Ndërlidhjet

Vuçiq: Po zhvillojmë hetim për shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të dielën se autoritetet serbe po zhvillojnë një hetim për një shpërthim ndaj një kanali të Ibër-Lepencit në veri të Kosovës, duke i hedhur poshtë përsëri akuzat e autoriteteve kosovare se Beogradi ka gisht në sulmin ndaj infrastrukturës jetike kosovare.

Kosova dhe Bashkimi Evropian e kanë cilësuar këtë sulm si akt terrorist.

Shpërthimi mbrëmjen e së premtes i shkaktoi dëme të konsiderueshme kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, duke rritur frikën se shumë pjesë të vendit do të mbeteshin pa ujë dhe rrymë.

"Përveç që nuk kemi asnjë lidhje me këtë, ne kemi qenë aq të drejtë dhe, si një shtet serioz, nuk jemi marrë me akuza dhe nuk kemi thënë se ai sulm është urdhëruar drejtpërdrejt nga Kurti”, tha Vuçiq duke iu referuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, i cili e akuzoi Serbinë për “dirigjimin” e këtij sulmi “terrorist dhe kriminal”.

Ai tha se ky është "sulm hibrid ndaj një shteti".

Ai tha se hetimet do ta zbardhin të vërtetën, sepse “edhe ne po zhvillojmë hetimin tonë”.

“Kemi disa dyshime të caktuara, por hetimi do të tregojë se kush e ka urdhëruar. Mendoj se kemi disa njohuri për atë se kush mund të jetë kryerësi”, tha Vuçiq.

Ai pretendoi se që nga viti 1985 "ekziston një ide për të ndryshuar rrjedhën" e lumit Ibër, për ta lënë gjoja Gazivodën pa ujë. Siç deklaroi ai, me vendim të Qeverisë së Serbisë mund të ndryshohet rrjedha e lumit Ibër, por ai vetë ka qenë kundër kësaj, kur iu propozua, madje edhe kur ishte kryeministër, dhe nuk dëshironte që "natyra të përdoret për nevoja politike".

Vuçiq tha ka përpjekje për ta "ngadalësuar" rrugën e integrimit evropian të Serbisë, pasi javën e ardhshme pritet vendimi për hapjen e kapitujve, si dhe të shpallet Lista Serbe organizatë terroriste përpara afatit për dorëzimin e listës zgjedhore për zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë.

Negociatat mes Beogradit dhe Brukselit janë praktikisht të ngrira tash e tre vjet, kryesisht për shkak të mosvendosjes së sanksioneve kundër Rusisë.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë –pritet të marrë pjesë në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë, sipas kryetarit të saj Zllatan Ellek.

Ndërkohë, duke folur për mjetin shpërthyes që u përdor për ta dëmtuar kanalin e Ibër-Lepencit, Vuçiq tha se është “i sigurt” se bëhet fjalë për eksploziv ushtarak serb, "pasi mund te ishte konfiskuar gjatë një prej bastisjeve", duke aluduar në Policinë e Kosovës.

Autoritetet kosovare të sigurisë konfiskuan armatim gjatë bastisjes në veri të shtunën, për të cilin thanë se mund të lidhet me sulmet e kësaj jave dhe me raste të tjera që autoritetet janë duke i trajtuar.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se eksplozivi i përdorur në sulmin ndaj kanalit “është e pamundur të gjendet në tregun e zi, nëse nuk furnizohet drejtpërdrejt nga depot e ushtrisë”.

Shpërthimi në kanalin e Ibër-Lepencit: Kosova akuzon Serbinë, Serbia mohon akuzat
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:36 0:00

Vuçiq tha se Kurti i kishte kërkuar leje KFOR-it që Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) të vendosej në veri të Kosovës “nëntë minuta” pasi ishte njoftuar për shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit.

"Po pyes NATO-n dhe KFOR-in, a po flas të vërtetën apo jo?" tha Vuçiq.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se institucionet e Kosovës, pas shpërthimit në kanalin e Ibër-Lepencit në Komunën e Zubin Potokut në veri më 29 nëntor, kishin kërkuar autorizim nga komandanti i KFOR-it për dërgimin e mundshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në zonën e prekur.

"Komandanti i KFOR-it nuk ka dhënë një autorizim të tillë, bazuar në vlerësimin e tij të sigurisë dhe veprimet që tashmë janë ndërmarrë nga KFOR-i", tha KFOR në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë.

Shkuarjen e FSK-së apo vendosjen e bazave të saj në komunat veriore të banuara me shumicë serbe e pamundëson një marrëveshje e institucioneve të Kosovës me Aleancën e NATO-s.

Më 2013, nëpërmjet një letërkëmbimi kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, e siguroi NATO-n se FSK-ja nuk shkon në veri pa pëlqimin paraprak të KFOR-it.

Autoritetet kosovare të sigurisë njoftuan të shtunën vonë se tetë të dyshuar u arrestuan gjatë një aksioni të gjerë në veri të Kosovës në lidhje me këtë sulm që thanë se ishte më i rëndi ndaj infrastrukturës kritike të vendit që nga paslufta.

Vuçiq i akuzoi autoritetet kosovare se arrestuan “njerëz që nuk kishin asnjë lidhje me sulmin dhe për këtë
arsye shtatë prej tyre u liruan”.

“Kështu nuk zhvillohen hetime serioze, gjithçka ishte një shfaqje për opinionin ndërkombëtar”, tha ai.

Ministri Sveçla tha se të arrestuarit dyshohen edhe për lidhje dhe nxitje të sulmeve të fundit në veri të vendit gjatë kësaj jave, si sulmi me granata dore në stacionin policor dhe në ndërtesën e Komunës në Zveçan.

Gjendja në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe vazhdon të jetë e tensionuar tash e një vit, prej kur një grup serbësh të armatosur e sulmuan Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë më 24 shtator 2023, duke e vrarë një rreshter.

Prej atëherë, Policia e Kosovës ka konfiskuar sasi të ndryshme armatimi në disa raste.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG