Shtetet e Bashkuara dhe Japonia akuzuan Pekinin për “veprime destabilizuese” në Detin e Kinës Jugore, ndërkaq po ashtu dënuan bashkëpunimin ushtarak në rritje të Rusisë me Kinën dhe Korenë e Veriut.
Në Tokio, më 28 korrik u takuan sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe ai i Mbrojtjes, Lloyd Austin, me homologët e tyre japonezë.
Në deklaratën e përbashkët ata “përsëritën kundërshtimin e fundit të pretendimeve të paligjshme detare të Kinës, militarizimin dhe aktivitetet kërcënuese dhe provokuese në Detin e Kinës Jugore”.
Veprimet “destabiliziuese të Kinës në këtë rajon përfshijnë takime të pasigurta në det dhe ajër, përpjekje për të penguar shtetet e tjera të shfrytëzojnë burimet në det të hapur si dhe përdorimin e rrezikshëm të anijeve të Rojës Bregdetare dhe të milicive detare”, u shtua në komunikatë.
Uashingtoni dhe Seuli akuzuan Kinën se po “intensifikon përpjekjet që në mënyrë të njëanshme të ndryshojë status quo-në me forcë në Detin e Kinës Lindore”, duke shtuar se “politika e jashtme e Kinës po tenton të ndryshojë rendin ndërkombëtar për të përfituar vet në kurriz të tjerëve”.
Po ashtu, SHBA-ja dhe Japonia shprehën shqetësim “për zgjerimin e shpejt të arsenalit bërthamor” të Kinës, që sipas këtyre dy shteteve po bëhet pa transparencë se çfarë qëllimi ka shteti me zgjerimin e arsenalit.
Në deklaratë po ashtu u shprehën shqetësime lidhur me rritjen e bashkëpunimit ushtarak strategjik të Rusisë me Kinën “përmes operacioneve të përbashkëta dhe stërvitjeve të përbashkëta afër Japonisë dhe mbështetjes së Kinës për bazën industriale të mbrojtjes të Rusisë”.
SHIKONI EDHE: Si mund ta zbehë ndikimin e Kinës pakti mes Rusisë dhe Koresë së Veriut?Uashingtoni dhe Seuli po ashtu dënuan “thellimin e bashkëpunimit mes Rusisë dhe Koresë së Veriut, që dëshmohet nga blerja e raketave balistike dhe materialeve të tjera nga Koreja e Veriut që përbën shkelje të rezolutave [të Kombeve të Bashkuara] për përdorim kundër Ukrainës”.
Bliken dhe Austin janë takuar me ministren e Jashtme të Japonisë, Yoko Kamikawa, dhe ministrin e Mbrojtjes, Minoru Kihara. Këto bisedime synojnë rritjen e bashkëpunimit mes Tokios dhe Uashingtonit në përgjigje të shqetësimeve që paraqet Kina në rajon.