Asociacioni, shkas për presion ndaj Kosovës

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak gjatë një konference për media në Prishtinë. Foto nga arkivi.

Vizita e përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, në Kosovë dhe më pas, siç është paralajmëruar edhe në Serbi, tregon interesimin e BE-së që të përshpejtojë dinamikën e dialogut ndërmjet dy vendeve, me përfshirjen më të fuqishme të saj, thonë njohësit e zhvillimeve politike, Donika Emini dhe Artan Muhaxhiri.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë paralajmëruar se vizita e Lajçakut në Prishtinë dhe Beograd, do të jetë për “zhbllokimin e çështjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

Nga zyra e BE-së në Prishtinë kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se Lajçak, gjatë vizitës së tij në Prishtinë, do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti si dhe me të gjithë liderët e tjerë politikë në Kosovë.

Sipas agjendës, Lajçak të martën do të takohet me kryeministrin Hoti dhe kryeparlamentaren Vjosa Osmani, ndërkaq të mërkurën do të takohet me presidentin, Hashim Thaçi dhe liderët e partive politike.

Përderisa Serbia këmbëngulë që çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe të jetë temë e negocimit në tavolinën e dialogut në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar disa herë që në dialogun e Brukselit nuk do të pranojë që negociojë për këtë çështje.

Këtë qëndrim kryeministri i Kosovës, Hoti e ka ripërsëritur edhe në seancën e së hënës në Kuvendin e Kosovës, ku ishte thirrur për interpelancë lidhur me procesin e dialogut në Bruksel.

“Lidhur me temën e Asociacionit, qëndrimi jonë është që kjo temë nuk hapet në dialog, pasi që ka një marrëveshje të vitit 2013 që është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës dhe përtej kësaj ekziston edhe Marrëveshja e parimeve për Asociacionin e vitit 2015, si dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Hoti.

SHIKONI EDHE: Dialogu Kosovë – Serbi në ‘respirator’

Kosova e (pa)fuqishme përballë presionit

Analistja Donika Emini, drejtoreshë ekzekutive të Platformës CiviKos, thotë për Radion Evropa e Lirë se përkundër dëshirës së BE-së që të përshpejtojë dinamikën e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kjo e fundit po e përdorë çështjen e Asociacionit për ta bllokuar procesin.

Nisur nga kjo, sipas saj, Lajçak ka paralajmëruar vizitën në Prishtinë dhe Beograd për t’iu bërë presion palëve, e në veçanti palës së Kosovës, e cila është fajësuar që nuk e ka zbatuar Marrëveshjen për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Siç thotë Emini, qëndrimi i kryeministrit Hoti për të mos diskutuar për çështjen e Asociacionit, është i çuditshëm për shkak se është dashur të parashihet që do të ketë presione për diskutimin e kësaj teme dhe të përgatitet një përgjigje e pranueshme edhe për BE-në. Sipas saj presioni nga BE-ja zakonisht bie mbi palën më të dobët, e që në këtë rast, siç thotë ajo, presioni do t’i bëhet Kosovës, siç edhe ka qenë zakonisht për shkak se nuk i ka rezistuar asnjëherë presionit ndërkombëtar.

SHIKONI EDHE: Asociacioni, “kushtëzimi i radhës” për vazhdimin e dialogut

“Ky qëndrim i zotit Hotit është problematik sepse po duket si strategji për të thënë që ‘e kemi refuzuar deri në fund, mirëpo nuk kishim fuqi politike për t’i thënë jo’ dhe së dyti, për faktin që nuk po e bën gati as opinion publik dhe as vet qeverinë për t’i hartuar dokumentet ose për të pasur një qasje më strategjike në negociata, nëse potencialisht hapet kjo çështje përsëri në Bruksel”, theksoi Emini.

Analisti Arton Muhaxhiri, duke folur për Radion Evropa e lirë, shpreh mendimin që vizita e Lajçakut në Prishtinë dhe Beograd, duhet të konsiderohet si një ofertë për të dy palët, që të bashkëpunojnë për gjetjen e një zgjidhjeje që do të çonte drejt marrëveshjes gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare.

