Kandidati për kryeministër i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti shpreson në ndihmën e Shteteve të Bashkuara, që të kapërcej 'trandjen' që mund të ketë shkaktuar vendimi për hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem.
Kryeministri në detyrë, Hoti, i cili ka qenë pjesë e dy qeverive të rrëzuara të dala nga legjislatura e fundit e kuvendit, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, thotë se vaksina e Pfizerit kundër COVID-19 do të vijë gjatë muajit shkurt.
Në këtë intervistë, Hoti thotë se asnjë qeveri nuk mund të tërhiqet nga Marrëveshja e Uashingtonit. Ai flet edhe për koalicionet e mundshme, duke thënë se në parim, LDK-ja nuk ka vija të kuqe për asnjë pari.
Hoti po ashtu premtoi depolitizim të stafit të misioneve diplomatike të Kosovës dhe zgjerim të rrjetit diplomatik, ndërkaq dialogun e Brukselit konsideron se LDK-ja e “ka strukturuar”.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Hoti, LDK-ja ishte pjesë e dy qeverive në legjislaturën e kaluar, që të dyja u rrëzuan. Të parën e rrëzuat ju me mocion mosbesimi, të dytën Gjykata Kushtetuese. Pse duhet besuar sërish LDK-ja në këto zgjedhje, pse duhet votuar?
Avdullah Hoti: Sepse e ka programin më të mirë, sepse historikisht (LDK-ja) i ka vendosur interesat e shtetit të Kosovës dhe interesat e qytetarëve, përpara interesave partiake. Nëse i shihni të dy qeveritë paraprake, përpara neve, në mënyrën se si jemi sjellë njëherë në opozitë dhe pastaj në qeverinë paraprake, do ta shihni që njëherë janë interesat shtetërore që i kemi vendosur përpara.
SHIKONI EDHE: Pritjet e qytetarëve: Punësim e investime në shëndetësiKoalicionet e mundshme
Radio Evropa e Lirë: Çfarë opsionesh kanë mbetur për LDK-në? Sigurisht që ju garoni për partinë tuaj, jo për të tjerat, por a e konsideroni sërish ndonjë koalicion eventual me Lëvizjen Vetëvendosje, me të cilën e kishit lidhur besën në zgjedhjet e kaluara?
Avdullah Hoti: Tash, jemi duke punuar që ne të dalim të parët në këto zgjedhje dhe kemi shanse shumë të mira që ne të dalim të parët, e pas saj duhet konsideruar pastaj cilat janë opsionet për të formuar qeverinë e re dhe institucionet e reja.
Radio Evropa e Lirë: Do të thotë në këtë fazë nuk përjashtoni asnjë mundësi që mund të jeni pjesë e ndonjë koalicioni më të gjerë?
Avdullah Hoti: Në parim, ne nuk kemi vija të kuqe. Punën që po bëjmë është që ne të komunikojmë me qytetarë, me biznese, me të gjitha kategoritë, grupet e qytetarëve, që të marrim besimin e tyre për të dalë të parët në këto zgjedhje. Dhe pastaj, do të ulemi me të gjithë spektrin politik që të arrijmë dakordimet e nevojshme, mbi bazat programore gjithmonë, për të formuar institucionet e vendit.
Zgjedhjet 2021
- Intervista me kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër, Avdullah Hoti.
- Këtu mund ta ndiqni intervistën me kandidatin e Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Enver Hoxhaj.
- Radio Evropa e Lirë ka kërkuar intervistë edhe nga kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti, por nga kjo parti kanë thënë se "për shkak të intensitetit të lartë të fushatës zgjedhore", intervista nuk mund të realizohet.
Radio Evropa e Lirë: Thatë që LDK-ja ofron alternativën më të mirë për shtetndërtim, për mirëqenie ekonomike. Po, cilat janë pikat kryesore që ju bëjnë juve me të veçantë sesa të tjerët?
Avdullah Hoti: Besoj që kësaj radhe është pak më ndryshe, krahasuar me zgjedhjet e kaluara, kur ke pasur ndoshta alternativa të ndryshme. Kësaj radhe, LDK-ja është alternativa e vetme qeverisëse në vend sepse asnjëri nga kandidatët e tjerë, nga partitë e tjera, nuk i keni dëgjuar duke prezantuar program për arsim, se si do të reformohet arsimi, çfarë do të bëhet me shëndetësinë, si do t’i qasemi politikës së jashtme, si do t’i qasemi procesit të dialogut, si do të merremi me problemet ekonomike dhe sociale që i ka shkaktuar pandemia. Nuk keni dëgjuar prej kandidatëve të tjerë. Ndërkohë që ne, përpara se të hyjmë në fushatë, gjashtë ditë radhazi kemi organizuar prezantime veç e veç për secilën prej këtyre fushave dhe i kemi treguar alternativat, opsionet, politikat tona para qytetarëve.
Vaksinat e Pfizerit "vijnë gjatë shkurtit"
Radio Evropa e Lirë: Meqenëse jeni ende kryeministër në detyrë, pse nuk erdhi ende vaksina për koronavirus? Patët paralajmëruar së bashku me ministrin në detyrë, Armend Zemaj se do të vijë në muajin shkurt. Ku jemi në këtë proces?
Avdullah Hoti: Kështu janë planet tona, pritjet tona që sasitë e para të vijën gjatë muajit shkurt, në bazë të negociatave që kemi bërë me kompaninë Pfizer dhe presim mandej në mars, në prill eventualisht, të marrim atë 20% siç e marrin edhe vendet e Ballkanit Perëndimor. Kemi përgatitur planin, strategjinë e imunizimit, ku janë të përcaktuara kategoritë, grupmoshat, individët që do të vaksinohen sipas prioriteteve. Dhe ashtu si vijnë sasitë e vaksinave, ashtu shpërndahen në të gjithë Kosovën. Janë përcaktuar lokacionet dhe detajet e tjera. Do të shkojmë në fakt deri me ditë, me emër dhe mbiemër, kur do të vaksinohet, sipas listës së prioritetit.
Radio Evropa e Lirë: Pra, po thoni se keni marrëveshje me Pfizerin dhe se vaksinat do të vijnë gjatë këtij muaji?
Avdullah Hoti: Kështu janë pritjet tona, në bazë të vendimeve që kemi marr dhe negociatave që kemi bërë me kompaninë.
Gabim në server
Ka një problem në server. Ekipi ynë po merret me të. Ju kërkojmë ndjesë!
Ju lutemi përdoreni opsionin e kërkimit për të parë nëse gjendet diku tjetër në web
Radio Evropa e Lirë: A keni shqetësim për vaksinën tjetër, atë të Oxford-it, e cila megjithatë duket se nuk e ka efektin çfarë duhet të ketë te mosha 65 plus?
Avdullah Hoti: Ne po mundohemi t’i ndjekim të njëjtat protokolle që i ndjekë Bashkimi Evropian, Komisioni Evropian dhe organizatat relevante, sa i përket përcaktimit se cilën prej vaksinave e përdorim.
Radio Evropa e Lirë: Në tubimet e LDK-së, por edhe të partive të tjera, shihet që masat kundër COVID-19, të cilat janë miratuar nga qeveria e juaj, nuk po respektohen. Çfarë mesazhi po u dërgohet qytetarëve?
Avdullah Hoti: Të them të drejtën, unë personalisht po mundohem në maksimum me ekipin tim, që të kërkoj respektimin e masave, por ka situata nganjëherë që ato masa nuk po mund të respektohen. Po bëj thirrje që së paku të vendosen maskat, të mbahet distancë, por nganjëherë po është e pamundur që të ndalohen qytetarët që të vijnë në tubime.
Your browser doesn’t support HTML5
Radio Evropa e Lirë: A duhet të evitohen tubimet brenda, sidomos ato brenda, po flasim edhe për ato jashtë ku po shohim turma njerëzish që po grumbullohen bashkë, e pasojat ndoshta mund t’i shohim pas këtyre zgjedhjeve megjithatë?!
Avdullah Hoti: Është e rëndësishme që të jemi të kujdesshëm, është e rëndësishme që të jemi të kujdesshëm dhe unë po bëj thirrje vazhdimisht që të jemi të kujdesshëm në këtë drejtim.
"Katër miliardë euro investime"
Radio Evropa e Lirë: Keni premtuar miliarda investime gjatë mandatit katërvjeçar. Duke marr parasysh faktin që Kosova, si e gjithë bota, u përball me pandeminë, është në regres, realisht. A mund të thoni se në çfarë baze po premtohen të gjitha këto?
Avdullah Hoti: Ne kemi premtuar, është plan i miratuar për investime publike për katër vjetët e ardhshme në vlerë prej katër miliardë euro, prej të cilave rreth një miliard janë projekte të planifikuara vetëm nga Marrëveshja e Uashingtonit. Janë rreth 700 milionë për projekte që nisin, që janë të miratuara në parim nga Komisioni Evropian, projekti në energji, në rrjetin e internetit ‘Broadband’ që e lidh Kosovën me vendet e tjera, disa projekte të ujërave të zeza në komuna të ndryshme.
SHIKONI EDHE: Mosbesim ndaj premtimeve zgjedhoreNdërkaq, me Marrëveshjen e Uashingtonit është hekurudha, është autostrada, gazi që vjen nga Shkupi në Prishtinë dhe disa projekte në sektorë të tjerë. Pjesa tjetër është prej buxhetit publik dhe prej borxhit publik është komplet e planifikuar dhe është plotësisht e realizueshme. Dhe e kemi një burim të financimit me procesin e privatizimit, ne e kemi në plan që të përmbyllim procesin e privatizimit me një valë të vetme, duke u organizuar ashtu që të kemi një ankand të vetëm, ku i listojmë të gjitha asetet që janë në menaxhim të AKP-së dhe t’i privatizojmë me një raund të vetëm. Mandej, ato mjete futen në ekonomi, në investime të ndryshme kapitale.
"E kemi strukturuar dialogun"
Radio Evropa e Lirë: Ju e rinisët procesin e dialogut në korrik të vitit të kaluar, proces i cili kishte stagnuar për një kohë të gjatë. Por, siç duket, në proces e sipër megjithatë stagnoi ose të paktën kjo është përshtypja sepse nuk kishte më takime të nivelit të lartë, u arsyetua edhe me pandeminë, por megjithatë grupet teknike u takuan. Çfarë është qasja e LDK-së? A ka ndryshuar diçka në qasjen tuaj lidhur me dialogun e Brukselit?
SHIKONI EDHE: Lajçak nuk pret marrëveshje të shpejtë mes Kosovës dhe SerbisëAvdullah Hoti: Jo sepse e kemi strukturuar jashtëzakonisht mirë procesin e dialogut dhe unë besoj që kjo është qeveria e vetme, në disa qeveri të kaluara, që e ka strukturuar mirë këtë proces të dialogut. Në qeveritë e mëparshme ju e dini se janë arritur marrëveshje parciale për fusha të caktuara, që janë arritur në Bruksel, me negociata. Dha mandej, dy qeveritë paraprake, njëra nxori një ligj anti-kushtetues, që u shpall anti-kushtetues nga Gjykata Kushtetuese, Ligji për dialogun dhe në qeverinë përpara meje hezitonin ta konsideronin hyrjen në procesin e dialogut.
Atë çfarë kemi bërë ne që në ditën e parë është dizajnimi i procesit mbi parime të qarta: që ne negociojmë një marrëveshje përfundimtare që duhet të përfshijë njohjen reciproke, nuk diskutojmë për çështje të integritetit territorial të vendit edhe nuk diskutohet, nuk preket karakteri unitar i shtetit të Kosovës. Mbi këto parime kemi filluar procesin e dialogut dhe kemi arritur rezultate. Tash letra që erdhi nga presidenti (i Shteteve të Bashkuara, Joe) Biden, që iu dërgua Serbisë, besoj e ka rikonfirmuar që ne kemi pasur plotësisht të drejtë për këto parime të procesit të dialogut të cilat i kemi vendosur.
SHIKONI EDHE: Administrata e Bidenit mbështet dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE-jaRadio Evropa e Lirë: A mund të imponohen këto parime edhe te ndërmjetësuesi i dialogut, te Bashkimi Evropian sepse aty nuk kemi pasur një qartësi të tillë. Thuhet normalizim ndërmjet dy vendeve, por jo dhe njohje reciproke.
Avdullah Hoti: Jo që janë imponuar, por mbi këto baza ka filluar procesi i dialogut. Vetëm mbi këto baza ka filluar procesi i dialogut, jo ndryshe. Kur e kemi filluar në fillim të korrikut të vitit të kaluar me Samitin e Parisit, nëse ju kujtohet, ne kemi dakorduar këto parime për të cilat fola dhe mandej ka filluar procesi i dialogut.
"Kosova e ka marrë përsipër zbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit"
Radio Evropa e Lirë: I jeni referuar shpesh Marrëveshjes së Uashingtonit si historike. A mendoni se edhe me administratën e re, e gjithë marrëveshja pikë për pikë do të zbatohet dhe në qoftë se ju nuk jeni pjesë e qeverisë së ardhshme, a besoni se Kosova do ta marrë përsipër që ta zbatojë këtë marrëveshje?
