Ministria e Mbrojtjes së Azerbajxhanit tha se ka humbur 50 ushtarë në përleshjet gjatë natës me trupat etnike armene, teksa Armenia tha se të paktën 49 ushtarë të saj u vranë në luftime.
Këto janë përleshjet më vdekjeprurëse qëkur Armenia dhe Azerbajxhani zhvilluan një luftë gjashtëjavore më 2020 mbi rajonin e shkëputur të Nagorno-Karabakut.
“Pesëdhjetë ushtarë azerbajxhanas kanë vdekur si rezultat i provokimit në shkallë të gjerë të Armenisë”, tha përmes një deklarate Ministria e Mbrojtjes së Azerbajxhanit, duke iu referuar përleshjeve në kufi që shpërthyen më herët gjatë 13 shtatorit.
Rusia deklaroi se ka ndërmjetësuar një marrëveshje armëpushimi mes dy palëve, por Azerbajxhani akuzoi forcat etnike armene për shkelje të kësaj marrëveshjeje.
“Pavarësisht se armëpushimi është shpallur që nga ora 09:00, Armenia po vazhdimisht po e shkel armëpushimin përgjatë kufirit, duke përdorur artileri dhe armë të tjera të rënda”, tha ushtria në Baku.
Your browser doesn’t support HTML5
Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes të Armenisë, Aram Torosian, mohoi këto akuza duke i quajtur “të pabaza”. Ai tha se forcat e armatosura të Azerbajxhanit nuk kanë ndaluar së granatuari pozicionet e trupave armene etnike, vendbanimet dhe infrastrukturën. Por, ai tha se granatimet nga disa drejtime kanë filluar të dobësohen.
Më herët, Ministria e Mbrojtjes së Azerbajxhanit tha se forcat e saj po i përgjigjeshin “provokimit” armen dhe mohoi pretendimet se po godet infrastrukturën civile.
“Forcat e Azerbajxhanit po ndërmarrin hapa të kufizuar, duke neutralizuar pozicionet luftuese armene”, u tha në deklaratë.
Kryediplomati i Azerbajxhanit është thënë se ka biseduar përmes telefonit me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, lidhur me situatën.
Lavrov, sipas njoftimit, ka theksuar nevojën për shmangien e konfliktit në rajon, por edhe të zbatimit të plotë të deklaratave të nënshkruara nga liderët e Azerbajxhanit, Armenisë dhe Rusisë, që i dhanë fund luftimeve më 2020.
Më herët gjatë 13 shtatorit, kryeministri armen, Nikol Pashinian, tha se pozicionet armene u sulmuan gjatë natës.
“Për momentin, ne kemi 49 ushtarë të vrarë dhe fatkeqësisht kjo nuk është shifra finale e viktimave”, tha Pashinian para Parlamentit armen.
Ndërkaq, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka biseduar përmes telefonit me Pashinianin dhe presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev. Uashingtoni tha se do të “shtyjë përpara ndaljen e menjëhershme të luftimeve dhe arritjen e një zgjidhjeje paqësore” mes këtyre dy vendeve fqinje.
Blinken tha se i ka thënë Aliyevit dhe Pashinianit se konflikti “nuk është në interesin e askujt” dhe u ka bërë thirrje atyre që të bëjnë gjithçka që të ndalet konflikti.
Blinken po ashtu tha se roli i Moskës në procesin e paqes është “gjithmonë shqetësues”, por ka shtoi se “nëse Rusia vërtetë mund të përdorë ndikimin e saj dhe të qetësojë ujërat... kjo do të ishte një gjë pozitive”.
SHIKONI EDHE: Azerbajxhani rimerr qytetin strategjik pranë Nagorno-KarabakutBakuja dhe Jerevani janë përfshirë në një konflikt për rajonin e shkëputur të Azerbajxhanit, Nagorno-Karabak, për vite me radhë.
Separatistët e mbështetur nga armenët morën nën kontroll rajonin e populluar kryesisht me armenë nga Azerbajxhani, gjatë një lufte në fillim të viteve 1990, në të cilën mbetën të vdekur rreth 30.000 njerëz.
Përpjekjet diplomatike për ta zgjidhur konfliktin sollën pak përparim përgjatë viteve dhe të dyja palët nisën një tjetër luftë në vitin 2020, e cila zgjati gjashtë javë, para se të miratohej një armëpushim i ndërmjetësuar nga Rusia.
Sipas armëpushimit, pjesë të rajonit të shkëputur dhe shtatë rrethet pranë u kthyen nën kontrollin e Azerbajxhanit. Rreth 2.000 trupa ruse janë vendosur atje për të ruajtur paqen.
Nagorno-Karabaku njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit.