Ministria e Brendshme në Shqipëri njoftoi se Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara ka marrë 102 kontejnerët e anijes “Moliva”.
Anija qëndronte në det që prej datës 28 tetor, ndërsa mëngjesin e 8 nëntorit, hyri në portin e Durrësit, ku u shkarkuan kontejnerët në bazë të procedurave të kontrollit dhe sigurisë.
"I gjithë procesi është realizuar përmes një plani të detajuar masash, edhe në zbatim të urdhrit të Prokurorisë së Durrës për zbarkimin dhe ruajtjen e 102 kontejnerëve të anijes ‘Moliva’, në një vend të sigurt, larg zonave të banuara, si edhe duke respektuar në mënyrë rigoroze kushtet e sigurisë fizike, mjedisore dhe shëndetësore”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.
Mësohet se kontejnerët janë dërguar në Porto Romano, rreth 6 kilometra larg portit të Durrësit, në një pronë që menaxhohet nga se Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara .
Përveç punonjësve të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, në operacion kanë marrë pjesë edhe punonjës të Policisë së Durrësit, asaj kufitare, të portit të qytetit bregdetar, Doganës, drejtorisë së hetimit doganor dhe Prokurorisë së Durrësit.
Kontejnerët janë kontrolluar, skanuar dhe verifikuar, që nga gjendja e tyre e jashtme, deri te të gjithë elementët e tjerë të sigurisë, thanë autoritetet.
Ne vendin ku janë depozituar, kontejnerët do të mbahen në monitorim dhe administrim nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.
Analizat e mbetjeve që ndodhen në kontejnerë do të kryhen në laboratorë ndërkombëtarë. Kjo u bë e ditur nga Athanas Karaja, drejtor në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, gjatë një raportimi në Komisionin Parlamentar të veprimtarisë prodhuese.
“Nuk mund t'i konsiderojmë mbetje. Ato janë nisur nga Shqipëria si mallra, për të qenë korrekt. Me urdhër të Prokurorisë, do shkojnë mostrat në Belgjikë dhe Zvicër, në tre laboratorë të specializuar dhe më pas do shohim nëse janë apo jo mbetje, janë apo të rrezikshme”, tha ai gjatë raportimit në komision.
Pyetjes së deputetëve të opozitës se përse nuk u pranuan në vendet aziatike nëse ishin mallra, drejtori iu përgjigj duke theksuar se kjo ndodhi për shkak “të rrëmujës” që u krijua në media, gjatë raportimeve për dyshimet se mund të ishin mbetje të rrezikshme.
Edhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar kërkoi nga deputetët e opozitës që të tregohen të kujdesshëm në termat që përdoren. Ajo këmbënguli që të mos u referohen si mbetje të rrezikshme apo toksike për sa kohë nuk janë kryer analizat.
“Nuk ka folur njeri për mbetje toksike dhe nuk është e drejtë, madje është e pafalshme të përdoret termi mbetje toksike. Në asnjë nga letrat apo dokumentacionin që ka qarkulluar nuk janë shënuar si mbetje. Janë deklaruar nga subjektet si nënprodukte metali. Prokuroria do bëjë punën e vet. Mos përdorni terma që mund të shkaktojnë panik te qytetarët”, tha ministrja Kumbaro.
Dyshimet për mbetje të rrezikshme në këtë anije, e cila u nis nga Shqipëria drejt Tajlandës, ngriti fillimisht Rrjeti i Aksionit të Bazelit (BAN). Jim Puckett, kreu i BAN-it, tha për gazetarët në Durrës më 28 tetor se në anije janë “2.102 tonë mbetje të rrezikshme”.
SHIKONI EDHE: Kthehet në Shqipëri anija me 102 kontejnerë që dyshohet se kanë mbetje të rrezikshme“Ka pasur shumë deklarata kontroverse për këtë dërgesë. Disa thonë që nuk ka mbetje të rrezikshme, ndërsa ne themi që jemi 95 për qind të sigurt që janë”, tha Puckett.
Këto mbetje, që konsiderohen të rrezikshme, besohet se janë krijuar gjatë proceseve teknologjike nga aktiviteti i kompanisë turke 'Kurum International', në zonën e ish-kombinatit metalurgjik në Elbasan.
Më 21 gusht, Prokuroria e Durrësit, bashkë me Zyrën Evropiane kundër Mashtrimit Ekonomik (OLAF), i filluan hetimet.
Qeveria e Shqipërisë ka thënë disa herë se lajmet për “transportim të mbetjeve të rrezikshme” janë vetëm “aludime”.
Vetë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pati thënë se nga Shqipëria nuk janë transportuar mbetje të rrezikshme në Tajlandë apo Kinë.
"Në të dyja rastet e përfolura të transportit, nga Elbasani drejt Tajlandës dhe nga Kosova drejt Kinës, mallrat e deklaruara si okside/hidrokside hekuri apo koncentrat zinku, janë transportuar nga Porti i Durrësit drejt porteve evropiane përmes linjave ndërkombëtare me reputacion të padyshimtë, dhe nuk janë bërë objekte kontrollesh në vendet e Bashkimit Evropian, ku janë ndaluar dhe janë magazinuar përkohësisht, por janë lejuar të vijojnë itinerarin e tyre”, tha Qeveria shqiptare në shtator.
Ajo pretendoi se operatorët ekonomikë në Shqipëri dhe Kosovë janë përgjegjëse për kontejnerët, pa përmendur specifikisht dikë me emër.
Opozita, në anën tjetër, pretendon se kompania "Kurum International" ka shkelur ligjin për mënyrën e përpunimit të mbetjeve të rrezikshme që prodhon, ndërkohë që kompania "Sokolaj" ka shkelur ligjin, lidhur me transportin e mbetjeve toksike të rrezikshme.