Avdullah Hoti: Kosova e ka marrë përsipër zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Nuk diskutohet ajo çështje sepse është marrëveshje historike. Pas nënshkrimit të pavarësisë, pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, janë dy marrëveshje të rëndësishme, të dyja i ka realizuar qeveria e udhëhequr nga Lidhja Demokratike.
Të parën e ka realizuar kryeministri (Isa) Mustafa, Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, që është marrëveshja e parë kontraktuale e shtetit të Kosovës me Bashkimin Evropian, që e trason qartë rrugën për integrim evropian të Kosovës. Dhe është e dyta, kjo Marrëveshja e Uashingtonit (e nënshkruar) më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, që e fuqizon sovranitetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare duke siguruar një njohje të re, duke filluar investime madhore infrastrukturore në sektorin publik, të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe marrëveshja që ka derivuar prej kësaj të Uashingtonit për insentivat në investime, ku tregu amerikan, i kapitalit në Amerikë, hapet plotësisht për firmat e Kosovës për të ngritur financim nga ato tregje.
SHIKONI EDHE: Marrëveshja SHBA - Kosovë krijon vende puneËshtë marrëveshje historike që s’mund ta kontestojë askush. Administrata e re e SHBA-së ka rikonfirmuar, Sekretari i Shtetit (Antony Blinken) e ka mbështetur plotësisht këtë marrëveshje dhe unë do ta realizoj pikë për pikë në katër vjetët e ardhshme.
Radio Evropa e Lirë: Para pak ditësh u lidhën marrëdhëniet diplomatike me Izraelin, që ishte pjesë e Marrëveshjes së Uashingtonit. Kishte shqetësime sa i përket hapjes së ambasadës në Jerusalem. A mendoni se Kosova mund t’i kanalizojë pakënaqësitë brenda BE-së, por edhe vendeve islamike lidhur me këtë vendim?
Avdullah Hoti: Realisht, ne nuk e kemi atë fuqi që të ndikojmë në kanalizimin e qëndrimeve të tyre, siç po e thoni ju, por...
Radio Evropa e Lirë: Po mendoj për raporte personale të Kosovës me shtetet e tjera, të cilat e kanë këtë shqetësim.
Avdullah Hoti: Unë jam angazhuar dhe angazhohem çdo ditë, që së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë, t’i harmonizojmë politikat e jashtme. Dhe unë besoj që, SHBA-ja në veçanti, do të na ndihmojë në këtë drejtim që të mos shkaktojë kurrfarë trandje kjo në politikën e jashtme të Kosovës. Ne kemi nevojë për njohje në të katër anët e botës, pa përjashtim, dhe njohja nga Izraeli është thyerje e bllokadës tri vjeçare të njohjeve të reja. Është një njohje që mund të karakterizohet si e veçantë prej njohjeve të tjera dhe i ka hapur rrugën procesit të njohjeve të tjera dhe të cilat pres që do të vijnë së shpejti në bazë të diskutimeve dhe bashkëpunimeve që kemi vendosur me disa prej shteteve, sigurisht me ndihmën e SHBA-së.
SHIKONI EDHE: Liga Arabe dënon vendimin e Kosovës për hapjen e ambasadës në JerusalemDiplomacia "në rishikim"
Radio Evropa e Lirë: Ju ishit gjashtë muaj kryeministër, por gjatë kësaj periudhe, shumica e misioneve diplomatike të Kosovës në botë, flasim për shtetet me peshë më të madhe, sërish mbeten pa udhëheqës, pa shefa të misioneve. Dhe në planin e brendshëm, po ashtu edhe AKI-ja mbeti pa drejtor dhe nuk arritët që të zgjidhni këtë, që të emëroni drejtorin e ri. Çfarë ndodhi, pse nuk arritët që t’i realizoni këto?
