Dita e tretë e barrikadave në veri

Rrugët në fshatin Rudarë vazhdojnë të jenë të bllokuara. 

Serbët lokalë kanë vendosur shirita para barrikadave në Rudarë të Zveçanit. 

Rruga që kalon nëpër Rudarë çon për në pikën kufitare të Jarinjës, që lidh Kosovën dhe Serbinë. 

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar që të largohen barrikadat dhe kanë dënuar sulmet ndaj Policisë së Kosovës dhe EULEX-it, që kanë ndodhur ditëve të fundit.  

Për shkak të rritjes së tensioneve, autoritetet në Kosovë kanë mbyllur përkohësisht dy pikëkalimet kufitare në veri, Jarinjë dhe Bërnjak. 

Serbët lokalë nisën vendosjen e barrikadave pasditen e 10 dhjetorit, pas arrestimit të Dejan Pantiqit, ish-pjesëtar i Policisë së Kosovës.

Në barrikadat në Rudarë po përdoren edhe kamionët, që janë donacion i Bashkimit Evropian. 

Një kamion tjetër, donacion i BE-së, shihet në barrikadat në veri. 

Autoritetet në Kosovë kanë thënë se Dejan Pantiq ka organizuar "sulmin terrorist" të 6 dhjetorit ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Mitrovicë të Veriut dhe në Zubin Potok. 

Bllokada ka edhe në fshatin Zupç të Zubin Potokut. 

Serbët lokalë në Zupç kanë vendosur kamionë për të bllokuar rrugët. 

Rruga që kalon nëpër fshatin Zupç çon drejt pikëkalimit kufitar në Bërnjak. 

Për të tretën ditë me radhë, në veri të Kosovës disa rrugë vazhdojnë të jenë të bllokuara. Kamionë të rëndë dhe mjete të tjera vazhdojnë të bllokojnë rrugën në fshatin Rudarë, në Zveçan. Që nga 10 dhjetori, serbët lokalë kanë ngritur barrikada në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-pjesëtari serb të Policisë së Kosovës, që autoritetet në Kosovë thonë se ka organizuar sulmet ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.