KE-ja ende po punon në "planin A" për bisedimet e anëtarësimit të Ukrainës në BE

Charles Michel, president i Këshillit Evropian.

Në një intervistë ekskluzive për Radion Evropa e Lirë, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha se ai ende është duke punuar në "planin A" sa i takon dhënies së dritës jeshile për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë dhe për t'i dhënë Gjeorgjisë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkim Evropian në një samit të rëndësishëm të BE-së që do të mbahet më 14 dhe 15 dhjetor në Bruksel.

Bisedime të shumta i kanë paraprirë këtij samiti.

Ato janë fokusuar në faktin nëse do të mund të shtyhet procesi për shkak të vështirësive në gjetjen e konsensusit ose nëse vendimi për Ukrainën, në një mënyrë ose tjetër, mund të shkëputet nga vendimet për vendet e tjera.

Por, Michel nxitoi të hidhte poshtë këtë duke thënë se ai dhe kolegët e tij në Këshillin e Evropës po punojnë në propozimin për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE me Ukrainën dhe Moldavinë dhe dhënien e statusit kandidat për Gjeorgjinë.

Radio Evropa e Lirë: Pra, do të filloj me një temë mjaft të pritshme. Samiti i ardhshëm i BE-së pritet të jetë dramatik për shkak të të ashtuquajturit faktor hungarez në agjendën e Ukrainës. Megjithatë, ne – po edhe ju, sigurisht – kemi parë shumë përparime në minutën e fundit gjatë historisë së samitit. A mund të flasim për këtë kur bëhet fjalë për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit të Ukrainës? A mund ta presim një rezultat të tillë?

SHIKONI EDHE: Çfarë duhet të bëjë Ukraina për ta mbajtur gjallë synimin për anëtarësim në BE?

Charles Michel: Do të jetë një takim i vështirë dhe duhet ta themi të vërtetën, sepse kemi mbështetjen e 26 drejtuesve nga 27, që është një lajm shumë i mirë. Është lajm i mirë, lajm pozitiv - mbështetja nga 26 liderë për [ndarjen e] më shumë parave për Ukrainën, më shumë mbështetje financiare dhe më shumë pajisje ushtarake për Ukrainën.

Në të njëjtën kohë, ne kemi një vend, Hungarinë, që po shpreh disa dyshime dhe pak ngurrim. Ne duhet ta bindim Hungarinë dhe po punojmë në këtë ditë e natë, për ta përgatitur këtë Këshill Evropian dhe shpresoj se ne do të mund t'ia dalim.

Radio Evropa e Lirë: A keni në dispozicion ndonjë lloj karte avantazhi për ta bindur kryeministrin hungarez të ndryshojë mendje?

Charles Michel: Lidhur me mbështetjen financiare për Ukrainën, kam besim... Edhe nëse do të jetë e vështirë sepse kjo bën pjesë në kuadër të rishikimit të [Kornizës multifinanciare] MFF-së, në rishikimin e buxhetit evropian. Ne duhet ta marrim këtë vendim për pako shtesë prej 50 miliardë dollarësh për Ukrainën. Por, unë mendoj se duhet të jetë e mundur, duhet patjetër të jetë e mundur të merret një vendim në këtë takim të Këshillit Evropian. Me gjasë do të jetë sfidues.
Do të ketë disa vështirësi, sepse ne nuk flasim vetëm për Ukrainën. Kjo është një pako më e gjerë financiare, për të cilën duhet të vendosim. Kjo [ndihma për Ukrainën] është një element.

Sa i përket zgjerimit, kjo është pak më komplekse. Pse? Sepse nuk ka të bëjë vetëm me Ukrainën, ka të bëjë me Moldavinë, me Gjeorgjinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor - pika e parë. Dhe, kjo sepse ne duhet të marrim një vendim unanim.

Na duhen 27 vende që të na lejojnë t’i fillojmë negociatat me Ukrainën.

Por, ky proces i zgjerimit është një proces kompleks. Kjo është një rrugë. Kjo është një rrugë me disa hapa. Dhe, më e rëndësishme, sipas mendimit tim, është ta bëjmë një hap shtesë në drejtim të zgjerimit. Është, gjithashtu, e rëndësishme të merren parasysh reformat shumë të rëndësishme të ndërmarra nga Ukraina dhe nga disa vende të tjera kandidate.

SHIKONI EDHE: Çmimi i pranimit të anëtarëve të rinj në BE mund ta ulë entuziazmin për zgjerim


Radio Evropa e Lirë: Në këto rrethana, nëse, për shembull, vendimi për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Ukrainën nuk merret gjatë këtij samiti të BE-së, atëherë a mund të parashikojmë se sa do të qëndrojë Ukraina në të ashtuquajturën dhomë pritjeje?

Charles Michel: Epo, nuk dua ta mendoj dështimin e këtij samiti sepse dua të bëj gjithçka për ta arritur një samit të suksesshëm. Nuk i nënvlerësoj sfidat dhe vështirësitë. Të gjithë mund ta shohin këtë, sepse këto janë debate demokratike publike. Të gjithë mund të shohin se çfarë është në rrezik dhe cilat janë qëndrimet e shprehura nga vendet e ndryshme. Mendoj se duhet të jetë e mundur të bëhet një hap shtesë. Unë jam duke punuar në planin A, jo në plane të tjera.

Radio Evropa e Lirë: Në aspektin e një ndryshimi të lehtë në peizazhin politik në Bashkimin Evropian dhe qeveritë e reja, a është Viktor Orban i vetmi lider që shpreh dëshirë për ta bllokuar hapjen e negociatave të anëtarësimit me Ukrainën?

SHIKONI EDHE: A do të mjaftojnë paratë për ta bindur Viktor Orbanin?


Charles Michel: Bazuar në konsultimet e mia, unë ndiej mbështetje shumë të fortë dhe shumë të gjerë për Ukrainën sa i përket [ndarjes] të më shumë parave për Ukrainën, më shumë kapaciteteve ushtarake për Ukrainën dhe për mbështetje politike përmes procesit të zgjerimit. Por, nëse distancohemi me përgatitjen e këtij Këshilli Evropian brenda pak ditësh, janë dy tema në lojë. E para është siguria në kontinentin evropian. Dhe, për këtë, ne duhet të mbështesim Ukrainën. Dhe, për këtë, është legjitime të kërkohen debate strategjike.

Dhe, meqë ra fjala, që nga dita e parë pas pushtimit në shkallë të plotë [të Ukrainës nga Rusia], ne kemi pasur shumë debate strategjike në nivel të Këshillit Evropian për Ukrainën mbi modalitetet konkrete për veprimet tona për t’i mbrojtur interesat dhe vlerat e Bashkimit Evropian. Por, ka edhe një temë tjetër dhe ne kemi filluar ta diskutojmë këtë temë tjetër: kjo ndonjëherë është tundimi për ta keqpërdorur të drejtën e vetos dhe marrjen peng të institucioneve të BE-së dhe procesit të vendimmarrjes në BE.

Sipas mendimit tim, është shumë e rëndësishme të merren parasysh të gjitha problematikat rreth tryezës për t’i përfshirë të gjitha shtetet anëtare që të garantohet uniteti evropian. Por, kjo po e tregon atë me të cilën po përballemi sot: që nuk është e mundur ta shmangim një debat të thellë mbi procesin e vendimmarrjes, për t'u siguruar që kur interesat tona thelbësore, interesat thelbësore të BE-së janë në rrezik, ne jemi në gjendje të veprojmë dhe të marrim vendime.

Radio Evropa e Lirë: Moldavia tha se nuk do të përpiqet të shkëputet nga Ukraina në mënyrë që ta arrijë një anëtarësim të shpejtë në Bashkimin Evropian. Megjithatë, nëse Hungaria dhe ndoshta vende të tjera anëtare të BE-së vazhdojnë bllokimin e ofertës së anëtarësimit të Ukrainës, a do ta konsideronit mundësinë për të ecur përpara me vendet e tjera kandidate për [anëtarësim] në BE, apo do të preferonit ta ruanit paketën origjinale?

SHIKONI EDHE: Orban: Negociatat për anëtarësim të Ukrainës në BE nuk duhet të ecin përpara


Charles Michel: Ju po bëni pyetje shumë legjitime dhe pyetje shumë të mira. Por, sot, me kolegët e mi në mbledhjen e Këshillit Evropian, jam duke përgatitur propozimin në tryezë, të mbështetur nga 26 vende. Kjo është hapja e negociatave të anëtarësimit në BE me Ukrainën dhe Moldavinë dhe dhënia e statusit kandidat për Gjeorgjinë dhe bërjen e disa hapave shtesë... Është e rëndësishme për vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo është ajo që është në tryezë dhe nuk kam ndërmend t'u përgjigjem pyetjeve që janë ende teorike.

Radio Evropa e Lirë: Ukraina po përballet qe një kohë me gjithnjë e më shumë probleme me Hungarinë dhe, për momentin, edhe me Poloninë. Dhe ne po e shohim se qeveria e re sllovake nuk po e mbështet ndihmën e mëtejshme ushtarake për Ukrainën në baza dypalëshe. Pra, kjo tingëllon mjaft shqetësuese, nëse mund ta them këtë, për ukrainasit, por si po shkojnë gjërat në të vërtetë? A nuk është aq keq apo, përkundrazi, është edhe më keq?

Pamje gjatë intervistës në Bruksel me presidentin Këshillit Evropian.

Charles Michel: Do të doja ta siguroja popullin ukrainas dhe autoritetet ukrainase sepse unë mund ta shoh që vendosmëria e 26 vendeve anëtare, e 26 liderëve në këtë temë është thelbësore. Natyrisht, ne po ndjekim debatet në Shtetet e Bashkuara, por jam gjithashtu i bindur se sa më shumë të tregojmë, nga ana e BE-së, se jemi në gjendje të ofrojmë mbështetje shtesë për Ukrainën, aq më shumë kjo do të jetë një argument që mund të përdoret, që do të përdoret nga ata në SHBA që duan të sjellin më shumë mbështetje për Ukrainën.

Kjo dëshmohet midis Shteteve të Bashkuara, BE-së, Mbretërisë së Bashkuar, Japonisë, Norvegjisë dhe disa partnerëve të tjerë të ngjashëm në botë.
Sa më shumë që e dëshmojmë se ne në BE, në kontinentin evropian, e kuptojmë se çfarë është në rrezik – dhe kjo është arsyeja pse ne jemi të vendosur të marrim vendime të guximshme – aq më shumë kjo do të inkurajojë të tjerët ta ndjekin shembullin tonë.

Për shembull, jam i bindur se në orët pas atij sulmi masiv kundër Ukrainës, Këshilli Evropian dhe 27 liderët morën një vendim shumë të guximshëm duke mbështetur Ukrainën, duke sanksionuar Rusinë. Ai [vendim] pati një ndikim te partnerët e tjerë me mendime të ngjashme dhe ata vendosën ta ndjekin [këtë shembull] dhe ta mbështesin sepse e kanë parë se ne jemi të vendosur ta mbështesim Ukrainën sepse ne e kuptojmë se e ardhmja e kontinentit evropian do të varet nga aftësia jonë për ta mbështetur Ukrainën në afat të gjatë.

Radio Evropa e Lirë: Po kalojmë te vendimet e tjera lidhur me Ukrainën, ju e përmendët tashmë kornizën financiare shumëvjeçare [buxheti i BE-së], pra duke folur për 50 miliardë euro ndihmë për Ukrainën. A besoni se ky Këshill Evropian do ta marrë këtë vendim apo do të diskutohet plani B?

SHIKONI EDHE: Fico i Sllovakisë “nuk do të mbështesë” më shumë ndihmë ushtarake për Ukrainën


Charles Michel: Unë jam shumë i sigurt në [ndarjen e] 50 miliardë eurove për Ukrainën. Unë nuk them se kjo është e lehtë. Unë them që kemi një rezultat. Kemi ende disa biseda [për të bërë] për t'u siguruar që kemi marrë vendimin. Por, unë kam shumë besim sepse ndiej një mbështetje shumë të fortë. Mendoj se liderët evropianë e kuptojnë këtë si thelbësore për ta bërë shumë të qartë me këtë vendim se ne e mbështesim Ukrainën në planin afatgjatë.

E njëjta gjë vlen edhe për pajisjet ushtarake. Ne kemi vendosur ta bëjmë atë që ne e quajmë Paqja Evropiane në mënyrë që të inkurajojmë më shumë mbështetje ushtarake për Ukrainën, në koordinim me shtetet tona anëtare. Ekziston një vullnet i përbashkët politik për të përmirësuar këtë mjet, për ta përmirësuar mekanizmin bazuar në parimin që duam të ofrojmë – nëpërmjet BE-së dhe nëpërmjet ndihmës dypalëshe – më shumë raketa, më shumë municione. Ne duam ta përshpejtojmë prodhimin e municioneve për ta ndihmuar Ukrainën ta mbrojë veten dhe ta mbrojë territorin e saj dhe ta mbrojë atdheun e saj.

Radio Evropa e Lirë: Sa i përket ndihmës ushtarake për Ukrainën, si mund të bëni me të vërtetë më shumë dhe me më shpejtësi, siç edhe thatë gjatë një fjalimi në agjencinë evropiane të mbrojtjes, në mënyrë që ta ndryshoni balancën e fuqisë në favor të Ukrainës në fushën e betejës?

Charles Michel: E dini, ky realitet... Në fakt, në të kaluarën, ndoshta brenda BE-së e kemi nënvlerësuar rëndësinë për të investuar më shumë në aftësitë tona mbrojtëse. Dhe, mendoj se sot ka gjithnjë e më shumë mbështetje për ata që mendonin për një kohë të gjatë se mbrojtja evropiane duhet të ishte një prioritet. Dhe kjo është arsyeja pse, në këtë Këshill Evropian, ne do të diskutojmë të ardhmen e Mbrojtjes Evropiane.

Për shembull, unë jam fuqimisht pro zhvillimit të një tregu të vërtetë të brendshëm për mbrojtjen. Dhe ne jemi fuqimisht pro bashkëpunimit më të madh industrial për ta ndërtuar një bazë shumë të gjerë industriale brenda BE-së. Kjo do të thotë që, në afat të shkurtër kohor, duhet të investojmë më shumë.

SHIKONI EDHE: Zgjerimi i BE-së: Merrni lajmet e mira, mos hamendësoni afate

Ne duhet të zgjerohemi më shumë, me më shumë kapacitete evropiane në ndihmë të Ukrainës. Kjo do të thoshte edhe më shumë mjete në duart tona për më shumë [kapacitet për] parandalim. Kjo është pika e parë.

Por, paralelisht duhet të punojmë në planin afatmesëm dhe atë afatgjatë për t’i ndërtuar këto baza industriale. Dhe, do të doja ta përgëzoja rolin e luajtur nga komisionari [për Treg të Brendshëm, Thierry] Breton dhe përfaqësuesi i lartë [për politikë të jashtme dhe siguri, Josep] Borrell në përpjekje për t’i inkurajuar shtetet anëtare me ambicie të përbashkëta në fushën e mbrojtjes evropiane, në përputhje me NATO-n, për t’u siguruar që Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare evropiane në të ardhmen do të kenë më shumë mjete në dispozicion për t’i mbrojtur qëllimet tona strategjike.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë tjetër mund të bëjë BE-ja për ta bërë lidershipin rus t’i braktisë synimet për të zhvilluar luftën kundër Ukrainës? Sepse ne shohim që Rusia po mëson se si t'i anashkalojë sanksionet dhe po bëhet gjithnjë e më e vështirë për BE-në të vazhdojë me pako të tjera [sanksionesh]?

Charles Michel: Mendoj se ka dy beteja që janë të tmerrshme. Në fushë, në terren në Ukrainë. Ukraina po vuan dhe po paguan një çmim shumë - shumë serioz. Në të njëjtën kohë ka një betejë politike, diplomatike. Dhe, ne duhet të bindim më shumë vende në mbarë botën se duke qenë të paqartë në marrëdhëniet e tyre me Ukrainën, me Rusinë... kjo është zgjedhja e gabuar.

Ne kemi nevojë për qartësi për t’i mbrojtur parimet e sovranitetit, parimet e integritetit territorial. Ne kemi nevojë për qartësi për ta mbrojtur Kartën e OKB-së. Ne po punojmë shumë për t’i sensibilizuar kolegët tanë në mbarë botën. Këto janë beteja të vazhdueshme.

Ju kujtohet, për shembull, në fillim të luftës, Rusia u përpoq të bindte shumë vende në Afrikë, në Amerikën Latine, se sanksionet tona do të shkaktonin pasiguri ushqimore. Kjo nuk është e vërtetë. Ne ia dolëm të bindim shumë liderë në këtë pjesë të botës se arsyeja e pasigurisë ushqimore është sepse Rusia ka vendosur ta shndërrojë Detin e Zi në një fushë beteje. Kjo për shkak se Rusia ka vendosur të pushtojë Ukrainën.

SHIKONI EDHE:

Biden e siguron Zelenskyn lidhur me mbështetjen globale për UkrainënAustin e viziton Ukrainën për ta siguruar për mbështetjen amerikane kundër RusisëUkrainasit u druhen lodhjes nga lufta dhe vëmendjes së botës te Gaza


Por sot, përsëri, veçanërisht për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme, ne jemi të sulmuar nga Rusia dhe nga kjo narrativë, në të cilën do të ndiqnim standarde të dyfishta. Kjo nuk është e pranueshme. Është përgjegjësia jonë për të treguar se nuk duam standarde të dyfishta. Ne duam respektimin e ligjit ndërkombëtar në Ukrainë, por edhe në pjesë të tjera të botës.

Radio Evropa e Lirë: Duke folur për Rusinë, presidenti rus, Vlladimir Putin, sapo ka njoftuar se do të garojë për mandatin e ardhshëm. Këtu do të doja t'ju pyesja, çfarë do të prisni nga mandati i tij i ardhshëm në rast se zgjidhet?

Charles Michel: Një gjë është absolutisht e qartë. Kjo është shumë e parashikueshme. Ne e dimë këtë me këtë regjim në Kremlin. Ne e dimë se ekziston një kërcënim për sigurinë e kontinentit evropian. Nuk është një kërcënim teorik. Ky është një kërcënim real. Dhe, kjo është arsyeja pse ne duhet të zhvillojmë sovranitetin tonë evropian. Ne duhet të zhvillojmë më shumë mjete. Ne duhet të punojmë për më shumë ndikim për t’i mbrojtur vlerat tona dhe për t’i mbrojtur interesat tona. Ne duhet të ndërtojmë aleanca. Ne duhet të angazhohemi me pjesën tjetër të botës. Ne duhet t’i kundërshtojmë lajmet e rreme ruse dhe narrativat ruse, sepse e dimë se qëllimi i Rusisë është t’i destabilizojë modelet tona demokratike.

Pse? Sepse Rusia në këtë regjim ka frikë nga parimet demokratike. Në fakt, ata janë në panik kur shohin se më shumë vende, fqinjë të tyre, do të donin të zhvillonin sisteme politike të bazuara në dinjitetin njerëzor, të bazuar në liritë, të bazuara në parimet demokratike. Ndoshta një nga arsyet e këtij vendimi të marrë nga Rusia dhe nga Kremlini për të pushtuar Ukrainën, është sepse ukrainasit bënë një zgjedhje shumë të qartë. Kjo është zgjedhja për lirinë, një zgjedhje për parimet demokratike. Kjo është një zgjedhje për më shumë prosperitet. Mund të shohim se në Rusi ekziston ky vullnet politik për të zhvilluar një model autoritar. Dhe, ata e dinë se demokracia për ta është një kërcënim.

Radio Evropa e Lirë: A do t'i njihte Bashkimi Evropian rezultatet e zgjedhjeve presidenciale në Rusi, duke marrë parasysh faktin se ata gjithashtu duan që ato të zhvillohen në territoret e okupuara të Ukrainës?

Charles Michel: Ju e dini se ne kemi marrë vendime shumë të guximshme për sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë dhe udhëheqjes ruse. Ne nuk jemi naivë. Ne nuk mendojmë se ato zgjedhje do të jenë të drejta dhe transparente.

Radio Evropa e Lirë: Të kalojmë te një zonë tjetër konflikti, atij mes Armenisë dhe Azerbajxhanit. Pala armene nuk përjashton që marrëveshja e paqes të nënshkruhet në të ardhmen e afërt, ndoshta edhe këtë vit. Pra, a prisni një marrëveshje të drejtpërdrejtë mes palëve, dua të them, mes Armenisë dhe Azerbajxhanit, apo do të nënshkruhet nën përkujdesjen e BE-së dhe Shteteve të Bashkuara?

Charles Michel: Thelbësor për mua është rezultati. Ju e dini se ne kemi punuar shumë fort me Armeninë dhe Azerbajxhanin në përpjekje për të rikthyer më shumë besim dhe më shumë mirëbesim. Kjo është shumë e vështirë sepse, siç e dini, ka vështirësi të mëdha për shkak të historisë e për shkak të marrëdhënieve. Por, ne po bëjmë njëfarë progresi. Dhe, unë jam shumë optimist. Pse? Sepse disa ditë më parë, një deklaratë e përbashkët u lëshua nga udhëheqja e Armenisë dhe Azerbajxhanit, kjo është pika e parë.

SHIKONI EDHE: Azerbajxhani dhe Armenia pajtohen për disa hapa drejt ndërtimit të besimit

Kishte një vullnet politik nga të dyja palët për të punuar për njohjen reciproke të sovranitetit dhe integritetit territorial. Nga të dyja palët ekziston vullneti i ndërsjellë për të punuar në përcaktimin e kufirit, i cili është shumë i rëndësishëm dhe për t’i përmirësuar lidhjet. Ne, në anën e BE-së, jemi të vendosur të punojmë me partnerët dhe me ta për të siguruar që sa më shpejt të jetë e mundur një traktat paqeje që do të nënshkruhej mes të dyja palëve.

Radio Evropa e Lirë: A do të ketë një garantues të veçantë që do të mbikëqyrte dhe siguronte zbatimin praktik të marrëveshjes së nënshkruar të paqes?
Charles Michel: E dini, de facto, komuniteti ndërkombëtar, përfshirë BE-në, po shikon se çfarë po ndodh në këtë pjesë të botës, sepse ne mendojmë se më shumë stabilitet dhe më shumë prosperitet në Kaukazin e Jugut është mirë për kontinentin evropian, është mirë për botën. Unë marr shembullin e armenëve etnikë. Ne mendojmë se ata duhet të kenë të drejtë të kthehen ose të paktën të kenë mundësi të vizitojnë këtë pjesë të Azerbajxhanit dhe siguria dhe të drejtat e tyre duhet të garantohen.

Ekzistojnë standarde ndërkombëtare në lidhje me mbrojtjen e pakicave që duhet të respektohen në përputhje me Kushtetutën e Azerbajxhanit, e cila duhet të jetë një kornizë për të garantuar atë mbrojtje të pakicave. Me kryeministrin Pashinyan dhe presidentin Aliyev po flasim për të gjitha sfidat që duhet të zgjidhen. Sinqerisht shpresoj se progresi i bërë ditët e fundit do të pasohet nga hapa shtesë në drejtimin e duhur për të normalizuar marrëdhëniet dhe për të siguruar më shumë stabilitet në atë rajon të rëndësishëm.

Radio Evropa e Lirë: A ka ndonjë referencë për të drejtat dhe sigurinë e armenëve të Karabakut në marrëveshjen e paqes apo ajo ka humbur rëndësinë e saj duke pasur parasysh eksodin masiv?

Charles Michel: Epo, nuk dua të hyj shumë në detaje për të mos e bërë më të vështirë. Por, nga njëra anë, nevojitet një traktat paqeje midis Armenisë dhe Azerbajxhanit për të organizuar një normalizim të marrëdhënieve të tyre. Ky traktat paqeje duhet të bazohet në procesin e zgjidhjes së caktimit të kufijve. Po ashtu, ky traktat paqeje mund të jetë gjithashtu një kornizë e mirë që ne mund ta përdorim si një levë për të përmirësuar lidhjen në rajon, gjë që është gjithashtu e mirë për zhvillimin ekonomik të vendeve të atij rajoni, duke përfshirë disa vende të tjera si Gjeorgjia.

Pika e dytë, çështja e sigurisë dhe e të drejtave të armenëve etnikë është diçka që nga ana e BE-së, ne po shohim detaje. Ne po angazhohemi shumë me presidentin e Azerbajxhanit për këtë temë, për të sensibilizuar dhe për t'i bindur autoritetet e Azerbajxhanit që të tregojnë se ne jemi në mirëbesim dhe se ata duan të mbrojnë pakicat dhe të garantojnë respektimin e standardeve ndërkombëtare. Ky është një debat politik që kemi dhe unë sinqerisht shpresoj se mund të bëjmë përparim në këtë prioritet të rëndësishëm për BE-në.

Eksodi masiv nga Nagorno-Karabaku


Radio Evropa e Lirë: Çfarë fshihet pas paralajmërimeve të zyrtarëve perëndimorë drejtuar udhëheqjes së Azerbajxhanit kundër përdorimit të forcës për të hapur një korridor përmes territorit armen? A ka ndonjë bazë reale për këtë frikë?

Charles Michel: Në fakt, për të qenë vërtet i saktë, ka një debat për modalitetet konkrete për lidhjen e Azerbajxhanit me Armeninë në drejtim të Nakhçivanit. Presidenti Aliyev e bëri shumë të qartë, shumë herë, se ai nuk ka asnjë pretendim territorial. Megjithatë, ka një debat mbi modalitetet konkrete për t'u siguruar që ato modalitete do të respektojnë sovranitetin dhe juridiksionin e Armenisë. Dhe ky është një shembull i temave shumë konkrete që diskutohen dhe temave që janë shumë të rëndësishme, sepse nëse mund t'i zgjidhim ato tema do të përmirësonim lidhjen mes tyre, do të përmirësonim bashkëpunimin ekonomik në atë rajon, do të përmirësonim edhe zhvillimin ekonomik.

Radio Evropa e Lirë: Si do ta komentonit faktin që bisedimet e nivelit të lartë për paqen me Armeninë dhe Azerbajxhanin janë ndërprerë muajin e fundit dhe se presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, refuzoi të marrë pjesë në negociatat në Bashkimin Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara. A keni pasur ndonjëherë ndoshta një lloj ndjenje se jeni mashtruar nga pala Azerbajxhanit gjatë gjithë këtyre rundeve të bisedimeve të paqes që u zhvilluan në Bruksel?

Charles Michel: Në fakt, do të doja të jem i saktë. Për shembull, dje këtu në Bruksel u zhvillua një takim ndërmjet këshilltarit tim politik dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Azerbajxhanit. Kjo po tregon se jemi në kontakt të vazhdueshëm me të dyja palët, Armeninë dhe Azerbajxhanin, dhe sot do të ketë një takim me ministrin e Jashtëm të Armenisë. Jemi shumë aktivë në prapaskenë.

Ne po punojmë shumë me Azerbajxhanin dhe Armeninë për të bërë përparim. Dua të them se nëse Armenia dhe Azerbajxhani bënë disa njoftime të përbashkëta disa ditë më parë, kjo është pjesërisht sepse ne i ndihmojmë ata. Ne i inkurajojmë ata. Ne sugjeruam disa opsione dhe disa ide për t'i afruar me njëri-tjetrin për temat që janë paralajmëruar. Ne jemi ende duke punuar për hapa shtesë për të inkurajuar një traktat paqeje, një marrëveshje normalizimi ndërmjet Armenisë dhe Azerbajxhanit. Ne jemi ende duke punuar për një takim që mund të zhvillohet në Bruksel. Por, ajo që është e rëndësishme, për mendimin tonë, është më shumë se vendndodhja e një takimi, janë rezultatet sepse për njerëzit në Armeni, Azerbajxhan, paqja, siguria, prosperiteti, janë të rëndësishme për ta, por edhe për ne. Kjo është arsyeja pse rezultati është më i rëndësishëm se vendi i takimit.

Radio Evropa e Lirë: Si përfundim, çfarë prisni nga zgjedhjet e ardhshme të BE-së dhe zgjedhjet e SHBA-së për sa i përket mbështetjes për Ukrainën?

SHIKONI EDHE: Ndihma e SHBA-së për Ukrainën rrezikon të venitet


Charles Michel: Viti 2024 do të jetë një vit i rëndësishëm demokratik brenda BE-së dhe në Shtetet e Bashkuara dhe nuk kam ndërmend të komentoj për procesin zgjedhor në Shtetet e Bashkuara. Por, kjo po tregon se me çfarë po përballemi me luftën e nisur nga Rusia kundër Ukrainës. Me sfidat që lidhen me ndryshimet klimatike. Me transformimin teknologjik të botës. Me zhvillimin e inteligjencës artificiale. Kjo tregon se ne kemi nevojë për një Bashkim Evropian më sovran. Do të thotë një Bashkimi Evropian që angazhohet me pjesën tjetër të botës, e cila po përpiqet të ndërtojë partneritete të forta me pjesën tjetër të botës. Një Bashkim Evropian me më shumë mjete për të mbrojtur qëndrueshmërinë tonë në nivel ekonomik. Ne kemi nevojë për një bazë më të fortë ekonomike. Ne kemi nevojë për një Bashkim Evropian më ambicioz për sa i përket mbrojtjes dhe sigurisë.

Pra, ky është debati demokratik që kemi për ato zgjedhje dhe brenda BE-së ata që mendojnë se e ardhmja jonë do të jetë më e mbrojtur, më e garantuar për fëmijët dhe nipërit tanë.

Për një Bashkim Evropian me më shumë mjete në drejtim të zhvillimit ekonomik, në aspektin e zhvillimit ekonomik, një treg i vetëm, në aspektin e inovacionit ekonomik nga njëra anë dhe më shumë mjete për sa i përket sigurisë dhe mbrojtjes - ata duhet të bëjnë zgjedhjet e duhura sepse zgjedhjet që do të bëjnë në kutinë e votimit, do të kenë ndikim në vitet e ardhshme.

Përgatitën: Doruntina Baftiu dhe Shkëlqim Hysenaj