Qeveria e Maqedonisë i ka dhënë vizë propozim-ligjit për Agjencinë Teknike Operative, që ka të bëjë ndjekjen e telekomunikimeve, që është punuar nga grupi, i cili është i angazhuar në realizimin e në kuadër të drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim.
Reformat në ndjekjen e komunikimeve elektronike apo përgjimin e bisedave telefonike, të postave elektronike dhe të komunikimeve tjera të internetit, ishin apostrofuar dhe në raportin e grupit të ekspertëve të Bashkimit Evropian të kryesuar eksperti gjerman Rainhard Preibe, me qëllim që t’i hapet rrugë procesit të integrimeve.
Drejtuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme janë shprehur të bindur se pas formimit të Agjencisë Teknike Operative, i jepet fund keqpërdorimit të përgjimeve.
Drejtuesi i këtij institucioni do të zgjidhet nga Kuvendi me dy të tretat e votave.
Nga dikasteri i policisë, në një takim me gazetarë, kanë njoftuar se Agjencisë Teknike Operative do të raportojë për punën pranë një komisioni të posaçëm, që do të formohet në Kuvend.
Njëherësh, cilido anëtarë i komisionit të posaçëm, që do të veprojë në Kuvend pikërisht për të monitoruar punën e Agjencisë së re Teknike Operative, do të mund të kërkojë në çdo kohë pa paralajmëruar, të realizohet kontroll mbi këtë institucion.
Sipas paralajmërimeve, puna e Agjencisë së re Teknike Operative do të ndiqet dhe nga ekspertë të jashtëm, por pa precizuar formën.
Qebir Avziu, ligjërues i shkencave të sigurisë në Universitetin e Tetovës thotë se për dallim nga e kaluara, kur drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim ishte në masë të madhe e pakontrollueshme ndaj asaj se kë dhe kur e përgjonte, tani me formimin e shërbimit të ri Teknik Operativ, do të jetë nën mbikëqyrjen e Kuvendit, organizatave joqeveritare dhe Avokatit të Popullit, se kush do të përgjohet.
“Me parashikimin e këtyre mekanizmave, ligji mundëson që qytetarët të kenë liri dhe të drejta më të mëdha sa i përket ruajtjes së privatësisë së tyre”.
“Pra institucioni i ri që do të themelohet për ndjekjen e komunikimeve do të jetë i kufizuar në mundësinë e përgjimit të qytetarëve në mënyrë të pakontrolluar”.
“Por, ndryshimet e reja të ligjit në fjalë, sërish i japin mundësi që drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim, për disa vepra të caktuara që kanë të bëjnë me aktivitet kundër shtetit, të ketë mundësi të aplikojë masat për të përgjuar me karakter parandalues, siç mund të jetë rasti kur kemi të bëjmë me aktivitete terroriste”, thotë Qebir Avziu.
Ndryshe mendon ish-shefi i kontrollit të brendshëm, Voisav Zafirovski. Sipas tij,ndryshimet ligjore që propozohen nga ana e Qeverisë, sa i përket ndjekjes së telekomunikimeve, paraqesin vetëm ndërhyrje kozmetike, pa siguruar asnjë garanci se qytetarët edhe në të ardhmen nuk do të përgjohen në mënyrë të paligjshme.
Zafirovski thotë se pikërisht kompetencat që i lihen drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, krijohet mekanizëm që struktura të caktuara të pushtetit, nën pretekstin se bëhet fjalë për interesa të sigurisë të shtetit, të mund të përgjojnë.
“Pushteti aktual duhet të ofrojë zgjidhje afatgjate , zgjidhje ligjore për 30 apo 50 vitet ardhshme, zgjidhje ligjore e cila do të jetë funksionale pavarësisht se kush do të jetë në pushtet dhe kush do të jetë në opozitë”.
“Zgjidhja ligjore, e cila ofrohet në rastin konkret, nuk siguron më shumë garanci sesa kishim, dhe të cilat garanci pamë sesa lehtë mund të manipulohen në funksion të atyre që janë në pushtet”,thotë për Radion Evropa e Lirë, Voisav Zafirovski.
Ndryshimet ligjore, që kanë të bëjnë me sistemin e përgjimeve dhe punën e këtij institucioni, janë iniciuar pas krizës politike e cila për tre vite tronditi Maqedoninë, pikërisht pas aferës së përgjimeve, lideri i opozitës së atëhershme, Zoran Zaev aktualisht kryeministër i Maqedonisë në shkurt të 2015 publikoi të ashtuquajturat ‘bomba’, duke njoftuar se janë përgjuar në mënyrë të paligjshme nga strukturat e policisë sekrete mbi 20 mijë qytetarë, përfshirë këtu politikanë, afaristë, gazetarë etj.
Prokuroria Speciale ka nisur procedurë gjyqësore ndaj zyrtarëve të lartë të dikasterit të policisë, në rastet e koduar “Target” dhe “Fortesa”. Këto raste gjyqësore kanë të bëjnë me ndjekjen e autorëve të cilët kanë urdhëruar përgjimin në mënyrë ilegale në Maqedoni dhe shkatërrimin e pajisjeve për përgjim.