Prokuroria Speciale në Maqedoni kërkon që në kuadër të strategjisë për reforma në gjyqësor, të parashihet edhe mundësia që ky institucion të mund të vazhdojnë me ngritjen e padive ndaj personave që mund të kenë bërë vepra antiligjore, e që janë zbuluar nga afera e përgjimeve.
Mandati për ngritjen e padive këtij institucioni i ka skaduar më 30 qershor dhe tani mund të procedojë vetëm rastet e nisura para kësaj date. Qeveria për momentin ka miratuar kërkesën e Prokurorisë Special për dëshmitarët e mbrojtur, por që kjo kërkesë duhet të kalojë edhe në Kuvend.
“Shpresojmë se do të miratohen zgjidhje ligjore adekuate, para se gjithash për realizimin e qëllimit të paraparë me strategjinë për vazhdimin e punës pas skadimit të mandatit në vitin 2020. Këtu mendojmë për transformimin e kësaj prokurorie dhe bashkëngjitjen e saj Prokurorisë së Rregullt, por si institucion i mëvetësishëm që do të punonte për veprat në kompetencë të saj”, ka deklaruar kryeprokurorja speciale, Katica Janeva.
Ky institucioni deri më tani ka dhjetëra akuza kundër zyrtarëve të lartë, në mesin e të cilëve janë edhe ish-kryeministri, Nikolla Gruevski, ish-ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska, ish-ministri i Transportit, Mile Janakievski si dhe ndaj shumë ish-funksionarëve të tjerë të Qeverisë së kaluar. Të gjitha paditë e ngritura ndaj tyre bazohen në aferën e përgjimeve që tani janë pranuar edhe si prova nga bisedat e përgjuara telefonike.
“Derisa të ekzistojnë dëshmi për vepra penale që mund të jenë kryer, janë joreale pritjet se ne do të mbetemi të shurdhër dhe nuk do të ndërmarrim masa lidhur me shpërdorimet e mundshme nga afera e përgjimeve. Ne duhet të veprojmë dhe këtë do ta bëjmë”, thotë prokurori Lubomir Llape.
Por, nga VMRO-DPMNE-ja opozitare zyrtarët e së cilës janë paditur nga Prokuroria Speciale thonë se ky institucion punon nën diktatin e Qeverisë aktuale, apo kur ajo ishte në opozitë.
“Prokuroria Speciale punon në kundërshtim me ligjin. Katica Janeva dhe prokurorët e saj, të vetmen gjë që respektojnë janë urdhrat politike të juntës së Zoran Zaevit për përballje me të gjitha ata që nuk mendojnë njëjtë si ai. Me akuzat e fundit të ngritura ndaj ish-zyrtarëve, kjo prokurori dëshmoi se janë ekzekutues të verbër të dëshirave të Zoran Zaevit dhe LSDM-së, për të luftuar të gjitha ata që reagojnë apo kundërshtojnë politikat antishtetëror, që po janë në realizim e sipër”, ka deklaruar Darko Kostovski.
Por, njohësit e çështjeve juridike dhe të sigurisë, thonë se Prokuroria Speciale deri më tani punën e ka kryer në bazë të dispozitave ligjore dhe se institucionet duhet të gjejnë forma ligjore për të mos dështuar hetimet që kanë nisur, përfshirë edhe ato që u prezantuan të martën ndaj 13 zyrtarëve të tjerë.
“Prokuroria Speciale është treguar si institucion i përgjegjshëm, profesional dhe i pavarur. Ajo ka dëshmuar nevojën për reforma rrënjësore në sistemin aktual të drejtësisë. Vlerësoj se proceset që kjo prokurori ka nisur nuk duhet të dështojnë për shkak të skadimit të mandatit të saj, por ato duhet të shqyrtohet nga Prokuroria e Rregullt, apo nga vet prokurorët e Speciales nëse vendoset që mandati i saj të vazhduar në kuadër të Prokurorisë së Rregullt. I mbetet institucioneve të vendosin për këtë”, ka deklaruar Pavle Trajanov, ish-ministër i Punëve të Brendshme.
Prokuroria Speciale ishte formuar dy vite më parë me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, pas insistimit të opozitës së atëhershme, e cila nuk besonte në Prokurorinë e Rregullt se në mënyrë të pavarur do të hetoj aferën e përgjimeve prej nga dolën të dhëna mbi shpërdorimet e shumta që kishin bërë ish-zyrtarët e Qeverisë së kaluar.