Ndërlidhjet

Fico i Sllovakisë “nuk do të mbështesë” më shumë ndihmë ushtarake për Ukrainën


Kryeministri sllovak, Robert Fico.
Kryeministri sllovak, Robert Fico.

Kryeministri i sapozgjedhur sllovak, Robert Fico, nuk do ta mbështesë ndihmën e mëtejme ushtarake për Ukrainën, dhe as nuk do ta mbështesë zgjatjen e sanksioneve kundër Rusisë, në samitin e tij të parë të Bashkimit Evropian, kanë thënë të enjten mediat sllovake.

Zyra e Qeverisë së Sllovaki nuk është deklaruar publikisht.

Fico ka bërë fushatë intensive në shtator, me zotimet për të ndalur ndihmën ushtarake të Sllovakisë për Ukrainën, për t’i krijuar vetë politikat e jashtme dhe për t’i mbrojtur kufijtë prej migrantëve ilegalë.

Liderët e Bashkimit Evropian takohen të enjten në Bruksel për të diskutuar për konfliktin mes Izraelit dhe grupit militant palestinez Hamas, dhe pritet ta ripërsërisin ndihmën për Ukrainën, teksa përballet me pushtimin rus.

BE-ja dhe vendet tjera anëtare kanë ndarë miliarda euro ndihma për Ukrainën prej kur forcat ruse e kanë nisur luftën vitin e kaluar.

Mirëpo disa zyrtarë dhe diplomatë kanë shprehur shqetësim se Ukraina mund ta ketë të vështirë që ta sigurojë mbështetjen e njëjtë nga Perëndimi, sidomos nga Shtetet e Bashkuara, për shkak të krizës në Lindje të Mesme.

Në këtë samit dyditor të BE-së, liderët evropianë nuk do të arrijnë të merren vesh për ndihmën financiare për Ukrainën në vlerë të 50 miliardë eurove, dhe ndihmën tjetër ushtarake në vlerë të 20 miliardë eurove, pasi këto propozime janë pjesë e një plani më të gjerë që zyrtarët besohet se do ta përfshijnë në planin vjetor.

Para se të nisej të enjten në Bruksel, Fico, tre herë kryeministër i Sllovakisë – për herë të fundit më 2018 – dhe i emëruar për një mandat të katërt këtë javë, i ka thënë një komiteti parlamentar se nuk do ta mbështesë ndihmën ushtarake për Ukrainën.

“Të gjithë e shohim se nuk ekziston një zgjidhje ushtarake”, është cituar të ketë thënë Fico.

Për sanksionet kundër Rusisë, Fico ka thënë se nuk do të votojë për asnjë masë, derisa ta vlerësojë ndikimin e tyre në Sllovaki.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG