Vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ato të Bashkimit Evropian po vendosin masa shtesë kundër përhapjes së koronavirusit të ri.
Në Kosovë, pas shtimit të numrit të vdekjeve dhe rasteve të reja të të infektuarve, qeveria miratoi një sërë masash me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit. Ndër to është edhe rikthimi i masës së kufizimit të lëvizjes në disa qytete ku ka më së shumti raste të infektimeve.
Të dielën, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës njoftoi se ka regjistruar nëntë të vdekur dhe 152 raste të reja me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi. Me këto shifra, numri i të vdekurve në Kosovë nga koronavirusi arrin në 75.
Në Serbi, nënkryetari i Komunës së Beogradit, Goran Vesiq, deklaroi se Ushtria serbe do të fillojë vendosjen e shtretërve në një sallë sportive, e cila do të jetë e destinuar për pacientët me COVID-19. Ky spital i improvizuar do të ketë kapacitet prej 500 shtretërish dhe në këtë mënyrë autoritetet synojnë të lehtësojnë kapacitetet e spitaleve të tjera.
Mali i Zi njoftoi të hënën se janë regjistruar edhe 61 raste me koronavirusin e ri, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të infektuarve në 781. Ky vend aktualisht ka 452 raste aktive me sëmundjen COVID-19.
Greqi ka mbyllur kufijtë për qytetarët e Serbisë. Në njoftimin që i është dërguar ambasadës serbe në Athinë, nga ana e autoriteteve greke, thuhet se do të lejohen vetëm udhëtimet e domosdoshme përmes një lejeje të veçantë. Lajmin e bëri të ditur ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq.
"I paralajmërojmë qytetarët të mos shkojnë në Greqi", i tha Daçiq agjencisë Tanjug.
Ai shtoi se shtetasit serbë, që janë aktualisht në Greqi si turistë, do të jenë në gjendje të qëndrojnë atje, deri në fund të aranzhmanit dhe pas kësaj të kthehen në Serbi.
Qeveria e Greqisë ka thënë se po monitoron nga afër situatën e pandemisë në Bashkimin Evropian dhe kudo në botë. Numri i personave të infektuar dhe që po vdesin nga pasojat e koronavirusit, ka filluar të rritet në Serbi. Në të dhënat e fundit të publikuara të dielën, autoritetet serbe thanë se janë regjistruar edhe 325 raste të reja me koronavirus.
Zhvillimet në Evropë pasojnë trendin e rritjes së numrit të të infektuarve në tërë botën. Spanja ka vendosur masa të izolimit në rajonin veriperëndimor të Lugos. Masat vlejnë për rreth 70,000 njerëz. Masa të njëjta u vendosën edhe në Kataloni.
Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, bëri thirrje për qetësi pasi, siç tha, "zbulimi i hershëm i këtyre shpërthimeve tregon se sistemi shëndetësor është shumë më i përgatitur sesa në muajin mars”.
Video: Shumë shtete përfshihen nga koronavirusi dhe uria
Irlanda njoftoi se do të shtyjë heqjen e masës së vetizolimit për njerëzit që vijnë nga jashtë. Data e re e vendosur nga autoritetet është 20 korriku, gati dy javë më vonë se sa ishte planifikuar.
Në Republikën Çeke, ministri i Shëndetësisë, Adam Vojtech, tha se një rritje e numrit të të infektuarve në një rajon të minierave të qymyrit është nën kontroll. Ndërmarrja shtetërore e minierave të qymyrit OKD javën e kaluar mbylli minierat e saj në Republikën Çeke, pas një rritje të rasteve në mesin minatorëve dhe kontakteve të tyre të ngushta. Pas rritjes së numrit të rasteve me koronavirus, disa vendeve tjera të Bashkimit Evropian e larguan Çekinë nga lista e vendeve të sigurta.
SHBA: Spitalet po mbingarkohen
Në Shtetet e Bashkuara disa shtete po paralajmërojnë se sistemet e tyre spitalore janë duke u mbingarkuar nga rritja e rasteve me koronavirus. Rritja e numrit të rasteve në të gjithë vendin ka bërë që disa shtete të kthejnë masat e izolimit apo të pezullojnë planet për rihapjen e ekonomisë. Këto vende përfshijë Kaliforninë, Teksasin dhe Floridan.
Në Teksas, i cili shënoi një numër rekord prej 8,258 raste të të infektuarve brenda një periudhe 24-orëshe gjatë fundjavës, drejtuesit e qyteteve më të mëdha të shtetit, Austin dhe Hjuston, po i bëjnë thirrje guvernatorit të fuqizojë qeveritë lokale për të lëshuar urdhrat e qëndrimin në shtëpi për banorët.
Në Hjuston, ku gjendet numri më i madh i spitaleve dhe laboratorëve hulumtues, kapacitetet janë mbushur.
Kryetari i Hjustonit, Sylvester Turner, i tha CBS-së se sistemi spitalor mund të përballet me "probleme serioze" në dy javët e ardhshme.
Kryetari i Bashkisë së Majamit, Francis Suarez tha se zyrtarët shëndetësorë po monitorojnë nga afër gjendjen në spitale dhe numrin e vdekjeve, duke paralajmëruar vendosjen e masave të rrepta.
Më shumë se 11 milionë njerëz në mbarë botën dihet se janë infektuar me koronavirus që nga fillimi i pandemisë, sipas një raporti nga Universiteti Johns Hopkins. Më shumë se 531,000 njerëz kanë vdekur.