Ndërlidhjet

Pak serbë në debatin për hapjen e urës mbi Ibër


Debati në Mitrovicën e Veriut lidhur me hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër. 8 gusht 2024
Debati në Mitrovicën e Veriut lidhur me hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër. 8 gusht 2024

Disa qytetarë serbë shprehën shqetësime se hapja e urës mbi lumin Ibër mund të rrisë tensionet ndëretnike, teksa për këtë temë u zhvillua një debat mes përfaqësuesve të Qeverisë, atyre komunalë dhe qytetarëve në Mitrovicë të Veriut.

Gjatë debatit, përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës dhe të Policisë ofruan garanci të sigurisë në rast të hapjes së urës për trafik – synim që po kundërshtohet nga serbët lokalë dhe bashkësia ndërkombëtare.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha se shteti garanton që do të ofrojë siguri për të gjithë qytetarë.

“Po, shteti garanton që do të jetë në krye të detyrës që siguria publike në secilin cep të Kosovës të jetë në nivel që qytetarët të jenë të sigurt. Këtu ka një histori edhe të trazirave, kërcënimeve edhe të nxitjeve, por urat kanë një qëllim që ndërtohen: t’i bashkojnë pjesët që ndahen”, tha ai, duke shtuar se hapja e urës nuk paraqet kërcënim për komunitetet.

Mitrovicë e Veriut: Testohet ura e Ibrit dhe zhvillohet debat me qytetarë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:01 0:00

Ndërkaq, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha se ky institucion garanton për një “siguri shumë të madhe” nëse hapet ura.

Në debatin e organizuar në komunën e Mitrovicës së Veriut kishte një pjesëmarrje të vogël të qytetarëve serbë dhe e të pranishmëve ishin asamblistë komunalë, përfaqësues të OSBE-së dhe mediave.

Ministri Krasniqi, tha se ura do të bëhet simbol i normalizimit të marrëdhënieve në Kosovë, që do të kontribuoi në lehtësimin e kontakteve të qytetarëve në jug dhe veri.

“Tashmë është absurd vazhdimi i mbajtjes mbyllur të urës. Hapja nuk është dhe nuk do të jetë kundër askujt", tha ai në nisje të debatit.

Disa qytetarë serbë, të pranishëm në debat, thanë se nuk është e nevojshme që të hapet ura dhe mjafton që ajo të jetë e hapur për këmbësorë.

Ndërkaq, Jeta Tela nga Ministria e Punëve të Brendshme tha se ura do të duhej të ishte hapur për trafik shumë kohë më parë.

“Besoj që jemi shumë vonë për hapjen e urës, do të duhej të ishte hapur më herët. Sot ne do të duhej të flisnim për problemet kryesore që Mitrovica i ka si papunësia e problemet e tjera që i prekin drejtpërdrejtë qytetarët sepse u përmend disa herë që urat vetëm na bashkojmë. Kemi edhe garancinë që u dha nga policia për të monitoruar situatën në rast të ndonjë shqetësimi”, tha ajo.

Gjatë debatit, Tela tha se MPB-ja është e përkushtuar që të rrisë bashkëpunimin mes policisë dhe komunitetit në këtë pjesë të Kosovës, duke theksuar se është e rëndësishme që pjesëtarët e komunitetit serb të marrin pjesë edhe në forumet e sigurisë.

Serbët e pranishëm në këtë debat po ashtu u ankuan për praninë e madhe të Policisë së Kosovës në veriun e banuar me shumicë serbe.

Ura mbi lumin Ibër ndan Mitrovicën e Jugut të banuar me shumicë shqiptare dhe Mitrovicën e Veriut, me shumicë serbe dhe Qeveria e Kosovës, pavarësisht kundërshtimit të bashkësisë ndërkombëtare, ka thënë se synon ta hapë atë për lëvizjen e automjeteve.

Qeveria e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në korrik bëri të ditur synimin për hapjen e urës.

Megjithatë, vendet e QUINT-it – SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia – më 2 gusht deklaruan se nuk e mbështesin hapjen e urës në këtë moment.

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, deklaroi se çdo vendim për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Për hapjen e urës, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje në kuadër të dialogut, por ura vazhdon të jetë e hapur vetëm për këmbësorë.

Çfarë parasheh marrëveshja e Brukselit për urën mbi Ibër?

Në kuadër të dialogut për normalizim të raporteve, Kosova dhe Serbia më 2014 u pajtuan për hapjen e urës mbi lumin Ibër për trafik. Parashihej i ashtuquajturi revitalizim i urës, me qëllim të heqjes të të gjitha barrikadave dhe funksionalizimit të urës.

Barrikadat e para mbi urë u vendosën nga serbët lokalë në vitin 2011, për të kundërshtuar shtrirjen e autoritetit të Kosovës në veri të vendit.

Më 2014, barrikadat u zëvendësuan me mbjelljen e pemëve, që autoritetet lokale në Mitrovicë të Veriut, të udhëhequra nga Lista Serbe e quajtën “Parku i Paqes”.

Ky park u hoq në vitin 2016, pas çka ura duhej të hapej për trafik. Kosova dhe Serbia të njëjtin vit ranë dakord për një plan të ri zbatimi, që synonte tejkalimin e mosmarrëveshjeve rreth interpretimeve të ndryshme të konkluzioneve të mëparshme.

Sipas planit të ri të zbatimit, hapja e plotë e urës duhej të ndodhte në janar të vitit 2017. Megjithatë, punimet për revitalizimin e urës përfunduan vetëm në qershor të vitit 2018. Në këtë projekt u investuan 1.5 milion euro.

Ura ende nuk është e hapur për automjete, por vetëm për këmbësorë.

Asamblistët e Kuvendit të Komunës së Mitrovicë të Veriut në prill të vitit të kaluar miratuan vendimin për hapjen e urës mbi Ibër, i cili më pas iu dërgua Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës dhe Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.

Nënkryetari i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Skender Sadiku, në fund të majit tha se për zbatimin e këtij vendimi tani janë përgjegjëse institucionet qendrore, KFOR-i dhe Bashkimi Evropian.

Ai theksoi se me këtë vendim duhet të bien dakord edhe autoritetet lokale në Mitrovicën e Jugut.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG