Disa ditë më parë, separatistët e mbështetur nga Rusia, të cilët kontrollojnë dy rajonet në lindje të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, kanë bërë të ditura për evakuime të banorëve, duke nxitur konfuzion dhe frikë.
“Ka rënë shi i madh gjithë mbrëmjen”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë një banore në qytetin e Donjeckut, e cila ka kërkuar të identifikohet vetëm si Larisa, duke komentuar ngjarjet e katër ditëve më parë.
“Të gjithë na kanë telefonuar, duke na pyetur nëse po largohemi apo çfarë po bëjmë. Natyrisht, askush nuk do të lëvizte në atë shi, natën vonë, vetëm në bazë të një njoftimi”.
Ajo ka thënë se ata që janë larguar kanë qenë kryesisht persona që janë mobilizuar përmes vendeve të punës, apo ata që varen nga subvencionet sociale.
“Miqtë e mi më kanë telefonuar në panik” ka thënë një tjetër banor i Donjeckut, në një mesazh dërguar Radios Evropa e Lirë.
“Mirëpo ata frikësohen që të largohen. Televizioni ka shfaqur vazhdimisht pamjet si po evakuohen fëmijët nga strehimoret… do të ishte e tmerrshme nëse fëmijët do të vuanin për shkak të këtyre evakuimeve”.
Vëzhguesit e të drejtave të njeriut kanë akuzuar separatistët për shfrytëzim të jetimëve për qëllime të propagandës.
Një banor në Horlivka, qytet i vogël në veri të Donjeckut dhe afër linjës së frontit, që ndan territorin e kontrolluar nga separatistët nga territori i kontrolluar nga forcat ukrainase, ka thënë më 18 shkurt se “gjithçka duket se është e qetë”.
“Askush nuk po planifikon të largohet”, ka shtuar ai.
Një tjetër banor i Donjeckut ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ai ka dalë në qendër të qytetit për të parë autobusët duke u mbushur.
“Mirëpo policia nuk më ka lënë të afrohem”, ka thënë ai.
Urdhrat për evakuime kanë ardhur në kohën e rritjes së tensioneve në rajon, pasi Rusia ka mbledhur më shumë se 130,000 trupa afër kufirit me Ukrainën dhe në Gadishullin e pushtuar të Krimesë.
Presidenti rus, Vladimir Putin ka nënshkruar të hënën, 21 shkurt, dekretin për njohjen e pavarësisë së rajoneve ukrainase, Donjeck dhe Luhansk, të cilat kontrollohen pjesërisht nga separatistët e mbështetur nga Moska. Ai po ashtu ka urdhëruar trupat ruse që të dërgohen në rajonet e kontrolluara nga separatistët në lindje të Ukrainës.
Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja kanë paralajmëruar se një pushtim i plotë i Rusisë mund të ndodhë çdo moment.
Ndërkohë janë rritur incidentet me granata në zonën e kontaktit mes ushtrisë ukrainase dhe pjesëve të kontrolluara nga separatistët në Donbas, pas një periudhe pothuajse krejtësisht të qetë.
Më 19 shkurt, ushtria ukrainase ka njoftuar për viktimën e parë pas 37 ditësh.
Pavarësisht pretendimeve të pabazuara nga Rusia dhe separatistët, Ukraina mohon planet për nisje të operacioneve ushtarake në këtë zonë.
Kievi dhe liderët e Perëndimit kanë akuzuar Moskën dhe separatistët, që mbështet kjo e fundit, se po synojnë të fabrikojnë një pretekst për nisje të ofensivës.
Një burokat i klasit të mesëm në administratën separatiste në Donjeck, i cili ka kërkuar të mos identifikohet, ka pasur fjalë të ashpra sesi lideri separatist i mbështetur nga Rusia, Denis Pushilin, e ka menaxhuar njoftimin për evakuim.
“Pushilin ka bërë të ditur për evakuimin kur veçse është errësuar”, ka thënë ai për Radion Evropa e Lirë.
“Kush do të largohej natën, pa burra, por me fëmijë të vegjël dhe persona të moshuar në autobusë të panjohur, të cilët janë nisur drejt Rusisë, pa ndonjë informacion dhe pa shenja të ndonjë problemi?”
Sipas zyrtarëve rusë, më 20 shkurt, më shumë se 30,000 persona kanë kaluar kufirin ukrainas drejt Rusisë, me autobusë dhe trena.
Disa të evakuuar që kanë folur për Radion Evropa e Lirë në rajonin Rostov, i cili gjendet në kufi me rajonet e kontrolluara nga separatistët në Ukrainë, kanë thënë se janë joshur për t’u larguar, pasi presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pagesë prej 130 dollarësh për secilën shkuarje në Rusi.
Kjo shumë është e barabartë me një rrogë mujore të një infermiereje në rajonet e kontrolluara nga separatistët në Ukrainë.
Disa rrjete sociale me bazë në rajonet e kontrolluara nga separatistët janë mbushur me komente nga publiku konfuz.
“Pse nuk po flasin televizionet lokale për evakuimin”, ka thënë një përdorues.
“Nga t’ia mbajmë? Ku po na dërgojnë?”
“Do të bëhet sikur më 2014”, ka shkruar një tjetër.
“Ata do të na dërgojnë në kampe me tenda. Mirëpo të paktën atëherë ka qenë verë. Tani është dimër. Nuk i duhemi askujt. Unë nuk largohem”.
“Nëna ime nuk mund të ecë”, ka shkruar një person i tretë.
“Njerku im është i vjetër dhe mbesa ime është foshnjë. Ku t’i dërgoj ata?”
Të tjerë kanë thënë se shtëpitë dhe pronat e personave që janë larguar pas luftimeve intensive më 2014, janë plaçkitur apo janë konfiskuar për shkak të braktisjes.
Këto shqetësime janë rritur nga urdhrat e separatistëve, të cilët kanë specifikuar se makinat dhe pronat tjera private mund të kërkohen, nëse konsiderohen të nevojshme.
“Nëse largohemi tani, ata do të na marrin banesat”, ka shkruar një përdorues. “Jo, faleminderit”.
Një mësuese në Dontesk, e cila ka kërkuar të identifikohet vetëm si Tatyana, ka thënë se nuk është frikësuar aspak deri në njoftimin për evakuim”.
“Pas fjalimit të Pushilinit ata kanë aktivizuar sirenat ajrore dhe njerëzit kanë nisur të vrapojnë poshtë e lart dritares sime”, ka thënë ajo.
“Dyqanet janë boshatisur. Nuk kam parë diçka të tillë në shtatë vjetët e fundit”.