Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar në Tiranë me krerët e shtetit të Shqipërisë, për t’i informuar lidhur me Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi.
Kurti u takua me presidentin shqiptar, Bajram Begaj, kryetaren e Kuvendit Lindita Nikolla, dhe kryeministrin Edi Rama, i cili e priti në vilën qeveritare numër 30 në zonën e ish-bllokut.
Kreu i Qeverisë shqiptare theksoi në rrjetet sociale se e inkurajoi kryeministrin Kurti “në hedhjen e hapave të mëtejshëm si për garantimin e komunave serbëve në kornizën e Asociacionit, që garanton vetëmenaxhimin e komunitetit serb, qoftë për funksionimin me garancitë e nevojshme të Kishës Serbe në vendet e saj të kultit në Kosovë”.
SHIKONI EDHE: Asociacioni, hapi i parë i zbatimit të Marrëveshjes për normalizimRama tha se në këtë proces, Kurti ka mbështetjen e tij të plotë.
Kreu i Qeverisë shqiptare po ashtu bëri të ditur se me homologun kosovar janë pajtuar që mbledhja e ardhshme e dy qeverive do të mbahet në qershor.
Në takim me Begajn, sipas një njoftimi për media nga zyra e Kurtit, kryeministri kosovar tha se e ka njoftuar kreun e shtetit shqiptar për marrëveshjen e arritur me Serbinë më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut “dhe për qasjen konstruktive që Kosova ka ndjekur në këtë takim, por edhe gjatë gjithë procesit”.
Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, më 18 mars arritën marrëveshje për Aneksin e zbatimit të propozimit evropian.
Paraprakisht, më 27 shkurt palët arritën marrëveshje për propozimin evropian, apo siç njihet ndryshe edhe si Marrëveshja drejt normalizimit të raporteve.
Kjo marrëveshje synon të çojë palët drejt një marrëveshjeje përfundimtare, ligjërisht të obligueshme.
SHIKONI EDHE: Blogu i Brukselit: Marrëveshja e vetëkënaqshme e BE-së për Kosovën e SerbinëEdhe presidenti Begaj ka vlerësuar se Marrëveshja e Ohrit “është një garanci më shumë për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen e vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian”. Kreu i shtetit shqiptar ka kërkuar që të gjenden mekanizmat e duhur për ta kthyer këtë dakordësim publik në një marrëveshje të detyrueshme e të zbatueshme për palët ndërkombëtarisht.
Ndërkaq zyra e Kuvendit të Shqipërisë thanë se kryeparlamentarja Lindita Nikolla theksoi se “do të vijojmë të lobojmë për njohjet e reja ndërkombëtare, anëtarësimin në Këshillin e Evropës, OKB dhe organizatat ndërkombëtare”.
Marrëveshja drejt normalizimit, e përbërë nga 11 nene, nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.
Ajo kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.