Anija me mbetje ende në det, Prokuroria e Durrësit sqaron vonesat

Porti i Durrësit, 28 tetor 2024.

Anija me 102 kontejnerë, që dyshohet se kanë mbetje të rrezikshme, do të qëndrojë në radë (në det afër portit) në bregdetin e Durrësit në Shqipëri.

Anija mbërriti në bregdetin shqiptar më 28 tetor dhe prokuroria urdhëroi sekuestrimin e 102 kontejnerëve.

Ajo ka qëndruar në radë që prej asaj dite dhe do të vijojë të qëndrojë aty për një afat të pacaktuar. Për shkak të interesit të lartë publik për këtë çështje, Prokuroria e Durrësit njoftoi të premten, më 1 nëntor, se është në fazën e ekzekutimit të urdhrit të sekuestrimit të kontejnerëve në anijen, që është nën mbikëqyrjen e policisë.

SHIKONI EDHE: Kthehet në Shqipëri anija me 102 kontejnerë që dyshohet se kanë mbetje të rrezikshme

Prokuroria e Durrësit shpjegoi pse po zgjat dhe po vonohet ky proces.

“Vonesat lidhen me kompleksitetin e çështjes, si volumi i sendeve objekt sekuestrimi, llojit të sendit dhe veçanërisht nevojës për të garantuar sigurinë mjedisore dhe fizike te tyre. Deri në momentin e finalizimit të procesit të sekuestrimit, anija do të vijojë të qëndrojë në radë nën monitorimin e Policisë së Shtetit”, u tha në njoftimin e Prokurorisë së Durrësit.

Prokuroria tha po ashtu se i është drejtuar disa institucioneve publike shqiptare, si Fakultetit të Gjeologjisë dhe të Minierave, Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, për të vendosur në dispozicion laboratorë dhe ekspertë për kryerjen e analizave të materialit që ndodhet në kontejnerë.

Edhe Autoriteti Portual Durrës ka njoftuar se “bashkë me organet ligjzbatuese janë duke bashkërenduar punën për përgatitjen e një vendi depozitimi të përshtatshëm, sa i përket kushteve të sigurisë mjedisore si dhe asaj fizike, ku do të depozitohen 102 kontejnerët.”

Dyshimet për lëndë të rrezikshme në këtë anije që u nis nga Shqipëria drejt Tajlandës i hodhi fillimisht Rrjeti i Aksionit të Bazelit (BAN). Jim Puckett, kreu i BAN-it, tha për gazetarët në Durrës më 28 tetor se në anije janë “2.102 tonë mbetje të rrezikshme”.

“Ka pasur shumë deklarata kontroverse për këtë dërgesë. Disa thonë që nuk ka mbetje të rrezikshme, ndërsa ne themi që jemi 95 për qind të sigurt që janë”, tha Puckett.

Këto mbetje, që konsiderohen të rrezikshme, besohet se janë krijuar gjatë proceseve teknologjike nga aktiviteti i kompanisë turke 'Kurum International', në zonën e ish-kombinatit metalurgjik në Elbasan.

Më 21 gusht, Prokuroria e Durrësit, bashkë me Zyrën Evropiane kundër Mashtrimit Ekonomik (OLAF), i kanë nisur hetimet. Qeveria e Shqipërisë ka thënë disa herë se lajmet për “transportim të mbetjeve të rrezikshme” janë vetëm aludime.

Vetë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pati thënë se nga Shqipëria nuk janë transportuar mbetje të rrezikshme në Tajlandë apo Kinë.

"Në të dyja rastet e përfolura të transportit, nga Elbasani drejt Tajlandës dhe nga Kosova drejt Kinës, mallrat e deklaruara si okside/hidrokside hekuri apo koncentrat zinku, janë transportuar nga Porti i Durrësit drejt porteve evropiane përmes linjave ndërkombëtare me reputacion të padyshimtë, dhe nuk janë bërë objekte kontrollesh në vendet e Bashkimit Evropian, ku janë ndaluar dhe janë magazinuar përkohësisht, por janë lejuar të vijojnë itinerarin e tyre”, kishte thënë Qeveria shqiptare në muajin shtator, duke pretenduar se operatorët ekonomikë në Shqipëri dhe Kosovë janë përgjegjëse për kontejnerët, pa përmendur specifikisht dikë me emër.

SHIKONI EDHE: Rama: Nuk ka prova për transportin e mbetjeve të rrezikshme drejt Tajlandës

Opozita, në anën tjetër, pretendon se kompania "Kurum International" ka shkelur ligjin për mënyrën e përpunimit të mbetjeve të rrezikshme që prodhon, ndërkohë që kompania "Sokolaj" ka shkelur ligjin, lidhur me transportin e mbetjeve toksike të rrezikshme.