Protestuesit e mbledhur para stacionit policor të Mitrovicës së Veriut u shpërndanë pasi autoritetet liruan dy politikanët serbë, që u arrestuan më herët gjatë 8 gushtit.
Alleksandar Arsenijeviq dhe Stefan Vellkoviq nga partia Demokracia Serbe, u arrestuan në Mitrovicë të Veriut, për pengim të zyrtarëve që po lyenin murin afër urës kryesore mbi Ibër.
Kjo shtyri serbët e punësuar në institucionet publike serbe në Mitrovicë të Veriut që të protestonin. Në mesin e protestuesve kishte edhe udhëheqës të Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve që gëzon mbështetjen e Beogradit.
“Arsenijeviq u arrestua për pengim të një zyrtari gjatë kryerjes së detyrës dhe për mosdëgjimin e urdhrave të policisë.Ne kemi marrë informacionin në jug, prokurori është aty dhe thotë se do të marrë deklaratën e tyre, do të ndiqet procedura normale dhe ata do të lirohen deri në orën 18:00”, tha më herët zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, për gazetarët në Mitrovicë të Veriut.
Your browser doesn’t support HTML5
Lidhur me arrestimin e politikanëve serbë kishte reaguar Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe. Kjo zyrë deklaroi se ata u arrestuan pasi nuk lejuan që të "përdhoseshin simbolet serbe".
“Arrestimi i tyre brutal dëshmon se serbët kanë të drejtë të jenë shumë të shqetësuar për sigurinë dhe ekzistencën e tyre në Kosovë, veçmas në dritë të synimit të hapjes së urës mbi Ibër që sot u tregua me arrestimin brutal dhe hakmarrjen, pikërisht pranë urës”, u tha në reagim.
Arrestimi i Arsenijeviqit dhe Vellkoviqit u bë në ditën kur në Mitrovicë të Veriut u mbajt një debat për hapjen e urës mbi lumin Ibër.
SHIKONI EDHE: Pak serbë në debatin për hapjen e urës mbi IbërPara nisjes së debatit, në komunën e Mitrovicës së Veriut shkuan anëtarë të partisë së Arsenijeviqit, që kërkuan nga Elshani të shpejgojë pse ishin arrestuar dy anëtarët e kësaj partie.
Në debat morën pjesë përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, të komunës së Mitrovicës së Veriut, teksa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u kishte bërë thirrje serbëve që të marrin pjesë në të për “shprehur shqetësimet e tyre të cilat do të trajtohen nga përfaqësuesit tanë institucionalë dhe institucionet e vendit”.
Qeveria e Kurtit, në mes të korrikut njoftoi se synon të hapë urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë për trafik.
Megjithatë, vendet e QUINT-it – SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia – më 2 gusht deklaruan se nuk e mbështesin hapjen e urës në këtë moment.
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, deklaroi se çdo vendim për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Ky mision ka përsëritur se nuk do të ngurrojë të ndërmarrë “të gjitha masat e nevojshme” për t’i luftuar zhvillimet të cilat mund ta cenojnë sigurinë dhe stabilitetin rajonal.
SHIKONI EDHE:
Ura e Ibrit: Si dhe kur mund të hapet?Serbët protestojnë në Mitrovicë të Veriut kundër hapjes së urës mbi IbërKFOR-i paralajmëron sërish se s’do të ngurrojë të ndërmarrë masa, pas zhvillimeve në veriUshtarët italianë në kuadër të misionit të KFOR-it ndodhen në urën mbi lumin Ibër, ndërsa afër ndodhen edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
Në periudhën pasluftës, ura mbi lumin Ibër, ishte simbol i trazirave dhe barrikadave të ngritura nga serbët e Kosovës për t'i kundërshtuar përpjekjet e Kosovës për të vendosur autoritetin në veri.
Ura, aktualisht, është e hapur vetëm për këmbësorë, edhe pse në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është rënë dakord që të hapet edhe për qarkullimin e automjeteve.