Zgjidhja e kontestit të emrit me Greqinë, pritet të marrë një dinamikë të re pas zgjedhjeve lokale që pritet të përfundojnë pas një jave.
Këtë e paralajmëroi ditë më parë vetë kryeministri Zoran Zaev duke folur për prioritetet e Qeverisë në periudhën e ardhshme. Në këtë kuadër janë edhe kontaktet e vendosura me qeverinë greke, por edhe lëvizjet e ndërmjetësit të OKB-së, Metju Nimic, se pas vitit mund të ketë afrim të qëndrimeve mes palëve për mbylljen e kontestit afër 30-vjeçar me emrin e Maqedonisë.
Detaje nuk jepen nëse tashmë ka ndonjë propozim për emrin e ri të Maqedonisë, apo nëse ajo do të pranohet fillimisht në NATO me referencën e përkohshme IRJM dhe të nisë bisedimet për anëtarësim në BE, me kusht që anëtarësimi i plotë të saj në union të bëhet paralelisht me mbylljen përfundimtare të kontestit.
Njohësit e çështjeve ndërkombëtare, thonë se shtytësi më i madh i këtij procesi është bashkësia ndërkombëtare, e cila me çdo kusht po bën përpjekje për forcimin e stabilitetit në Ballkan dhe ruajtjen e këtij rajoni nga rritja e ndikimit rus.
Alajdin Demiri, ish-diplomat, thotë për Radion Evropa e Lirë, se mes dy vendeve janë duke u zhvilluar negociata dhe se bëhet fjalë për modalitete për arritjen e kompromisit.
“Në kuadër të të gjithë këtyre reformave që janë paralajmëruar nga kryeministri Zoran Zaev është edhe ajo e çështjes së emrit dhe si duket ai ka marrë garanci për mbështetje në mbylljen e këtij kontesti. Mendoj se ka bisedime të fshehura ku janë duke u harmonizuar qëndrimet, që do të thotë se Maqedonia ka pranuar ndryshimin e emrit dhe se tani është fjala vetëm për metodologjinë apo format se si do të miratohet kjo marrëveshje”, thotë Demiri.
Ai shton se një nga mundësitë e vulosjes së marrëveshjes është edhe ajo e referendumit, duke marrë parasysh mbështetjen e madhe që partia e kryeministrit Zaev, mori tek elektorati maqedonas, ndërsa sa i përket atij shqiptar, Demiri thotë se mbështetja e tyre do të jetë absolute në ndryshimin të emrit dhe anëtarësimit të vendit në NATO.
Ndërkohë, sa i përket modalitetit për arritjen e kompromisit dhe çështjes së referendumit, Margarita Nikollovska, ekspertë e çështjeve juridike thekson:
“Ajo që është më me rëndësi, ka të bëjë me nevojën për zgjidhjen e kësaj çështjeje të hapur. Sa i përket modaliteteve, mendoj se duhet të kenë një përfshirje më të gjerë të faktorëve në vend, apo institucioneve siç është edhe Kuvendi, ku përfaqësohen interesat e qytetarëve përmes të zgjedhurve të tyre”.
“Nëse shkohet në referendum, vlerësoj se kujdesi duhet të jetë edhe më i madh, në veçanti në formulimin e pyetjes dhe përgjigjes që do të kërkohet nga shtetasit, Çdo gabim eventual në formulimin e saj, mund të ketë pasoja, prandaj vlerësoj se duhet një kujdes më i madh si në aspektin juridik, ashtu edhe në marrjen në konsideratë të interesave të popullit”, thotë Nikollovska.
Zgjidhja e çështjes së emrit, sipas ish-diplomatit Alajdin Demiri, mund të marrë kahen e zgjidhjes edhe për shkak të dobësimit të opozitës maqedonase, e cila për shumë vjet nuk ka bërë asnjë lëvizje në drejtim të afrimit të qëndrimeve me Greqinë.
“Fakti që VMRO-ja është e gjunjëzuar apo që nuk ka kapacitet që të reagojë, flet që ky proces pas zgjedhjeve lokale mund të fillojë dhe të rrumbullakohet pak më shpejt. E gjithë kjo tregon se Maqedonia është e interesuar që sa më parë të jetë pranë institucioneve euroatlantike”, vlerëson Demiri.
Çështja e emrit me Greqinë daton që nga pavarësia e Maqedonisë. Ky kontest ka bërë që Greqia ta bllokojë tash e disa vjet anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe hapjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Facebook Forum