Vuçiq bisedon me O’Brien për “përshkallëzimin e situatës” në Kosovë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien. Fotografi nga arkivi.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se ka biseduar me ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, për “përshkallëzimin e situatës” në Kosovë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Vuçiq tha po ashtu se me zyrtarin e lartë amerikan gjatë takimit në Bruksel ka biseduar edhe për zhvillimet aktuale në botë dhe rreziqet në rritje për sigurinë.

“Përsërita qëndrimin e palëkundur të Serbisë që promovon paqen dhe ruan stabilitetin, duke kërkuar mbështetje të fortë dhe të qartë nga partnerët amerikanë në përpjekjet tona”, tha Vuçiq.

Më herët gjatë ditës, Vuçiq tha se Beogradi është i gatshëm të bashkëpunojë në kryerjen e një hetimi me të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe institucionet sa i përket shpërthimit në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, në Zubin Potok të Kosovës.

“Nëse [shpërthimi] është kryer nga ndokush që është i kombësisë serbe, dhe ai është në territorin nën të cilin ka kontroll efektiv Serbia, ai do të ndalohet dhe arrestohet në sekondë. Deri më tani, nuk kemi informacione të tilla”, tha Vuçiq për gazetarët në Beograd.

Ai tha se Serbia është e gatshme të bashkëpunojë në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit dhe në disa mënyra edhe me institucionet në Prishtinë, pa vënë në rrezik sovranitetin dhe pavarësinë e Serbisë.

SHIKONI EDHE: Vuçiq: Po zhvillojmë hetim për shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit

Vuçiq tha se më pak e rëndësishmja është se kush është autori, dhe më e rëndësishmja është se kush qëndron pas shpërthimit, duke hedhur poshtë mundësinë që prapa kësaj të jetë Rusia.

Shpërthimi ndodhi më 29 nëntor në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut – komunë me shumicë serbe në veri të vendit.

Policia e Kosovës ka thënë se sulmi është kryer me lëndë shpërthyese deri në 20 kilogramë.

Kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit gjithë veriun e Kosovës, rajonet e Mitrovicës, Prishtinën me rrethinë, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.

SHIKONI EDHE:

Shpërthimi në Ibër-Lepenc: Sfidë për institucionet, frikë për banorët lokalëHovenier për sulmin në Ibër-Lepenc: Herët të dihet fajtori, nuk mund të përjashtohet asnjë grup apo shtet

Autoritetet në Kosovë kanë fajësuar Serbinë për sulmin, por Beogradi ka mohuar përfshirjen në të.

Sulmi në Zubin Potok është dënuar ashpër nga faktori ndërkombëtar.