Rrëfimet tona gjatë vitit 2022

Fotografi ilustruese.

Teksa po përmbyllim këtë vit, ne po ju risjellim disa prej shumë temave që kemi trajtuar gjatë vitit 2022. Në këtë artikull mund të gjeni tema të ndryshme, sikurse ato që kanë trajtuar çështjen e të pagjeturve, dhunën ndaj grave, e deri te pushtimi rus i Ukrainës.

Breza të zhdukur

“Më rrëqethet trupi sa herë që fillojnë gërmimet në ndonjë lokacion të dyshuar për varrezë masive”, tha Bajram Jahaj nga Suhareka, djali i të cilit, Naseri, është i zhdukur që nga muaji mars i vitit 1999.

Naseri ishte vetëm 13-vjeçar kur u zhduk dhe ai vazhdon të jetë në mesin e më shumë se 1.600 personave që ende konsiderohen të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.

Në këtë dokumentar të shkurtër, kemi sjellë edhe rrëfimin e Radmilla Shapiqit që ka pesë familjarë të zhdukur.

“Jetoj për atë që t’i gjej derisa unë jam gjallë, që t’i varros”, tha Radmilla.

Ndërkaq, Hasan Metushi, tha se ende shpreson që të mund të varrosë nënën e tij në Varrezat e Martirëve të Luftës në Reçak të Shtimes.

Varri i nënës së Hasanit në Reçak. Ai thotë se hapi varrin dhe kurdo që të gjenden eshtrat e saj, ajo do të varroset pranë familjarëve.

Sahidja, nëna e tij, u vra nga forcat serbe më 15 janar të vitit 1999. Por, trupi i pajetë i saj ende nuk është gjetur.

Në Varrezat e Martirëve të Luftës në fshatin Reçak të Komunës së Shtimes ka qenë i hapur një varr.

Aty, Hasan Metushi shpresonte se një ditë do të mund të varroste trupin e nënës së tij, Sahides.

“Besojmë që një ditë do të gjendet dhe ta afrojmë në mesin e tyre aty”, tha Hasani, duke treguar vendin e ndarë për varr.

  • KËTU mund të gjeni projektin e REL-it, “Shpresa e dhimbshme” dedikuar të pagjeturve

​Fytyrat e Reçakut

Në fshatin Reçak, më 15 janar të vitit 1999, forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë.

Memoriali dedikuar viktimave të Masakrës së Reçakut.

Radio Evropa e Lirë krijoi një hartë që tregon se kush janë viktimat, vendet ku u vranë ata dhe nëse dikush është dënuar për këto krime.

Babai i katër djemve të zhdukur refuzon ADN-në: “I pres të gjallë”

Halil Hasani, mban në duar fotografitë e katër djemve të tij, të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Halil Hasani, nga fshati Çabër i Zubin Potokut, tha se katër djemtë e tij u rrëmbyen nga forca serbe më 1999.

Atëbotë, djali i madh, Fadili, ka qenë 32 vjeç, Gazmendi 24 vjeç, Armendi 20 vjeç dhe Hasani 15 vjeç.

Ai ende shpreson se bijtë e tij janë ende gjallë diku në Serbi dhe se një ditë do të kthehen.

Kjo shpresë ka bërë që ai të refuzojë të japë mostra të gjakut, që do të ndihmonin identifikimin eventual të djemve të tij, përmes metodës së ADN-së – nëse ata gjenden në mesin e mbetjeve mortore në varrezat masive ose në morgun e Prishtinës.

Fotografitë e katër djemve të zhdukur në luftë të familjes Hasani.

“Sepse, nuk iu besoj. Sa për eshtra, kurrë mos i gjetsha. Unë mendoj se ka të gjallë ende dhe i pres të gjallë. Sa për eshtra, çfarë më duhen eshtrat e rrejshëm...”.

Tmerret e luftës në sytë e fëmijëve

Edisona Deliu, nga Komuna e Skenderajt, në shtator të vitit 1998, u plagos në kokë nga copëzat e granatës. Atëbotë ajo ishte 14-muajshe. Nga sulmi, ajo kishte mbetur e paralizuar për disa javë.

Edhe pas 24 vjetësh, ajo jeton me pasojat e plagëve të marra në luftë dhe ende ka probleme me lëvizjen e dorës së majtë.

Sot ajo bën thirrje për mbrojtjen e fëmijëve të përfshirë në luftëra e konflikte.

Rruga deri te viza

Një vizë çeke në një pasaport të Kosovës.

Gjatë këtij viti, Kosovës i është premtuar se do t’i liberalizohen vizat më së largu deri në janar të vitit 2024. Por, deri atëherë, qytetarët duhet të aplikojnë për vizë në zonën Schengen.

Radio Evropa e Lirë ka dokumentuar procesin e mbledhjes së dokumenteve dhe aplikimit për vizë – një proces që zgjat me muaj dhe kushton qindra euro.

Biletë pa kthim e të rinjve nga Kosova drejt Gjermanisë

Përderisa disa qytetarë të Kosovës mund t’iu drejtohen ambasadave të huaja në Prishtinë, për t’u pajisur me vizë turistike, në shkurt, Radio Evropa e Lirë takoi para Ambasadës gjermane të riun Erijon Shala, i cili po aplikonte për vizë pune.

Shala, 19 vjeç, nga Istogu, me profesion automekanik, tha se nuk mund të punojë më për 15 euro në ditë.

Erijon Shala.

“Për më shumë se tetë orë punë jam paguar 15 euro, atje [në Gjermani] do të paguhem 17 euro për orë”, tha Erijoni.

  • Lidhur me temën e ikjes së qytetarëve drejt shteteve të Bashkimit Evropian, lexoni edhe këtë artikull dhe mësoni më shumë se si BE-ja po përfiton falas nga “truri i Kosovës”

Tri diploma, por "e diskriminuar" në punë

Amanda Toska ka tri diploma universitare, por nuk ka gjetur punë në institucionet shtetërore.

Kjo 32-vjeçare nga Prishtina, që i takon komunitetit rom, tregoi për Radion Evropa e Lirë se ka aplikuar katër herë për pozita të ndryshme në institucione shtetërore të Kosovës, por pa sukses.

Amanda Toska

“Unë dyshoj se mospranimi në punë ka ndodhur për faktin se i përkas komunitetit rom, sepse unë gjithmonë kam aplikuar në pozita për të cilat jam e kualifikuar”, tha ajo.

Verifikimi i invaliditetit ua rrezikon pensionet

Radio Evropa e Lirë, përmes një artikulli të ndarë në dy pjesë, trajtoi vështirësitë me të cilat përballen personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë.

Një artikullin e parë u trajtua çështja e verifikimit të invaliditetit, pasi sipas një ligji të veçantë, personat e këtyre kategorie përfitojnë kompensim monetar. Verifikimin e invaliditetit e vlerëson një komision mjekësor, i caktuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.

Por, Ibrahim Hetemit nga Skenderaj tregoi për REL-in se për një kohë ishte futur në kategorinë e gabuar, por më 2019, Gjykata Themelore kishte vendosur që ai të futej në grupin e paraplegjikëve.

Kështu, atij i është paguar kompensimi prej 375 eurosh në mënyrë retroaktive.

Ibrahim Hetemi, përdorues i karrocës duke qëndruar në ballkonin e shtëpisë së tij.

Ndërkaq, në pjesën e dytë, të titulluar: “Të maltretuar e në borxhe”: Rruga drejt pensionit invalidor, sollëm detaje të tjera të procedurave deri te marrja e pensionit invalidor.

Sipas ligjit, paraplegjikë duhet t’i nënshtrohen rivlerësimit të statusit të invalidetit çdo pesë vjet, ndërkaq tetraplegjikët çdo tre vjet.

Milaim Zariqi nga fshati Baincë i Drenasit, babai i Sokolit 14-vjeçar - i cili vuan nga sëmundja distrofi muskulare dhe është pothuajse i palëvizshëm – tregoi se djali i tij kishte mbetur pa pension për pesë muaj, për shkak të procesit të rivlerësimit.

Sokol Zariqi, 14 vjeçar nga fshati Baincë i Drenasit.

