IS merr përgjegjësinë për sulmin terrorist në Vjenë

Your browser doesn’t support HTML5

I dyshuari për sulmin në Vjenë, i panjohur në fshatin Çellopek

Grupi militant, Shteti Islamik mori përgjegjësinë për sulmin e së hënës në Vjenë, ku u vranë katër civilë dhe u plagosën 22 të tjerë.

Policia austriake vrau sulmuesin e dyshuar, që e identifikuan si Kujtim Fejzullai, 20 vjeç, me shtetësi të Austrisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Në qendër të Vjenës, sulmuesi i dyshuar ka shtënë në drejtim të qytetarëve, të cilët ishin dalë në bare dhe restorante. Të shtënat, sipas autoritetet, ndodhën në gjashtë lokalitete në kryeqytetin austriak.

Në deklaratën e grupit militant IS, të publikuar nga agjencia e tij e lajmeve Amaq, nuk janë ofruar të dhëna për marrjen e përgjegjësisë, transmeton Reuters.

Deklarata është shoqëruar me një fotografi të një burri me emër "Abu Dagnah Al-Albany", duke thënë se ai ka sulmuar turmat e njerëzve në qendër të Vjenës të hënën, para se të vritej nga policia austriake.

Lidhur me sulmin në Vjenë, autoritetet maqedonase konfirmuan të martën se edhe dy shtetas të tjerë maqedonas kanë qenë të përfshirë.

Kjo është shtëpia e familjes Fejzullai, në fshatin Çellopek të Tetovës. Autoritetet austriake thanë se Kujtim Fejzullai, 20 vjeç, është sulmuesi që vrau 4 persona në Vjenë.

Ministri i Brendshëm austriak, Karl Nehammer tha se 14 persona janë arrestuar në lidhje me sulmin në Vjenë.

Ai shtoi se pas bastisjes së shtëpisë së sulmuesit të dyshuar - tashmë të vrarë - janë kryer edhe 18 bastisje.

Ndërkaq, në Zvicër, policia njoftoi se dy shtetas të saj, të moshës 18 dhe 24 vjeç janë arrestuar në afërsi të Cyrihut, duke shtuar se “shkalla e lidhjes ndërmjet këtyre dy personave dhe sulmuesit të dyshuar, tash për tash është subjekt i hetimit”.

Ministri i Brendshëm austriak tha se bazuar nga të dhënat, nuk ka indikacione se edhe një sulmues i dytë ka qenë i përfshirë në sulmin në Vjenë.

Ai po ashtu shtoi se sulmuesi i dyshuar, dukej se ishte integruar në shoqërinë austriake, por në fakt ishte e kundërta.

Your browser doesn’t support HTML5

Austriakët të tronditur nga sulmi në Vjenë

Sipas Nehammer, "ai arriti të mashtronte njerëzit brenda programit të derakalizimit dhe përmes kësaj të lirohej nga burgu".

Dy shtetas të Maqedonisë së Veriut, të lidhur me sulmin në Vjenë

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka bërë të ditur se përveç Kujtim Fejzullait edhe dy persona të tjerë, shtetas të Maqedonisë së Veriut kanë qenë të përfshirë në sulmin e ditës së hënë në Vjenë.

“Nga lista e policisë austriake, e cila iu dorëzua disa policive, përfshirë edhe policisë sonë, konstatuam se edhe dy persona tjerë, përveç austriakut, gjithashtu kanë shtetësinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, përkatësisht K.F. (i lindur në Modling, Austri), A.G. (i lindur në St. Polten, Austri) dhe U.A. (i lindur në Vjenë, Austri). Sektori për Bashkëpunim Policor Ndërkombëtar në Ministrinë e Brendshme u vu menjëherë në dispozicion të kolegëve nga Austria dhe ne po bashkëpunojmë intensivisht me të gjithë elementët që lidhen me këtë rast”, thuhet në njoftimin me shkrim të MPB-së në Shkup.

Your browser doesn’t support HTML5

Vjena, një ditë pas sulmeve terroriste

Kjo ministri gjithashtu njoftoi për një bisedë telefonike mes kryeministrit Zoran Zaev me kancelarin austriak, Sebastian Kurz.

“Kryeministri austriak i shprehu mirënjohje kryeministrit Zaev për solidaritetin dhe mbështetjen e shprehur. Kryeministrat shprehën gatishmërinë për të vazhduar komunikimin dhe bashkëpunimin në lidhje me sulmin terrorist nëse shërbimet austriake përcaktojnë një nevojë të tillë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Ministria е Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka thënë për Radion Evropa e Lirë se “është në kontakt të vazhdueshme me autoritetet e Austrisë për verifikimin e identitetit të sulmuesit, por edhe për lidhjet e tij të mundshme me persona të tjera. Policia austriake përmes INTERPOL-it ka paraqitur kërkesë për bashkëpunim për këtë rast dhe autoritetet tona menjëherë i janë përgjigjur kërkesës për veprim”.

Këto janë lokacionet ku kanë ndodhur të shtëna në Vjenë.

Sulmuesi, mbështetës i IS-it

Ministri Nehammer tha të martën në mëngjes se sulmuesi i vrarë në të kaluarën ka qenë i dënuar për përfshirje në një organizatë terroriste.

Ai tha se "terroristi i dyshuar" ishte dënuar në prill të vitit 2019, për shkak se kishte tentuar që të udhëtonte për në Siri me qëllim që t’i bashkohej grupit militant, Shteti Islamik. Ai ishte dënuar me 22 muaj burgim, por ishte liruar me kusht në dhjetorin e vitit të kaluar.

Ministri i Brendshëm i Austrisë, Karl Nehammer, e përshkroi sulmuesin e dyshuar, që u vra nga policia si një "terrorist islamik".

Duke folur në një konferencë për shtyp, ministri Nehammer tha se personi i armatosur rëndë – i vrarë nga policia –ishte një mbështetës i grupit militant, Shtetit Islamik (IS) dhe se shtëpia e tij ishte kontrolluar ku është sekuestruar video-material. Policia tha se ai kishte veshur një rrip shpërthyes të rremë.

Më herët gjatë ditës së martë, ministri Nehammer kishte deklaruar se 1,000 pjesëtarë të sigurisë ishin angazhuar në operacionet e kërkimit për sulmues të mundshëm, duke shtuar se edhe vendet fqinje kanë ofruar ndihmë në këtë drejtim.

Viktimat janë dy gra dhe dy burra. Njëra nga gratë thuhet se ishte kameriere. Gruaja e dytë vdiq nga plagët e saj në spital, thanë raportet.

Your browser doesn’t support HTML5

Të shtëna me armë zjarri në qendër të Vjenës

Viktimat ishin në një zonë të qendrës së qytetit të mbushur me njerëz në bare dhe restorante, afër sinagogës qendrore të Vjenës, por nuk është ende e qartë nëse ajo ishte shënjestra e sulmit.

Shtatë persona që janë plagosur, sipas mediave austriake, kanë marrë plagë të rrezikshme për jetë.

Në mesin e të plagosurve është edhe një polic, 28 vjeç, i cili sipas Ministrisë së Brendshme, është jashtë rrezikut për jetë.

Në sulmin terrorist në Vjenë është plagosur edhe një shtetase e Bosnje e Hercegovinës, konfirmoi për REL, ambasadori i këtij shteti në Austri, Kemal Kotariq.

Sipas tj, Ellma Musiq (1991), është duke u trajtuar në një klinikë në Vjenë.

Në mesin e viktimave është një grua nga Gjermania, ka konfirmuar ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas.

“Fatkeqësisht, kemi pranuar konfirmimin se një shtetase gjermane është në mesin e viktimave në Vjenë”, tha Maas.

Qeveria austriake ka shpallur tri ditë zie.

Kancelari austriak Sebastian Kurz e quajti atë një "sulm të neveritshëm terrorist".

Ai të martën tha se është i vetëdijshëm se kjo nuk është një "mosmarrëveshje midis të krishterëve dhe myslimanëve".

"Por ne gjithmonë duhet të jemi të vetëdijshëm se kjo nuk është një mosmarrëveshje midis të krishterëve dhe myslimanëve ose midis austriakëve dhe migrantëve. Kjo është një luftë midis shumë njerëzve që besojnë në paqe dhe atyre pak që duan luftë", tha Kurz.

Ndërkaq, gjatë një adresimi televiziv, Kurz u zotua se do të “kapim autorët dhe ata që qëndrojnë pas tyre”.

Liderët botërorë solidarizohen me Austrinë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump dënoi sulmin në Vjenë, duke thënë se akte të tilla "ndaj njerëzve të pafajshëm" duhet të ndalen.

"Lutjet tona janë me njerëzit në Vjenë pas edhe një akti të terrorizmit në Evropë. Këto sulme djallëzore kundër njerëzve të pafajshëm duhet të ndalen. SHBA-ja qëndron me Austrinë, Francën dhe me gjithë Evropën në luftën kundër terroristëve, përfshirë edhe terroristët radikalë islamikë", ka shkruar Trump në Twitter.

Kancelarja gjermane Angela Merkel, të martën tha se "terrori islamik është armiku ynë i përbashkët".

SHIKONI EDHE: Merkel: Lufta kundër terrorizmit është e përbashkët

"Lufta kundër këtyre vrasësve dhe atyre që i nxisin – është lufta jonë e përbashkët," shkroi zëdhënësi i Merkelit në Twitter, duke shtuar: "solidaritet" me Austrinë.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron tha se "Evropa është e bashkuar, dhe e vendosur. Ne jemi një".

Turqia ka dënuar sulmin në Vjenë, duke thënë se qëndron në solidaritet me popullin austriak.

"Ne jemi të pikëlluar me lajmin se ka të vdekur dhe të plagosur si rezultat i sulmit terrorist që ndodhi në Vjenë", tha ministria e Jashtme turke në një deklaratë.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu dënoi sulmin në Vjenë duke thënë se "Izraeli dënon sulmin brutal në Vjenë dhe qëndron në solidaritet total me Austrinë.

"Popujt e civilizuar kudo duhet të bashkohen për të mposhtur egërsinë e terrorizmit islamik të ringjallur", tha ai.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi përmes një postimi në Twitter tha se sulmi terrorist në Vjenë është sulm “ndaj vlerave që ne ndajmë”.

“Ky moment i vështirë do të na afrojë më shumë në luftën kundër terrozmit”, tha Thaçi, duke shtuar se Kosova qëndron përkrahë popullit dhe shtetit austriak.

Policia ka thënë se sulmi ka nisur në sinagogën Seitenstettengasse.

Dëshmitarët thanë se sulmi ndodhi teksa qytetarët ishin në bare e restorante, duke shijuar natën e fundit, para se Austria të nisë së zbatuari kufizimet e reja në lëvizje, me qëllim të frenimit të koronavirusit.

Për këtë arsye, shume njerëz janë parë në qendër të Vjenës, nëpër bare dhe restorante, të cilat do të mbyllen deri në fund të muajit nëntor.