Ekipi menaxhues për përgatitjen e draftit për statutin e Asociacionit apo Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, tashmë ka nisur punën dhe me 30 prill e ka pasur takimin e parë.
Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës thonë se përfaqësuesit e Ekipit menaxhues, i cili përbëhet nga përfaqësues të komunitetit serb që jetojnë në Kosovë, së shpejti do të thirren për konsulta nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, për të parë vijimësinë e punës lidhur me draftimin e statutit të Asociacionit.
Avni Arifi, koordinator i Qeverisë së Kosovës për dialogun me Serbinë, thotë për Radion Evropa e Lirë se ekzekutivi i vendit është i interesuar që drafitimi i statutit të Asociacionit të përfundojë brenda afatit prej 4 muajsh.
“Është një proces, i cili ka mbikëqyrje kryesisht ministrore - po flas për Ministrinë e Pushtetit Lokal. Për një kohë shumë të shkurtë do të fillojmë që të kërkojmë raporte se deri ku kanë arritur punimet. Qëllimi është që gjithçka të përmbyllet në një afat prej katër muajsh. Mirëpo, është një proces, i cili pastaj do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, dekreti me gjithë draftin e statutit të Asociacionit”, thotë Arifi.
Ditë më parë, nëpërmjet një komunikate për media, Ekipi menaxhues për draftimin e statutit të Asociacionit, kishte deklaruar se “në përputhje me kompetencat dhe mandatin e punës”, ky ekip “do të konsultohet me përfaqësuesit e OSBE-së, lidhur me punën e mëtejme, si dhe me instancat kompetente të institucioneve në Prishtinë”.
Arifi thekson se Qeveria e Kosovës është e gatshme që të ofrojë konsultat shtesë, por deri më tash, Ekipi menaxhues ende nuk ka kërkuar diçka të tillë.
“Është e paraparë që deri në hartim të draftit, në rast se kanë nevoja shtesë ose konsulta shtesë, atëherë Qeveria e Kosovës është e gatshme që të ofrojë konsulta shtesë, ekspertizë shtesë apo instruksione shtesë. Qëllimi është që ata të prodhojnë draftin e Asociacionit. Konsultat, nëse kërkohen, kjo bëhet përmes ministrit të Pushtetit Lokal. Nuk jam në dijeni për ndonjë konsultë apo për ndonjë kërkesë specifike që ka ardhur nga Ekipi menaxhues. Deri më sot, te ne nuk ka ardhur”, thekson Arifi.
Por, në anën tjetër, ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, Petar Miletiq, shprehet mosbesues se Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të mund të formohet ashtu siç ishte paramenduar në fillim.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai e cilëson formimin e Ekipit të ri menaxhues si farsë, sepse qasja për themelimin e Asociacionit, siç thotë ai, është e pasinqertë edhe nga Prishtina zyrtare, por edhe nga Beogradi zyrtar.
“Mendoj që të dy elitat politike, gjegjësisht qeveritë, dëshirojnë që nga ky rrëfim për Bashkësinë e komunave serbe dhe Marrëveshja e Brukselit, të dalin sa më pak të prekur dhe që sa më pak të kenë pikë negative përpara opinionit. Nuk pres rezultate pozitive. Të gjitha këto ne i kemi parë dhe përsëri do të vijmë deri te problemi i njëjtë, kompetencat për Bashkësinë”, thotë Miletiq.
Ai ka shtuar se serbët do të insistojnë që Asociacioni të ketë kompetenca që garantojnë se do të ketë edhe funksione ekzekutive për punët, me të cilat do të duhet të merrej. Ndërkaq, sipas tij, Qeveria e Kosovës këtë nuk do ta lejojë dhe në këtë pikë, siç thotë ai, procesi do të kthehet në pikën zero.
“Absolutisht, procesi është në zero. Sa i përket Bashkësisë, mendoj se është në zero dhe as që ka lëvizur ndonjëherë nga zeroja. Mendoj që do të përfundojë sërish në zero”, thekson Miletiq.
Sidoqoftë, Ekipi menaxhues për draftimin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ka deklaruar se do ta bazojë punën e tij vetëm mbi bazën e marrëveshjeve të arritura gjatë dialogut në Bruksel, ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, duke respektuar Kartën evropiane për vetëqeverisjen lokale, si dhe principet dhe vlerat tjera demokratike evropiane të kësaj fushe.