Zariqi tregoi se është dashur të mbledhë një grumbull dokumentesh për të birin që dëshmojnë se pacienti ka specifika mjekësore që kërkojnë mbështetje financiare.

“Sa herë kam fjetur në rrugë”: Viktimat e dhunës pa strehë të sigurt

Fotografi ilustruese.

“Nuk ka pjesë të trupit, ku burri nuk më ka goditur... Sa herë jam alivanosur e jam përgjakur. Sa herë kam fjetur në rrugë, e jam ngritur në këmbë për shkak të djalit të vogël”.

Kështu e rrëfeu dhunën e ushtruar nga bashkëshorti i saj, një grua rreth të 40-tave nga një qytet i Kosovës.

Së bashku me djalin e saj, sot jeton në një banesë të vogël, por përjetimet e trishta të së shkuarës e ndjekin pas.

Kjo viktimë e dhunës në familje kishte qëndruar disa herë në strehimore. Kosova ka dhjetë strehimore për viktima të dhunës në familje dhe dhunës mbi bazë gjinore, për viktima të trafikimit me qenie njerëzore, si dhe për fëmijë të keqtrajtuar, të abuzuar, të lënë pas dore dhe pa përkujdesje familjare.

Megjithatë, në këto strehimore viktimat mund të qëndrojnë vetëm deri në gjashtë muaj.

Vuajtja e heshtur e grave pas lindjes

Your browser doesn’t support HTML5

Vuajtja e heshtur e grave pas lindjes

Shoqëria në Kosovë kryesisht neglizhon ndryshimet hormonale e emocionale, që mund të shkojnë deri te depresioni e ankthi, nëpër të cilat kalojnë nënat e reja. Në këtë episod të podkastit Libertas është diskutuar depresioni pas lindjes.

Në mungesë të trajtimit të mirëfilltë, depresioni pas lindjes te nënat e reja rëndohet edhe më shumë dhe pashmangshëm përcillet te të porsalindurit.

"Të lutem, lëre pas shuplakës së parë"

Raste të shumta të dhunës ndaj grave u raportuan gjatë vitit 2022. Disa përfunduan edhe me vrasje.

Your browser doesn’t support HTML5

"Të lutem, lëre pas shuplakës së parë"

Në njërin prej episodeve të podkastit Libertas, Radio Evropa e Lirë bisedoi me Mërgime Kajtazin, avokate nga Kosova me bazë në SHBA. Mërgimja ka qenë edhe vetë viktimë e dhunës së ushtruar nga ish-bashkëshorti i saj.

Ajo porositi që gratë të largohen nga partnerët e tyre “pas shuplakës së parë”.

  • KËTU mund të dëgjoni të gjitha episodet e podkastit Libertas të Radios Evropa e Lirë​

​Pse duhet të flasim për shëndetin mendor?

Your browser doesn’t support HTML5

Pse duhet të flasim për shëndetin mendor?

Në Kosovë nuk ka të dhëna të sakta se sa persona vuajnë nga çrregullimet e shëndetit mendor. Por, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, një në tetë njerëz vuan nga çrregullimet e shëndetit mendor.

Në këtë episod të podkastit Të flasim, është trajtuar tema e shëndetit mendor, duke kuptuar alternativat për të kërkuar ndihmë, ku duhet kërkuar ndihmë dhe cilat janë pasojat e shtypjes së çrregullimeve mendore.

Jeta plot dhimbje e Shkëlqimit pasi ia vranë motrën

Shkëlqim Pajazitaj

Për 12 vjet, në Kosovë janë vrarë 50 gra. Njëra ndër to ishte Donjeta Pajazitaj, e cila u vra nga një kushëri i saj në bjeshkët e Strellcit në Deçan.

Vëllai i saj, Shkëlqimi ka rrëfyer se si është të jetosh me dhimbje.

Donjeta Pajazitaj

“Zgjohem në mëngjes me atë mendimin se është ende e gjallë dhe zgjohem me atë mendimin se duhet të ngrihem e ta përcjell atë për ta dërguar deri në punë”, tha 29-vjeçari, i cili dhimbjen e ndan bashkë me vëllain dhe motrën e tij, Shkumbinin dhe Vonesën - të dy më të vegjël se ai.