SHIKONI EDHE: Zgjedhjet lënë në hije politikën e brendshme dhe të jashtmeAvdullah Hoti: Në diplomaci ne i kemi hyrë procesit të rishikimit komplet të stafit diplomatik sepse në bazë të vlerësimeve të para, ne po vërejmë që shpërndarja e stafit tonë diplomatik nëpër ambasada, nuk është në përputhje me nevojat që i ka shteti i Kosovës. Ka ambasada që janë të stërngarkuara, ka ambasada që kanë mungesë të stafit. Ka vende që përpos ambasadave kanë të shpërndara edhe konsullata të ndryshme, që nuk është që shërbejnë shumë në rritjen e bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe atyre vendeve. Dhe ajo çfarë po bëjmë tash është që ta ristrukturojmë komplet stafin tonë diplomatik, ta rishpërndajmë nëpër misionet tona diplomatike në bazë të nevojave që ka shteti i Kosovës, të sigurohemi që njerëzit të shpërndahen nëpër këto misione mbi bazat e meritës, profesionalizmit sepse ka njerëz nëpër ambasada që nuk e flasin një gjuhë të huaj ta zëmë, ose nuk e flasin gjuhën e huaj të vendit ku kanë shkuar.
Përtej kësaj, ne dëshirojmë që ambasadat tona tash t’i plotësojmë me atashe ekonomikë, për të nxitur investime në Kosovë dhe eksportin e mallrave tona atje. Dëshirojmë t’i plotësojmë me atashe kulturorë, në mënyrë që të promovojmë kulturën e Kosovës në ato vende. T’i shpërndajmë ambasadat në vende më të largëta që mund të kenë efekt nëpër vendet e tjera jonjohëse. Pra, e kemi një strategji të qartë kah duhet të shkojmë, prandaj na ka marr kohë sigurisht, disa muaj dhe pastaj ndodhën këto proceset të cilat na pamundësuan që të marrim vendimet lidhur me stafin diplomatik.
Ndërkaq, te këto institucionet e brendshme, unë kam marr vendime në përputhje me kompetencat e mija kushtetuese si kryeministër. Jemi në proces të përzgjedhjes, në disa prej institucioneve kemi avancuar, në të tjerat tash duhet të presim, sigurisht institucionet e reja, që t’i përmbyllim ato.
Radio Evropa e Lirë: E përmenda Agjencinë Kosovare të Inteligjencës për faktin e peshës që ka dhe për sensitivitetin e saj. Megjithatë, në ligj përcaktohet qartë se duhej të ishte brenda 20 ditëve, por kjo nuk u arrit. Pse nuk ndodhi kjo? A kishte me të vërtetë bisedë serioze me u.d të presidentit për të emëruar dikë adekuat në këtë pozitë?
Avdullah Hoti: Po sigurisht, kemi pasur komunikime dhe takime për këtë. Nuk kemi arritur të dakordohemi. Por, ajo çfarë është më rëndësi është që AKI-ja është duke funksionuar normalisht sepse është zëvendësdrejtori në AKI që e kryen këtë detyrë në mungesë të drejtorit. Asgjë nuk është duke mbetur prapa si rezultat i mosemërimit të drejtorit. Agjencia po funksionin normalisht. Unë pres që në qeverinë e ardhshme, me presidentin e ri, të dakordohem shpejt për drejtorin e ri të AKI-së.
Herët të flitet për çështjen e presidentit
Radio Evropa e Lirë: Meqenëse këto zgjedhje, pos qeverisë, do të thotë legjislatura e ardhshme do të duhet të zgjedhë edhe presidentin e ri të vendit. A ka LDK-ja strategji për këtë ose le të themi a keni ndonjë emër tuajin të përveçëm se kush duhet të udhëheqë shtetin dhe a jeni të gatshëm për konsensus mbarëkombëtar që vendi të zgjedhë presidentin në afatin ligjor dhe kushtetues, pra në maj të këtij viti?
Avdullah Hoti: Është herët të flitet për këtë, është pak herët të flitet për këtë. Të presim rezultatin e zgjedhjeve. Ne garojmë për të krijuar shumicën e nevojshme parlamentare në kuvend, për të udhëhequr me qeverinë e vendit, por është më se e qartë se ne duhet tash të krijojmë një shumicë, të paktën të 80 deputetëve në kuvend, për të zgjedhur edhe presidentin. Por, është herët të flitet edhe emra konkretë apo koalicione të mundshme.
Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, është një nevojë urgjente për Kosovën që presidenti të zgjidhet brenda afatit kushtetues dhe që Kosova të evitojë një krizë të paprecedent kushtetuese. A jeni të gatshëm, që me çdo kusht të jeni pjesë e një konsensusi mbarëkombëtar?
Avdullah Hoti: Ne do të angazhohemi maksimalisht që të themelojmë institucionet e reja menjëherë pas zgjedhjeve dhe kemi qenë gjithmonë konstruktiv dhe të kujdesshëm në këtë drejtim.