Vetëm disa orë para se presidenti rus të njoftonte për vendimin për të rivizatuar sërish kufijtë e Ukrainës, predhat goditën dritaret në katin e sipërm të shtëpisë së Maria Artyomovas, duke krijuar një vrimë në çatinë e një ndërtese dykatëshe ku ndodhet një dyqan ushqimor dhe banesa të vogla. Nga granatimet u vra fqinji i saj, Romani, teksa ishte duke punuar rreth 20 metra larg derës së shtëpisë së saj.
“Ne thjesht duam të ndalojë. Kjo është e gjitha”, tha Artyoma, 75 vjeçe, e cila para se të pensionohej kishte punuar si sekretaresh dhe mësuese në një shkollë. Ajo kishte qenë në kuzhinë duke i dhënë burrit të saj diabetik një injeksion insuline kur filloi granatimi, që ishte më i rëndi në të paktën pesë vjetët e fundit.
Lufta tetëvjeçare në rajonin lindor ukrainas Donbas, ku ndodhet Novoluhanske, hyri në një fazë të re të rrezikshme, pas njoftimit të 21 shkurtit të presidentit rus, Vladimir Putin, që tha se Moska ka njohur pretendimet e pavarësisë së separatistëve të mbështetur nga Rusia, të cilët kanë nën kontroll pjesë të provincave të Donjeckut dhe Luhanskut.
Putin po ashtu u përgatit që të dërgojë trupa ruse në këto rajone – zyrtarisht kësaj radhe, pasi më deri tani, Moska ka mohuar se ka dërguar forca në Donbas, pavarësisht se shumë dëshmi kanë treguar për përfshirjen e forcave ruse në luftën që ka lënë të vdekur mbi 13,200 persona.
- Pse Putin i njohu separatistët e mbështetur nga Rusia në Ukrainë?
- Zelenskiy: Do ta mbrojmë veten me apo pa partnerët tanë
Më 21 shkurt, ai tha se Rusia i njeh pretendimet e separatistëve ndaj dy provincave në tërësinë e tyre, duke thelluar shqetësimet se rusët mund të arrijnë së shpejti në qytetet si Novolohanske, që janë në anën e “vijës së kontrollit” që kontrollohet nga Qeveria ukrainase.
Njoftimi i Putinit dhe fjalimi i tij armiqësor po ashtu shtuan frikën se Rusia –që ka grumbulluar, sipas zyrtarëve amerikanë, deri në 190,000 trupa pranë kufijve të Ukrainës, në Krimenë e kontrolluar nga Rusia dhe në Donbas – mund të nisë në çdo kohë një pushtim të shkallës së gjerë.
Vendimit të Putinit i paraprin ditë të intensifikimit të të shtënave me armë dhe granatimeve përgjatë vijës së kontrollit.
Për shumëkënd në Kiev dhe Perëndim, fjalët e Putinit dhe veprimet duket se janë shpallje e luftës kundër Ukrainës. Për Artyomovan, dhe për të tjerët që tentojnë të ruajnë pamjen e një normaliteti në jetën e tyre në Donbas, njohja e Rusisë për pretendimet e separatistëve është ofendimi i fundit në një seri të gjatë ofendimesh politike, ku janë përfshirë një breshëri lajmesh të këqija, rëndësia e të cilave shpesh kanë qenë më pak të rëndësishme sesa shqetësimet imediate të jetës së përditshme.
“Natyrisht, ne duam që Rusia dhe Ukraina të shkojnë mirë së bashku”, tha ajo, teksa zhurma e zjarrit të artilerisë jehonte nga vija e frontit, që gjendet rreth shtatë kilometra më larg.
Por, a do të ndryshojë diçka njoftimi i Putinit? “Nuk e di”, tha ajo. “A do të ketë tanke? Nuk e di. Gjithçka që di janë granatimet, ishin të frikshme, jashtëzakonisht të frikshme”.
SHIKONI EDHE: Rrëmuja përcjell evakuimet nga lindja e UkrainësNë oborrin ngjitur, ku u vra fqinji i Marias, Romani, Raisa Andriyonova, 74 vjeçe, po largonte me fshesë prej kashte copëzat e xhamit dhe mbetjet metalike, teksa punëtorët erdhën dhe vendosën kompensatë në xhamat e thyer në ndërtesat përreth.
Andriyonova tha se nuk pret që diçka e mirë të dalë nga zhvillimet e fundit.
“Çdo gjë që e ndalon këtë çmenduri: kjo është një gjë e mirë”, tha ajo, duke shtuar se: “Unë nuk mendoj se [Putin] e di vërtetë se çfarë po bën. Ai tashmë është i vjetër”.
Disa lagje më në jug, në periferi të Novoluhanskes, një depo e braktisur e pajisjeve bujqësore, po përdoret për një njësi të këmbësorisë, që janë vendosur përballë një sërë pozicionesh të separatistëve. Për këtë arsye, kjo lagje vazhdimisht është cak i granatimeve të rënda.
SHIKONI EDHE: Zelenskiy thërret rezervistët, por nuk shpall mobilizim të përgjithshëmKomandanti i njësisë, Anatoliy, që është dislokuar në këtë pozicion rreth shtatë muaj më parë, tha se zjarri i mortajave është dukshëm më i rëndë ditëve të fundit. I pyetur nëse diçka kishte ndryshuar pas njoftimit të Putinit, ai ngriti supet.
“Epo, jo”, tha ai, “në fakt, situata ka qenë më pak e tensionuar para njoftimit”. Në të kaluarën ka pasur të shtëna me mortaja, por sipas tij, “vetëm se kurrë nuk kanë shënjestruar civilët këtu”.
Një ditë më parë, në Zaytseve, një fshat rreth pesë kilometra nga perëndimi, që gjendet në periferi të qytetit Horlikva që kontrollohet nga separatistët, ushtarët ishin në humor të mirë.
“Moti është i mirë, ka më pak baltë tani, djemtë janë në humor të mirë”, tha një ushtar me emrin Oleksiy, i cili, sikurse ushtarët e tjerë, prezantohen vetëm me emër, duke ndjekur rregullat ushtarake. “Por, po ne po bëhemi pak nervozë”.
“Ata duan të na trembin ose të na detyrojnë që ne të përgjigjemi”, tha një tjetër ushtar, që u prezantua me emrin Andriy. “Por, ne nuk do të reagojmë ndaj provokimeve të tyre sepse ata po përdorin popullatën civile, të pafajshme, si mburojë njerëzore. Nëse ne përgjigjemi, ne mund t’i godasim ata [civilët]. Nëse ata duan që të në frikësojnë, ne do të ishim frikësuar shumë kohë më parë”.
Ai ishte i kujdesshëm ndaj qëllimeve të Moskës dhe tha: “Putini nuk është personi që bën koncesione. Ai nuk do mbajë asnjë fjalë të dhënë. Nuk mund t’i besoni atij”.
Të shkosh deri te pozicionet e ushtarëve nënkupton që duhet të ecësh nëpër rrugët me baltë të fshatit, ku shumica e shtëpive janë të braktisura dhe janë shembur. Një pjesë e banorëve ende jetojnë në këtë fshat, përfshirë edhe Oleksandr, 59 vjeç, minator në pension, që tashmë jeton me pensionin e tij dhe me paratë që fiton nga ferma e tij e madhe e kafshëve. Edhe ai u prezantua vetëm me emër.
Dy ditë më parë, të paktën shtatë predha mortajash ose granata ranë në një oborr fqinj, diçka që, sipas Oleksandrit, nuk kishte ndodhur që një kohë të gjatë, të paktën që nga viti 2018. Ankesa e tij më e madhe ishte se sërish kishte ndërprerje të energjisë elektrike.
“Tani nuk ka energji elektrike, dhe askush nuk po bënë asgjë për këtë punë. Ne, banorët lokalë, kemi shikuar që ta gjejmë problemin, por nuk mund të bëjmë asgjë”, tha ai. “Askush nuk po vjen që të na ndihmojë”, shtoi ai.
I pyetur për mundësinë që trupat ruse të kalojnë përtej vijës së kontrollit, ose të arrijnë deri në Zaytseve, ai u përgjigj: “Si mund të di për trupat ruse, kur unë nuk kam as rrymë? Pse do të duhet të mendoj për trupat ruse?”.
Katër shtëpi më tutje, një tjetër minator në pension, Ihor, 60 vjeç, tha se kur granatat ranë gjatë natës, një fqinj i tij u bllokua në shtëpinë e tij. Ihor tha se shkoi ta shikonte sesi ishte, pasi dëgjoi se po kërkonte ndihmë. Ai arriti që ta nxjerrë fqinjin përmes një dere të dëmtuar. Fqinji nuk u lëndua, por u frikësua aq shumë, saqë u largua nga ky fshat dhe shkoi të jetonte me familjarët e tij në një vend tjetër.
Ihor po ashtu u ankua për mungesën e energjisë elektrike. “Ndërprerjet po ndodhin gjatë gjithë kohës dhe askush nuk bën asgjë për këtë punë”, tha ai, por shtoi se nuk mund të zhvendoset askund tjetër, edhe nëse tanket ruse vijnë.
“Ku të shkoj? Kjo është gjithçka që unë kam”, tha ai, duke bërë me gisht drejt një ndërtese dykatëshe me tulla, me dritare të mbuluara me plastikë dhe një kotec të vogël pulash në oborr.
SHIKONI EDHE: ‘Panik, panik total’: Rrëfimet e banorëve që po largohen nga LuhanskuI pyetur për deklaratat e Putinit, ai bëri një paralele me deklaratat e Qeverisë në Kiev të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskiy: vendimet politike merren larg nga përditshmëria e jetës së fshatit.
“Unë jam një njeri i thjesht. Ata mund të vendosin vetë se çfarë duan të bëjnë. Pse duhet ata që të shqetësohen me ne?”, tha ai.