  • KËTU mund të gjeni të përmbledhura të gjitha temat lidhur me dhunën ndaj grave

A ndihen gratë të sigurta në Kosovë?

“Nuk njoh ndonjë grua në Kosovë që nuk ka qenë pre e ndonjë ngacmimi, të paktën një herë në jetë”. Kështu tha Eurisa Rukovci, aktiviste nga Prishtina.

Your browser doesn’t support HTML5

A ndihen gratë të sigurta në Kosovë?

Në njërin prej episodeve të podkastit Të Flasim, kemi trajtuar temën se sa ndihen të sigurta gratë në Kosovë, duke treguar se si e mposhtin frikën dhe çfarë duhet të bëjnë.

  • KËTU mund t'i dëgjoni të gjitha episodet e podkastit Të flasim

“Nëse s'nënshkruan, të djegin makinën”: Rrëfimet e punëtorëve të dorëhequr nga institucionet e Kosovës

Viti 2022 u përshkua me tensione në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe. Në nëntor, përfaqësuesit e Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë – njoftuan se serbët në veri do të largoheshin në mënyrë kolektive nga institucionet e Kosovës.

Dorëheqjet u bënë në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës lidhur me zëvendësimin e targave të makinave nga ato ilegale – të lëshuara nga Serbia – në RKS, Republika e Kosovës.

Punëtorët e Gjykatës Themelore në Mitrovicë të Veriut pasi dhanë dorëheqje më 7 nëntor 2022.

Por, disa ish-punonjës serbë, treguan për Radion Evropa e Lirë se largimi nga puna nuk u bë në mënyrë vullnetare, por nën kërcënim.

“Ata të gjithë thonë ‘nuk e ke me detyrim’, por ti e di se detyrohesh. Nëse nuk nënshkruan, do të t’i vënë zjarrin makinës ose mund të të bëjnë çdo gjë”, tha njëra nga ish-punonjëset serbe.

Rrugëve të paligjshme nga Kosova në Serbi

Njëra prej rrugëve ilegale nga Kosova në Serbi.

Gjatë këtij viti, serbët lokalë në veri të Kosovës, bllokuan dy herë rrugët në veri.

Në dhjetor, dy rrugët që çojnë drejt pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë – u bllokuan dhe pikat kufitare u mbyllën.

Për shkak të mbylljes së pikave kufitare, qytetarët përdorën rrugë ilegale për të shkuar nga Kosova në Serbi dhe anasjelltas.

Radio Evropa e Lirë kaloi nëpër këto rrugë dhe dokumentoi këto rrugë ilegale.

Si u shndërrua Brezovica në skemë korrupsioni

Brezovica, që në vitet ’90 ishte një prej qendrave më atraktive të turizmit dimëror, tani është shndërruar në një prej aferave më të mëdha të korrupsionit që po heton Prokuroria e Kosovës.

Kundër 20 personave janë ngritur aktakuza për shkak të lëshimit të qindra ndërtimeve pa leje, për degradim të ambientit, dhënie e marrje të ryshfetit.

Ndërtimet e jashtëligjshme në Brezovicë

Nga viti 2013 deri në vitin 2022, në Brezovicë janë ndërtuar më shumë se 100 objekte në mënyrë të jashtëligjshme. Për ndërtimin e tyre, prokuroria ka thënë se janë dhënë më shumë se 2 milionë euro ryshfet.

Çfarë ka në 24 hektarët përreth Manastirit të Deçanit?

Objekti i ri i kompleksit "Iliria".

Që nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë, Manastiri i Deçanit po kërkon të marrë pronësinë e një sipërfaqeje prej rreth 24 hektarësh.

Kjo hapësirë, që gjendet përreth manastirit, në kadastër është e shënuar si pronë e dy ndërmarrjeve ​"Iliria" dhe "Apiko"​ - e para hotel dhe e dyta fabrikë mjalti.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës në maj të vitit 2016 kishte konfirmuar se 24 hektarët i takojnë Manastirit të Deçanit.

