Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut, Shaqir Fetahu, nuk u është bashkëngjitur besimtarëve myslimanë në faljen e namazit të Kurban Bajramit, për shkak se ka rezultuar pozitiv në testin për koronavirus.
Në funksion të respektimit të rekomandimeve për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, falja e namazit të Kurban Bajramit në Maqedoninë e Veriut është bërë me një numër të vogël të besimtarëve brenda në xhami, të cilat janë dezinfektuar paraprakisht, por besimtarët i kanë shfrytëzuar kryesisht ambientet e hapura, gjegjësisht oborret e xhamive, duke e shkurtuar edhe kohën e faljes në 10 minuta.
Për shak të koronavirusit, Bashkësia Fetare Islame e ka anuluar organizimin e manifestimit qendror tradicional të namazit të Kurban Bajramit.
Fetahu i ka uruar besimtarët myslimanë përmes rrjeteve sociale, duke iu bërë apel që të jenë të kujdesshëm dhe t’iu përmbahen rekomandimeve të organeve kompetente.
“Me lutjet tona t’i drejtohemi të madhit Zot, që me mëshirën e tij të lëshojë ndihmën e vet të pakufishme, që ta tejkalojmë sprovën e madhe, të rrezikshme për njerëzimin - sëmundjen COVID-19 [që e shkakton koronavirusi] - dhe njëherësh t’i lutemi që t’i shërojë të gjithë të sëmurët kudo në vend dhe anembanë botës, ndërsa viktimat që humbën jetën, t’i përfshijë në mëshirën e vet të pakufishme. Vazhdoni të jeni në shërbim të tejkalimit të kësaj pandemie, sepse angazhimi i madh i yni në këtë sferë do të jetë shërbim ndaj të madhit Zot”, ka theksuar në mesazhin e tij drejtuar besimtarëve myslimanë kreu i Bashkësisë Fetare Islame, Shaqir Fetahu.
SHIKONI EDHE: Rritje e masave kundër COVID-19 në Ballkan dhe EvropëMyftiu i Shkupit, Qenan Ismaili, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se edhe kundrejt respektimit të rekomandimeve të autoriteteve shëndetësore, kryetari i Bashkësisë Fetare Islame është infektuar gjatë vizitës te një familje për ngushëllime.
“Këtë periudhën e fundit, ai i ka pasur shumë nën kontroll kontaktet, duke respektuar rekomandimet, kështu që vetëm kryetari ka dalë pozitiv dhe jo edhe të punësuarit tjerë në këtë institucion”, ka thënë Ismaili, duke i porositur besimtarët se "edhe më shumë do ta lartësojnë këtë festë, nëse u përmbahen rekomandimeve nga institucionet shëndetësore për ta parandaluar përhapjen e koronavirusit".
“Bashkësia Fetare Islame i fton të gjithë besimtarët, të cilët kanë nijet të therin kurban [kafshë], ta bëjnë këtë në thertore profesionale, duke marrë parasysh pandeminë dhe pasojat që mund të jenë nëse kjo bëhet në ambiente shtëpiake”, ka thënë Ismaili.
Në Kosovë është ndaluar falja e Kurban Bajramit në xhami:
Musa Musai, sociolog, thotë se pandemia e koronavirusit e ka imponuar distancën fizike, por, sipas tij, ajo në asnjë mënyrë “nuk duhet të shndërrohet në distancë shpirtërore kur janë në pyetje lidhjet familjare dhe ato miqësore”.
“Ndjenjat dhe emocionet e besimtarëve, kur në pyetje është sakrifica që kjo festë bart me vete, do të jenë të unifikuara, do të jenë brenda një kohezioni të fuqishëm social, duke i mbajtur lidhjet shpirtërore të gjalla, të forta me njëri-tjetrin...”, thotë Musai.