Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Kroacia si dhe anëtari kroat dhe ai boshnjak i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, kanë dënuar vendimin e presidentit rus, Vladimir Putin, që të njohë si entitete të pavarura dy rajonet lindore të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, që kontrollohen nga separatistët e mbështetur nga Moska.
Por, një gjë të tillë nuk e kanë bërë Serbia dhe lideri i serbëve të Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik.
Your browser doesn’t support HTML5
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se mbështet pavarësinë dhe sovranitetin e Ukrainës, shtet që ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.
Gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës më 22 shkurt, Kurti tha se Kosova do të jetë "përherë e bashkërenduar me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n".
Rusia për muaj me radhë ka grumbulluar dhjetëra-mijëra forca në kufijtë e Ukrainës, duke ngritur alarmin në Perëndim se po përgatitet ta pushtojë këtë shtet.
Në fund të dhjetorit, nga Ministria e Mbrojtjes së Kosovës, thanë për Radion Evropa e Lirë se Kosova ka shprehur gatishmërinë që komponentët e caktuar të Forcës së Sigurisë së Kosovës t’i vendosë në dispozicion të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në rast se kjo i kërkohet për ndonjë mision.
Shqipëria – shtet anëtar i NATO-s – pas vendimit të 21 shkurtit të presidentit Putin, tha se qëndron në mbështetje të Ukrainës.
“Shqipëria është e bashkuar me partnerët dhe aleatët në mbështetje të Ukrainës”, tha ministrja për Evropë dhe Punë të Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka përmes një postimi në Twitter.
Ndërkaq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, shprehu mbështetjen për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe bëri thirrje që mosmarrëveshjet të zgjidhen përmes dialogut.
“Dënoj vendimin e Rusisë për të njohur Donjeckun dhe Luhanskin si ‘Republika Popullore’ të vetëshpallura. Një akt i tillë paraqet sulm të drejtpërdrejtë ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës dhe shkelje të marrëveshjeve të Minskut dhe vendimeve të Këshillit të OKB-së të vitit 2015. Së bashku me aleatët e NATO-s, ne bëjmë thirrje për një zgjidhje diplomatike të konfliktit”, shkroi ai në rrjetin social Twitter.
SHIKONI EDHE: Arsyet ruse për njohjen e separatistëve në UkrainëLideri maqedonas përmendi Marrëveshjen e Minksut, e cila është arritur më 2015 dhe e cila ka synim dhënien fund të konfliktit në lindje të Ukrainës. Në këtë zonë, që prej pranverës së vitit 2014, forcat ukrainase po luftojnë me separatistët e mbështetur nga Rusia – konflikt që ua ka marrë jetën mbi 13,200 personave.
Njohjen e dy rajoneve ukrainase e kanë dënuar edhe liderët në Mal të Zi. Presidenti i këtij shteti, Millo Gjukanoviq tha se vendimi i Rusisë është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.
Ndërkaq, lideri i Lëvizjes Qytetare URA, Dritan Abazoviq, kërkoi që NATO së bashku me partnerët në Bashkimin Evropian, të zgjidhin këtë krizë.
Në mbështetje të Ukrainës doli edhe shteti i Kroacisë. Kryeministri i këtij shteti, Adrej Pllenkoviq tha se “bashkë me partnerët e BE-së, ne shprehim solidaritetin tonë me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyi dhe popullin ukrainas”.
Por, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se do ta dënonte njohjen e pavarësisë së rajoneve separatiste në lindje të Ukrainë nga Rusia, kur presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy të “dënojë bombardimet e NATO-s ndaj Serbisë në vitin 1999”.
"Serbia gjithmonë ka mbështetur integritetin e Ukrainës dhe nuk ka pasur ndryshime”, tha Vuçiq për Pink TV gjatë vizitës në Monako.
Ndërkaq, lideri i serbëve të Bosnje e Hercegovicës, Millorad Dodik, ka thënë se ky shtet duhet të qëndrojë neutral ndaj zhvillimeve në Ukrainë. Për dallim nga ai, dy anëtarët e tjerë të Presidencës, Zhelko Komshiq dhe Shefik Xhaferoviq kanë dënuar ashpër njohjen e Donjeckut dhe Luhanskut.
SHIKONI EDHE: Dodik: Bosnja duhet të qëndrojë krejtësisht neutrale ndaj zhvillimeve në UkrainëShtetet në mbarë botën demokratike kanë dënuar veprimin e Putinit dhe kanë thënë se do të vendosin sanksione të ashpra. Gjermania dhe Britania veçse kanë prezantuar sanksionet e para ndaj Moskës dhe personave që minojnë sovranitetin e Ukrainës.