Radio Evropa e Lirë ka vizituar këtë hapësirë dhe ka dokumentuar se çfarë ndodhet në të: tokë bujqësore dhe pyll, dy objekte hotelierie, 10 objekte të vogla përcjellëse dhe objekti i një ndërmarrjeje që paraluftës njihej për prodhimin e mjaltit.

Fotografi në të cilën shihet sipërfaqja prej 24 hektarësh tokë që Manastiri i Deçanit dëshiron ta marrë nën pronësi.

Mbi 2.500 euro borxh për ilaçin që mungon në QKUK

Në tetor, Radio Evropa e Lirë raportoi se ilaçi i imunoterapisë Keytruda - Pembrolizumab, i cili shërben për trajtimin e disa llojeve të kancerëve, mungonte në Klinikën e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Fatura e ilaçit që Pjetër Zeqiri thotë se ka blerë në Turqi. Vlera në këtë faturë është 46625,9 lira turke, që i bie mbi 2.500 euro.

Pjetër Zeqiri, në të 60-tat, tregoi se këtë lloj ilaçi e përdor së paku një herë në muaj për trajtimin e kancerit në lëkurë.

“Sa kam hequr nëpër Turqi që ta gjej këtë ilaç. E kam blerë 2.565 euro”, tha ai.

Zeqiri tregoi se një dozë prej 200 miligramësh duhet vetëm për një përdorim.

“Më 24 të këtij muaji e kam sërish datën kur duhet ta marr dozën tjetër", tha ai.

"Nuk e di se si do t’ia bëj”, shtoi Zeqiri.

As sapunë e as çarçafë në disa klinika të QKUK-së

Në nëntor, Radio Evropa e Lirë vizitoi Klinikën e Kirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare dhe disa infermiere pranuan se ka mungesë edhe të gjërave elementare: sapunë e çarçafë.

Këto pacientët duhet t’i blejnë vetë, ose t’i marrin nga shtëpia.

“Kur kemi ardhur këtu, krevati ka qenë pa jastëk e pa mbulesë”, tha Lule Dragusha, e cila po kujdesej për nënën e saj të shtrirë në këtë klinikë. Ajo shtoi se i kanë sjellë nga shtëpia.

“Nuk e kemi ditur se si shkon kjo punë dhe i kemi sjellë”, tha ajo.

Papastërti në disa klinika të QKUK-së

Familja nga Kosova me kallëzim penal kundër spitalit "Zhan Mitrev"

Së paku nëntë familje kanë ngritur kallëzim penal ndaj spitalit privat të kardiokirurgjisë, "Zhan Mitrev", në Shkup të Maqedonisë së Veriut, pas vdekjes së të afërmve të tyre.

Sanija me djalin e saj, Edonin.

Njëra prej tyre ishte Sanije Gjakova, një grua nga Prishtina, të cilës i vdiq djali në këtë spital.

“Djalin e dërgova në spitalin 'Zhan Mitrev', në tetor të vitit të kaluar, në këmbë të veta. Aspak në gjendje kritike. Dhe, u desh ta marr në arkivol”, tha ajo për Radion Evropa e Lirë.

Prokuroria Publike e Maqedonisë së Veriut nisi hetimet kundër spitalit, nën dyshimet për trajtimin joadekuat të dhjetëra pacientëve që kanë vdekur, përfshirë disa të sëmurë me sëmundjen COVID-19.

Kush i kontrollon thikat në shkolla?

Më 2022, në shkollat e Kosovës janë regjistruar qindra incidente. Më shqetësues është fakti se blerja e një thike sulmuese në Kosovë mund të bëhet përmes rrjeteve sociale, sikurse Instagram,

Pjesë e bisedës që Ledioni thotë se ka bërë me një administrator të një faqeje në Instagram

Radio Evropa e Lirë ka biseduar me një qytetar nga Komuna e Skenderajt, i cili ka treguar se vëllai i tij, Ledioni, 12 vjeç, ka blerë thikë përmes një faqeje në Instagram.

Siç tha ai, vëllai i tij ka dashur të ketë thikë, “ashtu sikurse edhe shokët e tij”.

Djali i Besim Hysenit nga Prishtina, Rijadi, ishte 14 vjeç kur u vra pasi u ther me thikë në shkollën “Hilmi Rakovica”.

