I nominuari për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, tha se subjekti i tij do t'i fitojë zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit. Ai tha se më pas do të kërkojnë një partner të vogël për të formuar Qeverinë, duke shtuar se nuk beson se pas zgjedhjeve, koalicionet parazgjedhore, do të mbijetojnë.
Radio Evropa e Lirë: Z.Kurti, cilat janë top prioritetet të cilat mëtoni t’i realizoni si i nominuari i Lëvizjes Vetëvendosje, për postin e kryeministrit?
Albin Kurti: Lëvizja Vetëvendosje i ka 40 prioritete e Republikës, për shkak se ndryshimet që i duam ne, e janë të domosdoshme për qytetarët, janë ndryshime të mëdha që transformojnë jetën e qytetarit dhe veprimin e institucioneve në përgjithësi. Me këtë rast, unë do të kisha theksuar krijimin e Fondit Sovran të Republikës së Kosovës, që do të lidhej drejtpërdrejtë me Kuvendin e Republikës, me një kryeshef i cili ka përvojë ekzekutive në financa dhe në ekonominë globale.
Por gjithashtu, Fondi Sovran do të ishte ai që do të mundësonte, ta zëmë Trusti Pensional të blinte aksione në industritë strategjike, në energji, miniera dhe telekomunikacion dhe do të bëhej shuarja e Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Ndërmarrjet publike në njërën anë, që tash i kontrollon Qeveria, dhe ndërmarrjet shoqërore në anën tjetër, që tash i kontrollon AKP-ja, aty do të bëhej aksionari mazhoritar Fondi Sovran.
Fondi Sovran do të kombinohej me Agjencinë Zhvillimore, që zbaton programe zhvillimore të lëvizjes sonë në qeverisje dhe gjithashtu, Banka Zhvillimore me kredi të buta dhe afatgjate, me kamata nën 3 për qind dhe me afate mbi 20 vjet.
Pastaj do të kishim katër mijë banesa sociale, 160 çerdhe për fëmijë, shujta falas për të gjithë nxënësit prej klasës së parë deri në klasën e pestë, dhe pushimi i lehonisë një vjeçar, do të ishte gjysma e pagës e kompensuar nga shteti e gjysma nga punëdhënësi. Shtesa për fëmijë prej 10 euro në muaj, për secilin fëmijë nën moshën 15-vjeçare. Në gjykatat e Kosovës do të kishim Dhomën e Veçantë të Punës dhe gjithashtu do ta kishim edhe lirimin nga tatimi në fitim për të gjithë ata prodhues vendas, të cilët e riinvestojnë fitimin, hapin vende të punës dhe ndihmojnë në fuqizimin e sindikatave. Pastaj do ta rivitalizonim sistemin e ujitjes Ibër-Lepenc, sepse një fjalë e urtë e popullit thotë “jepi tokës për të pirë që ajo të të jap për të ngrënë”. Prej 74 mijë hektarë vetëm 12 mijë ujiten.
Me qeverisjen e Vetëvendosjes ne do ta çlirojmë nga ekzekutivi gjyqësorin, pra do ta rrisnim numrin e prokurorëve, gjykatësve, numrin e bashkëpunëtorëve profesionistë. Do ta bënim procesin e Vetting-ut, Ligjin anti-mafia e kështu me radhë. Pra, zhvillim, barazi dhe drejtësi në 40 prioritetet si masa qeverisëse.
Radio Evropa e Lirë: Për dy vjet, Kosova nuk arriti të përmbyllë shenjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, si kusht për liberalizimin e vizave. Çfarë zgjidhje ofroni ju në rast se vini në krye të Qeverisë?
Albin Kurti: Ne do ta hetojmë dhe hulumtojmë procesin e deritanishëm të udhëhequr nga zoti Meha [Murat Meha], të nënshkruar nga Thaçi e Hyseni, një proces ky që për mendimin tim, ka qenë i bazuar në premisa të gabuar me proceduar të padrejta dhe me rezultat shumë të dëmshëm. Ne kemi nevojë që të kemi delimtim para Demarkacionit. Nuk është bërë vija në hartë para se të bëhen në natyrë dhe rrjedhimisht Demarkacioni i kufirit në Kosovë ka qenë ndryshim kufiri e jo përcaktim kufiri.
Paralelisht me këtë, ne do të fillojmë bisedimet e drejtpërdrejta me Podgoricën zyrtare, në mënyrë që ne ta bëjmë një marrëveshje të re, në kushtet kur Malin e Zi e kemi shtet fqinj, që na ka pranuar pavarësinë, dhe me të ndodhemi në të njëjtën anë të dinamikave gjeopolitike ballkanike e globale, për shkak se edhe Mali i Zi do të hyjë në NATO e BE edhe ne po ashtu. Tashmë ata u bën anëtar, ndërkaq në anën tjetër, Mali i Zi porsi Kosova, i ka marrëdhëniet e acaruar me Beogradin dhe Putini.
Radio Evropa e Lirë: Nga Bashkimi Evropian janë dërguar mesazhe që Kosova, edhe pas formimit të Qeverisë së re, duhet ta vazhdojë dialogun me Beogradin. Si do të silleshit ju në raport me këtë procesin që po zhvillohet në Bruksel dhe me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe?
Albin Kurti: Së pari ne do të fillonim një dialog të hapur shoqëror, demokratik me serbët lokalë, me ç'rast ky dialog do të ishte dialog për zhvillim. Ne besojmë që integrimi arrihet nëpërmjet zhvillimit dhe barazisë, e jo thjesht nëpërmjet tolerancës. Serbët do t'i shohim në rolet tyre shoqërore në Kosovë, në rolet e tyre ekonomike, si student, si mjek, si inxhinier, si taksist, si amvise, si punëtor e si te papunë, e jo në bazë të identitetit të tyre kombëtar. Nuk janë gjithë serbët të njëjtë siç nuk janë as gjithë shqiptarët të njëjtë. Ky dialog do të ishte dialogu i parë në Kosovën e pasluftës që bëhet në mënyrë institucionale për integrim shoqëror.
Ndërkaq,dialogu me Beogradin aktualisht është i ndërprerë është inekzistent ai dialog. Për çfarëdo rifillimi të tij, do të duhej të ndryshojë korniza. Ne nuk jemi kundër dialogut në parim, por jemi kundër dialogut pa parime, dialogut asimetrik, ku Serbia vë kushte e Kosova nënshtrohet.
Radio Evropa e Lirë: Do ta kërkonit mbështetjen e serbëve për formimin e Ushtrisë së Kosovës?
Albin Kurti: Pa dyshim do të kërkojmë mbështetjen e serbëve, do të kërkojmë mbështetjen e opozitës, do të kërkojmë mbështetjen e pakicave të tjera sepse Ushtria do të jetë Ushtri e Kosovës, pa diskriminuar e pa privilegjuar askënd.
Radio Evropa e Lirë: Për formimin e Qeverisë do të nevojiten të paktën 61 vota në Kuvend. Keni ndonjë parashikim me cilin koalicion apo subjekte politike mund të përafroheni pas 11 qershorit për formimin e Qeverisë?
Albin Kurti: Më 11 qershor ne do ta mbrojmë fitoren tonë. Më 12 qershor, do ta festojmë fitoren tonë dhe më pas do të shohim se çka ka mbetur prej këtyre dy koalicioneve, që unë nuk besoj se do të mund të mbijetojnë edhe pas zgjedhjeve. Deri më tash, Lëvizja Vetëvendosje ka qenë e hapur për bashkëpunim, mirëpo si subjekt i parë që do të dalë nga këto zgjedhje, do ta marr një partner të vogël, varësisht se sa e çka mbetet prej këtyre koalicioneve. Kur të vijmë të ajo urë e kalojmë.