Sipas tij, marrë parasysh paralajmërimet nga BE-ja se vizita e Lajçakut ka për qëllim “zhbllokimin e çështjes së Asociacionit”, sipas tij, mund të pritet që BE-ja t’i bëjë presion Kosovës në këtë drejtim. Megjithatë, siç thotë ai, presioni eventual ndaj palës së Kosovës, mund të bëhet vetëm mbi bazën e dokumenteve të nënshkruara në vitin 2013 nga ish-kryeministri Hashim Thaçi, aktualisht president i Kosovës, si dhe nga ish-kryeministri Isa Mustafa, në vitin 2015.

“Në atë kornizë të pritjeve dhe të garancive, të cilat i ka dhënë Kosova, mund t’i bëhet presion kryeministrit Hoti dhe institucioneve të Kosovës që t’i zbatojnë dhe realizojnë ato premtime të cilat i kanë bërë gjatë procesit të dialogut. Kjo mund të jetë çështja e vetme, për të cilën Lajçak dhe kolegët e tij nga BE-ja mund të bëjnë presion. Në asnjë mënyrë, unë nuk besoj që ndonjë politikan do të pranojë lëvizjen nga pikat, të cilat janë vendosur gjatë dialogut dhe nga marrëveshjet për dialogun, të cilat tashmë janë nënshkruar”, theksoi Muhaxhiri.

Asociacioni përtej marrëveshjes ekzistuese, kapitullim politik

Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur në dialogun Kosovë-Serbi.

Në vitin 2015, dy vendet, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kanë arritur edhe një marrëveshje shtesë për parimet e themelimit e këtij Asociacioni. Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se në 23 pika të marrëveshjes, parimet nuk janë në harmoni me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.

SHIKONI EDHE: BE: Asociacioni të krijohet në bazë të opinionit të Gjykatës Kushtetuese

Analistja Emini thotë që edhe në rast se do të ketë presion eventual ndaj Kosovës që të rishikohet Marrëveshja për Asociacionin, për ta modifikuar atë, pala e Kosovës nuk duhet të lëshojë pe ndaj atij presioni.

“Kushdo që e nënshkruan një dokument, e nënshkruan edhe kapitullimin e vet politik në Kosovë. Këtë duhet ta kenë të qartë. Ne, nëse kemi një pozitë dhe një qasje strategjike në dialog, normalisht që mund ta bëjmë shumë lehtë, si Kroacia, e cila i ka ofruar diçka të ngjashme me përmbajtjen e dokumentit të vitit 2015 dhe formimit të Asociacionit mbi atë se çka thotë Gjykata Kushtetuese në Kosovë. Çfarëdo përtej kësaj, do të jetë problematike”, theksoi Emini.

SHIKONI EDHE: Pse Asociacioni është problematik për Kosovën?

Presioni eventual i BE-së ndaj Kosovës lidhur me çështjen e Asociacionit, përtej dokumenteve të nënshkruara tashmë në dialogun në Bruksel, sipas analisti Muhaxhiri, nuk do të ishte i ndershëm dhe do t’i shkatërronte të gjitha parakushtet normale për një dialog.

“Nëse eventualisht BE-ja e ndërlidh zhbllokimin e dialogut me kalimin e kërkesave të Serbisë për rimodifikimin e Marrëveshjes për Asociacionin, atëherë Kosova, me automatizëm, do të duhej ta ndërpresë këtë dialog dhe të largohet sepse një kontekst i tillë është jashtëzakonisht i pafavorshëm dhe i pamoralshëm, si dhe është krejtësisht i padrejtë për Kosovën dhe për qytetarët e saj”, tha Muhaxhiri.

Ai shtoi se Kosova nuk e ka asnjë arsye të jetë pjesë e dialogut, në rast se Lajçak eventualisht favorizon vetëm kërkesat e Serbisë.

Vizita e Lajçakut në Kosovë dhe Serbi vjen menjëherë pas adresimit të tij, ditën e hënë në Luksemburg, për ministrat e Jashtëm të BE-së, për dialogun Kosovë-Serbi.

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka theksuar që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një proces kompleks, por ai ka shprehur bindjen se arritja e një marrëveshjeje finale është çështje muajsh, e jo vitesh.