Hyseni tha se Rijadi ka qenë i qetë dhe se nuk ka pasur kurrë probleme me askënd. I rrënuar nga dhimbja, ai tha se ka vetëm një thirrje - që prindërit të jenë më të vëmendshëm ndaj fëmijëve të tyre.

“Të rrinë më shumë me ta, të flasin më shumë me ta... Le të flasin çdo ditë për atë që kanë bërë në shkollë, me kë kanë biseduar, a kanë pasur ndonjë problem, ku kanë qëndruar pas orarit të mësimit etj”, tha ai.

Jeta në burgje, e përcaktuar nga mosha

Të rinjtë në Qendrën Korrektuese për të Mitur.

Në qytetin e Lipjanit, gjendet një qendër ku qëndrojnë të burgosurit, që janë dënuar për veprat e kryera gjatë adoleshencës.

Në Qendrën Korrektuese për të Mitur jetojnë të rinj deri në moshën 23-vjeçare, që janë dënuar me burgim për kryerjen e veprave penale sa kanë qenë të mitur.

Dhomë në Qendrën Korrektuese për të Mitur.

Një 21- vjeçar tregoi se si jetohet në këtë qendër: në izolim, por me shumë shpresë për të ardhmen.

Te vreshtat e Syrrushes

Në rubrikën Femina – që u dedikohet grave – gjatë këtij viti kemi sjellë rrëfime të ndryshme inspriuese të grave, që punojnë në fusha të ndryshme.

Në këtë artikull kemi përzgjedhur një prej tyre, Brikena Gashin, e cila me profesion është piktore. Megjithatë, ajo e la artin më anash dhe iu përkushtua vreshtarisë.

Tash e dy vjet, 28-vjeçarja punon vreshtat e trashëguara nga familja në një fshat të Rahovecit dhe, së voni, ka nisur brendin e saj të pijeve alkoolike “Syrrush”.

  • KËTU mund të gjeni të gjitha videot e realizuara në kuadër të rubrikës Femina

Anëtarësimi në BE: Edhe tre hapa që duhet t’i bëjë Kosova

Në dhjetor, Kosova dorëzoi aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Vendi është shteti i fundit në Ballkanin Perëndimor, që ndërmerr një vendim të tillë.

Përmes kësaj videoje, ne kemi treguar se cilat janë hapat që Kosova duhet t’i kalojë për t’iu bashkuar bllokut evropian.


Ndërkaq, në KËTË tekst, po ashtu mund të mësoni se sa kohë u është dashur shteteve të tjera të rajonit për t’u anëtarësuar në BE.

Kundërpërgjigje Putinit: Kosova s’është Donbas

Presidenti rus, Vladimir Putin.

Më 24 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëroi ushtrinë e tij të niste pushtimin e paligjshëm të shtetit fqinj, Ukrainës.

Disa ditë para nisjes së pushtimit, rajonet separatiste ukrainase, Donjeck dhe Luhansk, shpallën pavarësinë, dhe u njohën nga Rusia.

Pas kësaj, Putin sërish tërhoqi paralele mes shpalljes së pavarësisë së këtyre rajoneve – që njihen me termin Donbas – me Kosovën.

“Është fakt që shumë shtete perëndimore e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur. Ne e kemi bërë të njëjtën gjë me republikat e Donbasit”, deklaroi Putini më 26 prill.

Por, ekspertët thanë se këto krahasime nuk qëndrojnë, pasi një shtet mund të ekzistojë nëse i përmbush tri elemente: territorin e përcaktuar, popullsinë e përhershme dhe kapacitetin udhëheqës. Këto elemente, sipas tyre, Kosova i plotëson.

Një "gjyq i Nyrembergut" për Putinin?

Që kur nisi pushtimi i Ukrainës, emisioni Expose i Radios Evropa e Lirë, trajtoi një sërë aspektesh të kësaj lufte.

Një prej tyre ishte edhe mundësia e ngritjes së një gjykate të posaçme ndërkombëtare për krimet e supozuara ruse në Ukrainë.

  • Të gjitha episodet e Exposesë mund t’i gjeni KËTU