Autoritetet në Shqipëri i kanë arrestuar 233 persona në kuadër të një operacioni antidrogë, që është zhvilluar të enjten.
Sipas tyre, 82 persona tjerë janë në kërkim.
Po këtë ditë janë miratuar vendimet për kryerje të kontrolleve në 356 ambiente.
Sipas drejtorit të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, në kuadër të këtij aksioni janë goditur 23 grupe kriminale.
"Njëzet e tre grupe kriminale që merreshin me shpërndarjen e lëndëve narkotike afër shkollave në lokale dhe blloqe banimi janë goditur në kuadër të operacionit të koduar 'Tempulli'. Janë sekuestruar lëndë narkotike si, kokainë, heroinë, kanabis sativa, gjithashtu edhe armë zjarri dhe armë të ftohta. Operacioni është shtrirë në Tiranë, Durrës, Korçë, Elbasan dhe Vlorë”, ka thënë ai.
SHIKONI EDHE: Përdorues të kokainës, mosha gjithnjë e më të rejaOperacioni është kryer në të njëjtën kohë, në disa qytete.
Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Taulant Balla e ka konsideruar alarmues faktin që po rritet numri i të rinjve që përdorin substanca narkotike.
"Përdorimi i drogave nga të rinjtë po rritet, dhe po ulet mosha e atyre që po përdorin për herë të parë lëndë narkotike, duke e nisur në shkolla. Është shtuar edhe përdorimi i drogave sintetike. Edhe sot gjatë operacionit të Policisë janë zbuluar lloje drogash që për ne ishin të panjohura më parë për ekzistencën e tyre në Shqipëri. Ky është një lloj alarmi për institucionet, prindërit dhe shoqëria duhet të reagojnë së bashku."
Balla ka thënë se pikërisht për këtë arsye e ka shpallur një plan të ri masash sigurie në shkolla, në nisje të vitit të ri shkollor.
Sipas tij, Ministria e Brendshme është e angazhuar për ta vijuar këtë luftë deri në qelizën e fundit.
SHIKONI EDHE: Qeveria gjermane miraton përdorimin e “kontrolluar” të kanabisitAi ka kërkuar aleancë të gjerë me institucionet e tjera, shkollat, familjen dhe shoqërinë civile për parandalimin e përdorimit të drogës.
"Do të ketë masa konkrete në terren që të eliminojmë kërcënimin që i vjen shëndetit dhe sigurisë publike nga përdorimi i drogave. Do të bëjmë gjithçka që brenda perimetrit të sigurisë në shkolla grupet kriminale të mos afrohen”, ka deklaruar Balla.
Ai ka bërë të ditur se shumë shpejt do të publikohen propozimet për ndryshime në Kodin Penal për dyfishim të dënimit për krimet që ndodhin brenda perimetrit të sigurisë në shkolla.