Irani është duke ia zënë frymën gjithë botës, prej kur është zotuar se do të sulmojë Izraelin, më shumë se dy javë më parë – vendim që ekspertët besojnë se mund ta përfshijë të gjithë rajonin në luftë.
Sulmi për të cilin është zotuar Republika Islamike nënkupton hakmarrje për vrasjen e liderit politik të Hamasit, Ismail Haniyeh, më 31 korrik.
Hamasi, grup palestinez që udhëheq Gazën, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.
Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, pas vrasjes së Haniyehut ka thënë se Irani është i detyruar të hakmerret për “mysafirin” e tij.
SHIKONI EDHE: Kush ishte lideri i vrarë i Hamasit, Ismail Haniyeh?Gjithë bota ka qenë në pritje të një sulmi “të shpejtë” iranian në dy javët e fundit, dhe kjo pritje ka rezultuar shpesh me histeri në rrjetet sociale, me parashikime që një sulm i Iranit dhe aleatëve të tij, përfshirë grupin militant të Libanit, Hezbollah, mund të ndodhë brenda orësh.
“Mendoj se ata e shijojnë këtë periudhë, duke e parë Izraelin në pritje, dhe duke paguar një çmim të madh ekonomik dhe psikologjik”, ka thënë Raz Zimmt, hulumtues i lartë në Institutin për Studime të Sigurisë Kombëtare në Tel Aviv.
Mirëpo, pritja është thikë me dy tehe që dëmton edhe Iranin me aleatët e tij.
“Ndikimi negativ në Izrael, qoftë stresi që shkaktohet, mobilizimi ushtarak, por edhe pasojat ekonomike, nuk janë të kufizuara vetëm në Izrael, por prekin edhe Iranin dhe Libanin”, ka paralajmëruar Michael Horowitz, shef i inteligjencës në Qendrën konsultuese Le Beck International, me bazë në Bahrejn.
Pse po shtyhet sulmi?
Analistët kanë thënë se ideja që Irani është duke e vonuar hakmarrjen, sepse po e shijon efektin psikologjik, është më shumë një arsyetim, sesa një strategji e mirëfilltë.
Ata janë pajtuar që debatet e brendshme intensive, kompleksiteti i koordinimit me grupet bashkëpunuese, dhe vlerësimi i rreziqeve të lidhura me sulmin, janë disa prej faktorëve që kanë kontribuuar në hezitimin e Iranit.
Zimmt ka thënë se Irani po përballet me “dilemë të madhe”, sepse derisa Khamenei dhe Garda Revolucionare Islamike e Iranit dëshirojnë të frenojnë Izraelin, ka zëra në Iran që janë të shqetësuar se një sulm i shkallës së gjerë mund të përfshijë Iranin në luftë me Izraelin, dhe madje edhe me Shtetet e Bashkuara.
SHIKONI EDHE: Frikë për një konflikt më të gjerë në Lindjen e MesmeNëse është marrë vendimi si të jetë përgjigjja pas vrasjes së Haniyehut, koordinimi me Hezbollahun dhe anëtarë tjerë të të ashtuquajturit Boshti i Rezistencës – rrjeti i grupeve rajonale të Teheranit – është një proces që merr kohë.
Një tjetër faktor që ndikon në vendimmarrjen e Iranit është edhe rritja e pranisë së ushtrisë amerikane në rajon, madje edhe më tepër sesa në prill, kur Irani e pati kryer një sulm të pashembullt me raketa kundër Izraelit.
“Po shohim mobilizim më të madh [prej SHBA-së] sesa në prill, çka ndoshta lidhet me shkallën e kërcënimit, pasi Irani mund të kryejë sulm më të madh sesa ai në prill”, ka thënë Horowitz.
“Mesazhi që po përhap SHBA-ja përmes pozicionimit të armëve sulmuese dhe mbrojtëse, mund të jetë pikërisht lloji i mesazhit që duhet në këtë fazë”.
A mund të triumfojë diplomacia?
Teherani nuk ua ka vënë veshin thirrjeve të Perëndimit për të treguar përmbajtje, dhe ka insistuar se ka të drejtë legjitime për t’u përgjigjur pas vrasjes së Haniyehut në territorin iranian.
Megjithatë, thirrjet e vazhdueshme telefonike që i janë bërë presidentit iranian, Masud Pezeshkian dhe ministrit të Jashtëm në detyrë të Iranit, Ali Baqeri-Kani, kanë rritur spekulimet që tentimet diplomatike kanë ndihmuar në shtyrje të sulmit.
“Jam skeptik që diplomacia është e mjaftueshme për të ndryshuar tërësisht kalkulimet e Iranit”, ka thënë Horowitz.
“Irani do të bëjë atë që beson se është në interesin e vet më të mirë, pavarësisht thirrjeve që i bëhen”.
Irani, në anën tjetër, ka sugjeruar se një tjetër lloj diplomacie mundet “ta shtyjë” sulmin e premtuar: një armëpushim i përhershëm në Gazë, në luftën mes Izraelit dhe Hamasit.
SHIKONI EDHE: Izraeli pajtohet për rinisjen e bisedimeve për armëpushim në GazëFarzan Sabet, hulumtues i lartë në Institutin e Gjenevës, ka spekuluar se Irani mund të jetë duke kërkuar rrugë për të arsyetuar zbutjen e tonit, dhe një armëpushim eventual në Gazë mund të jetë “fitorja diplomatike” që i duhet.
Zimmt ka thënë se armëpushimi në Gazë mund të mos jetë aq i rëndësishëm për Iranin, mirëpo ia ofron Teheranit “një arsyetim për ta legjitimuar këtë vonesë, si brenda, ashtu edhe jashtë shtetit”.
Ai ka thënë se një armëpushim mund të ndikojë në ulje të shkallës së sulmit të Iranit, apo edhe të përzgjedhjes së ndonjë metode tjetër për hakmarrje, që nuk nënkupton sulm direkt ndaj Izraelit.
Nuk ekzistojnë opsione të mira
Mbetet mister se kur dhe si do të përgjigjet Irani, mirëpo siç janë gjërat tani, Teherani nuk duket se ka opsione të mira para vetes.
“Vendimmarrësit në Teheran mund të jenë në kërkim të një çelësi të artë”, ka thënë Sabet.
Sipas tij, dëshira e Iranit është të kryejë sulm hakmarrës, jo aq dobët që të mos ketë as efekt simbolik, por edhe jo aq të fuqishëm që të shkaktojë një përshkallëzim të pakontrolluar, që çon drejt një lufte të madhe.
Prandaj, Teherani, ose do të detyrohet të kryejë sulm të zbehtë, ose një të tillë që rrezikon luftë të madhe.
“Të dyja opsionet bartin rreziqe të mëdha”, ka thënë Horowitz, “si për parashikimet rreth fuqisë së Iranit në rajon, ashtu edhe mundësinë e goditjes së Iranit mbrapsht në ndonjë konflikt”.