Banorët e Banjskës: "Jemi të tmerruar, të na tregojë dikush se çfarë ka ndodhur"

Your browser doesn’t support HTML5

Shenjat e dyluftimeve në Banjskë

Fshati Banjskë i Zveçanit, në veri të Kosovës, është hapur në mesditën e së mërkurës, ka raportuar ekipi i Radios Evropa e Lirë (REL) në terren.

Më 24 shtator, afër manastirit të Banjskës ka ndodhur një përleshje e armatosur mes Policisë së Kosovës dhe një grupi të armatosur.

Për pasojë janë vrarë një zyrtar i Policisë së Kosovës dhe tre sulmues. Kosova e konsideron këtë sulm si terrorist.

Zveçani dhe tri komuna tjera në veri janë të banuara me shumicë serbe.

Në mesditën e së mërkurës, ekipi i REL-it ka vërejtur se fshati është i zbrazët dhe njerëzit kryesisht janë të mbyllur nëpër shtëpi.

Kështu dukej një rrugë në fshatin Banjskë.

Vetëm ekipe të gazetarëve dhe zyrtarët policorë shihen nëpër rrugë.

Rrugës për në fshat shihen vetëm pjesëtarë të njësive speciale të Policisë së Kosovës.

Ekipi i Radios Evropa e Lirë ka arritur të flasë me disa banorë.

Ata kanë shprehur frikë dhe kanë thënë se nuk e dinë çfarë ka ndodhur.

"Jemi të tmerruar, kemi nevojë që dikush të na tregojë se çfarë ka ndodhur", ka thënë një banore e nacionalitetit serb në Banjskë, duke iu referuar zhvillime të së dielës në atë fshat.

Sipas saj, situata e së dielës ka qenë më e rëndë sesa e luftës.

“Në errësirën e parë kemi hyrë në shtëpi”, ka thënë ajo për REL-in.

Një tjetër banor i zonës thotë se të shtënat, në natën mes së shtunës dhe të dielës, e kanë zgjuar atë dhe familjen e tij nga gjumi.
"Ka pasur buçima nga të gjitha anët", tha ai për REL-in.
"Nuk e kemi pasur idenë se çfarë po ndodhte. Vetëm kam pritur kur dikush do të na hyjë në shtëpi. Ishte e tmerrshme".

Ekipet e mediave në Banjskë.

Elshani: Policia nuk synoi vrasjen e 30 personave

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Veriut, Veton Elshani, u ka thënë mediave, pas hapjes së fshatit, se rreziku nuk ka kaluar ende dhe hetimet nuk do të përfundojnë edhe një kohë të gjatë.

“Është interesant edhe për ne ta dimë se pse është zgjedhur ky fshat dhe cili ka qenë qëllimi i këtyre njerëzve të armatosur. Është një fshat i qetë, një fshat i mirë, një fshat turistik. Njerëzit janë shumë të mirë, shumë të qetë. Ndoshta puna e kufirit, sepse logjistika ka pasur mundësi të vijë nga ana e shtetit serb atje”, ka thënë Elshani para mediave.

Një oficer i Policisë së Kosovës duke përshëndetur një fëmijë në fshatin Banjskë, të mërkurën më 27 shtator 2023.

Ai ka thënë se Policia vlerëson se ka bërë “kontroll goxha të mirë edhe rreth malit”, ndonëse e ka përmendur rrezikun e përhapjes së mjeteve të paeksploduara, sepse Elshani ka thënë se autoritetet kanë gjetur shumë të tilla.

Sipas tij, Policia e Kosovës nuk e ka pasur qëllim vrasjen e 30 personave.

“Nuk e kemi pasur qëllim vrasjen e asnjë njeriu. Qëllimi ynë ka qenë marrja e territorit tonë, lirimi i këtij territorit prej grupeve kriminale që nuk është dashur të jenë këtu. Dhe nëse gjatë atij procesi ka pasur të lënduar, apo viktima, ajo është pjesë e procesit”.

SHIKONI EDHE: Hovenier: Grupi i armatosur në veri ishte i trajnuar dhe i organizuar

Autoritetet e Kosovës kanë thënë se nënkryetari i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë - Millan Radoiçiq i ka organizuar sulmet dhe ka qenë pjesë e tyre.

Ato madje e kanë publikuar një pamje me dronë, dhe aty pretendohet se shihet Radoiçiq i armatosur, në mesin e një grupi burrash, po ashtu me armë në duar dhe të veshur me uniforma.

Në Serbi, ministri i Jashtëm, Ivica Daçiq ka thënë se shihet qartë që video-incizimi nuk është i ditës së sulmeve në veri të Kosovës.

“Nuk e kam atë informacion nëse ai [Radoiçiq] është në video-material apo jo, nuk e di”, ka thënë ai për Radiotelevizionin e Serbisë.

SHIKONI EDHE: Daçiq “nuk e di” nëse Radoiçiq është në videon që nxori Sveçla

Sulmet ndaj Policisë së Kosovës janë dënuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian dhe është bërë thirrje për përballjen e fajtorëve me drejtësi.