Associated Press
Kina duket se po synon që të mbajë distancën e saj, përderisa Rusia dhe Koreja e Veriut po afrohen edhe më shumë me paktin e ri të mbrojtjes, i cili mund të prishë balancën e fuqisë në mesin e tri shteteve autoritare.
Ekspertët thanë se udhëheqësit e Kinës me gjasë shqetësohen për humbjen e mundshme të ndikimit mbi Korenë e Veriut, pasi lideri verikorean, Kim Jong Un, dhe presidenti rus, Vladimir Putin, nënshkruan një marrëveshje gjatë javës dhe ka shqetësime se si kjo marrëveshje mund të rrisë paqëndrueshmërinë në Gadishullin Korean. Por, Pekini mund të ketë vështirësi që të përgjigjet për shkak të qëllimeve të tij të kundërta: mbajtja e paqes në dy Koretë dhe në të njëjtën kohë të vazhdojë të kundërshtojë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tij perëndimorë në skenën botërore.
Deri më tani, Pekini nuk ka komentuar për këtë marrëveshje – e cila kërkon që të dy shtetet të ofrojnë ndihmë në fushën e mbrojtjes nëse ndonjëri prej tyre sulmohet – dhe vetëm ka përsëritur deklaratat se synon të mbështesë paqen dhe stabilitetin në Gadishullin Korean dhe të avancojë një marrëveshje politike mes Koresë së Veriut dhe Jugut.
Përgjigja kineze ka qenë “shumë e dobët”, tha Victor Cha, zëvendëspresident për Azinë dhe Korenë në Qendrën për Studime për Strategji dhe Ndërkombëtare, duke shtuar se ky mund të jetë një sinjal se Pekini ende nuk e di se çfarë do.
“Çdo opsion është opsion i keq”, tha ai. “Ju ose nuk jeni në gjendje të merrni një vendim për shkak të pikëpamjeve të kundërta apo... ju thjesht jeni të paaftë të merrni vendim sepse nuk e dini se si ta vlerësoni situatën”.
Disa në Pekin mund të mirëpresin partneritetin mes Rusisë dhe Koresë së Veriut duke e parë atë si një mënyrë për të kundërshtuar dominimin e SHBA-së në çështjet botërore, por Cha tha se “po ashtu ka shqetësim të madh” në Kinë, e cila nuk dëshiron që ta humbasë ndikimin e saj nga Rusia fqinje, nuk dëshiron që të ketë afër një fuqi të destabilizuar bërthamore dhe nuk dëshiron që ta sjellë konfliktin nga Evropa në Azi.
Por, Kina nuk po i ngreh këto çështje publikisht. “Ata nuk duan që ta shtynë Kim Jong Unin më afër krahëve të Vladimir Putinit”, tha Cha, duke iu referuar udhëheqësve të të dyja shteteve.
Lin Jian, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Kinës refuzoi të komentonte marrëveshjen e re. “Bashkëpunimi mes Rusisë dhe Koresë së Veriut është çështje mes dy shteteve sovrane. Ne nuk kemi informacion për këtë çështje”, tha ai.
John Kirby, zëdhënës i sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, u tha gazetarëve se pakti mes Rusisë dhe Koresë së Veriut “duhet të ketë shqetësim për çdo shtet që beson se rezultat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara duhet të respektohen”. Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka vendosur sanksione ndaj Koresë së Veriut, në tentim që ta ndalë shtetin që të zhvillojë armë bërthamore.
Kirby po ashtu tha se marrëveshja “duhet të ketë shqetësim për këdo që mendon se mbështetja e popullit të Ukrainës është gjëja e duhur. Dhe ne mendojmë se ai shqetësim duhet të ndahet edhe nga Republika Popullore e Kinës”.
Një tjetër çështje për të cilën Kina mund të ketë shqetësime lidhur me atë nëse Rusia do ta ndihmojë programin e armëve të Koresë së Veriut duke i dhënë teknologji të avancuar, tha Alexander Gabuev, drejtor i Qendrës Carnegie për Rusi dhe Euroazi.
“Nëse Kina është vërtetë e shqetësuar, ka leva të ndikimit në Rusi dhe Korenë e Veriut dhe ka të ngjarë që të tentojë të vendosë disa kufizime në këto raporte”, tha ai.
Takimi midis Putinit dhe Kimit gjatë kësaj jave është kapitulli i fundit në raporte të ndërlikuara politike dhe ushtarake në Azinë Lindore për dekada të tëra. Në këtë rajon, Partia Komuniste kineze është shfaqur si fuqi udhëheqëse që ka ndikim edhe ndaj Koresë së Veriut, por edhe Rusisë.
Kjo dhe zhvillime të tjera kanë ndezur alarmin në SHBA se Pekini – që është ekonomia e dytë më e madhe në botë – mund ta sfidojë rendin botëror të udhëhequr nga SHBA-ja duke u lidhur me shtete sikurse Rusia, Koreja e Veriut dhe Irani. Pekini e hedh poshtë këtë pretendim.
Sun Yun, drejtoreshë për programin për Kinën në Qendrën Stimson, tha se Pekini nuk dëshiron një formë të një aleance trepalëshe me Korenë e Veriut dhe Rusinë sepse “ka nevojë që t’i mbajë të hapura opsionet e tij”.
Një koalicion i tillë mund të nënkuptojë një Luftë të re të Ftohtë, diçka që Pekini thotë se është i vendosur që ta shmangë dhe të lidhja e vetes me Phenianin dhe Moskën do të ishte në kundër qëllimeve të Kinës për të mbajtur lidhje me Evropën dhe për të përmirësuar raportet me Japoninë dhe Korenë e Jugut, tha ajo.
Sun shtoi se afrimi midis Koresë së Veriut dhe Rusisë “krijon mundësi për pasiguri, por bazuar në atë që ka ndodhur deri më tani, nuk mendoj se interesat kombëtare të Kinës janë dëmtuar nga kjo”.
Raporte më të ngushta mes Putinit dhe Kimit mund të dobësojnë ndikimin e Pekinit dhe ta bëjnë atë një “humbës të madh”, tha Danny Russel, i cili ishte diplomati kryesor i SHBA-së për Azinë gjatë administratës të Barack Obamas.
“Përveç acarimit për ndërhyrjen e Putinit në atë që shumica e kinezëve e konsiderojnë sferën e tyre të ndikimit, kostoja reale për Kinën është se afrimi me Rusinë i jep Koresë së Veriut mundësi për pandëshkueshmëri më të madhe dhe hapësirë që të manovrojë pa marrë në konsideratë interesat e Pekinit”, tha ai.
Russel, që tani është zëvendëspresident për çështje të sigurisë ndërkombëtare dhe diplomaci në Institutin për Politika Shoqërore në Azi, tha se Kim është i etur që të zvogëlojë varësinë e shtetit të tij ndaj Kinës.
“Dobësimi i levës kineze nënkupton që Kim Jong Un mund të shpërfillë thirrjet e Kinës për përmbajtje”, tha ai, “dhe kjo ka të ngjarë që të krijojë kaos në kohën kur [udhëheqësi kinez] Xi Jinping dëshiron me ngulm stabilitet”.