeje. Unë shpresoj se edhe opozita maksimalisht do të kyçet në zgjidhjen e kësaj çështje”, ka theksuar kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev.