Paralajmërimet e ‘frikshme’ nga SHBA-ja

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Senatori amerikan, David Perdue ka paralajmëruar mundësinë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të rishqyrtojnë praninë e tyre në Kosovë, në rast se kjo e fundit nuk e heq tarifën prej 100 për qind ndaj prodhimeve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Paralajmërimet e senatorit Perdue janë mbështetur edhe nga i dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë – Serbi, ambasadori Richard Grenell.

Duke komentuar zhvillimet politike në Kosovë dhe mungesën e një vendimi nga Qeveria e Kosovës për heqjen e tarifës, senatori amerikan David Perdue, përmes një shkrimi në Twitter ka thënë se në rast që Kosova nuk i shfuqizon detyrat ndaj Serbisë dhe nuk është e përkushtuar për paqen, atëherë SHBA-ja duhet të rishqyrtojë praninë e saj në Kosovë.

“Për më shumë se dy dekada, forcat amerikane kanë ndihmuar në ruajtjen e paqes mes Kosovës dhe Serbisë. Tani, me përparimin e bërë historik, Kosova duhet të bëjë pjesën e vet dhe të shfuqizojë të gjitha detyrat e vendosura ndaj Serbisë. Nëse Kosova nuk është plotësisht e përkushtuar për paqe, atëherë SHBA-ja duhet ta rishqyrtojë praninë e saj atje”, ka shkruar a senatori Perdue.

Edhe i dërguari i presidentit Trump për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ambasadori Richard Grenell, e ka mbështetur deklaratën e senatorit Perdue në Twitter. Grenell vazhdimisht ka kërkuar që Qeveria Kurti t’i shfuqizojë në tërësi masat tarifore dhe të mundësojë vazhdimin e dialogut me Serbinë.

Reagime në Kosovë

I pyetur nga gazetarët lidhur me këtë deklaratë të senatorit Perdue, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një konferencë për media ka thënë që raporti i Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është special, i përjetshëm dhe duhet të kultivohet.

“Unë mendoj dhe kam besim të plotë që relacioni me SHBA-në nuk do të mbetet pre e tekeve apo aspiratave të një politike të ngurtë dhe elektorale ditore, por do të kemi një fokus të vendimmarrjeve të shpejta, të qarta të kultivimit dhe forcimit të partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne, të gjithë liderët politikë të Kosovës, jemi të zëvendësueshëm”.

“Partneriteti strategjik, i përjetshëm dhe i veçantë me SHBA-në është i përjetshëm. Ai është vullneti i qytetarëve të Kosovës dhe ky vullnet duhet të zbatohet nga të gjithë liderët politikë të Kosovës dhe jo që raporti me SHBA-në të cenohet për shkak të një grushti të votave”, tha Thaçi.

Nga data 15 mars, sipas një plani të propozuar nga kryeministri Albin Kurti, Kosova do të duhej të zbatonte masat gjysmake për heqjen e taksës ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Kryeministri Kurti më 27 shkurt pati propozuar që më 15 mars të hiqet tarifa për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, si "shenjë e vullnetit të mirë" dhe e gatishmërisë “për fillim të zgjidhjes së mirëfilltë të mosmarrëveshjeve ekonomike, tregtare dhe politike me Serbinë”.

Por, propozimi i Kurtit nuk gjeti mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e madje as të partnerit të koalicionit qeverisës, Lidhjes Demokratike të Kosovës.

SHBA i ka kërkuar kryeministrit Kurtit heqjen e plotë të tarifës dhe me këtë propozim është pajtuar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

SHIKONI EDHE: Grenell mbështet qasjen e Mustafës për heqjen e taksës

Në një situatë të tillë, kryeministri Kurti nuk pritet që të arrijë zbatimin e këtyre masave gjysmake, përderisa Qeveria e Kosovës nuk e voton propozimin e tij.

Abduallah Hoti, zëvendëskryeministër i parë i Qeverisë së Kosovës, nga radhët e LDK-së, thotë për Radion Evropa e Lirë se nevojiten ende bisedime brenda ekzekutivit për të gjetur rrugën më të mirë lidhur me çështjen e tarifës, për shkak se aktualisht ende nuk ekziston një pajtim për propozimin e kryeministrit.

“Vendimi i tillë merret vetëm në mbledhje të qeverisë. Nuk mund të merret ndryshe. Nuk kemi ende pajtim. Unë besoj që çfarëdo mase që ndërmarrim duhet të jetë plotësisht në pajtim me partnerët tanë strategjikë. Nëse e shihni edhe tarifën–tash kur më nuk ka më mbështetje për këtë masë, pra për tarifën, nga partnerët tanë kryesorë – kjo tarifë, praktikisht më nuk është duke dhënë efekt për forcimin e shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, sepse nuk është duke na përkrahur më askush për këtë masë. Prandaj po them që çfarëdo mase që marrim–sigurisht që e përdorim të drejtën tonë kushtetuese – por, ne duhet të pajtohemi edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë”, tha Hoti.

Koalicioni jounik

Njohësi i zhvillimeve politike, Artan Muhaxhiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë që dallimet ndërmjet partnerëve të koalicionit qeverisës, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, lidhur me tarifën prej 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, janë të mëdha dhe ato tashmë janë bërë publike.

“Kjo çështje nuk do të mund të zgjidhet nëse njëra prej palëve nuk bën kompromis të madh. Pra, Vetëvendosje ose LDK-ja do të duhet që ta bëjnë një kompromis të madh dhe ta ndryshojnë qëndrimin aktual që e kanë, sepse kështu, ato janë duke shkuar në një konfrontim, i cili mund të eskalojë dhe ta rrezikojë edhe Qeverinë Kurti”, vlerësoi Muhaxhiri.

Ai shtoi se heqja e tarifës ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës është e ndërlidhur me vazhdimin e dialogut Kosovë –Serbi, për gjetjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që do ta zgjidhte kontestin ndërmjet dy vendeve.

Sipas tij, çdo projekt i madh gjeopolitik që ka të bëjë me Ballkanin Perëndimor, nënkupton edhe presione të mëdha ndaj palëve të përfshira në konteste. Presione të ngjashme sikurse kjo e tashmja ndaj Qeverisë Kurti për heqjen e tarifës, siç thotë ai, kanë ndodhur edhe në të kaluarën, por tash i mbetet kryeministrit Kurti që lëshojë pe ose të ballafaqohet me pasojat politike që mund të rezultojnë nga këmbëngulja në qëndrimin e tij.

“Rruga më e duhur do të ishte një tentim i kryeministrit Kurti që të ofrojë edhe alternativa tjera, të cilat do të mund të ishin të pranueshme për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mirëpo, do të ketë probleme të mëdha nëse ai e refuzon bashkëpunimin me Amerikën në këtë pikë. Prandaj, mbase edhe si një nga opsionet mund të jetë edhe ndryshimi i qëndrimit, sepse me këtë presion të madh, do të jetë shumë e vështirë për kryeministrin Kurti që të dalë fitues në raport me presionin e madh amerikan, por edhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, u shpreh Muhaxhiri.

*Video nga arkivi: Kurti tregon hapat e heqjes së taksës ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnja

Your browser doesn’t support HTML5

Kurti tregon hapat e heqjes së taksës ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnja

Në planin e tij për heqjen e taksës, kryeministri Kurti ka theksuar që pas heqjes së tarifës për lëndën e parë, më 15 mars, nëse Serbia ndalë fushatën për çnjohje dhe zotohet për heqjen e barrierave jotarifore, nga 1 prilli, tarifa do të hiqet prej një periudhe prej 90 ditësh. Nëse Serbia nuk i përmbahet këtyre zotimeve, sipas Kurtit, nga 15 qershori, do të rivendoset taksa 100 për qind dhe do të zbatohet parimi i reciprocitetit.

SHIKONI EDHE: Bashkimi Evropian mirëpret njoftimin e Kurtit për tarifat

Ky plan është kundërshtuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë – Serbi, ambasadori amerikan në Gjermani, Richard Grenell, deklaroi se kryeministri i Kosovës bën “gabim serioz”, pasi sipas tij, kërkesa e SHBA-së është që tarifat të hiqen plotësisht.

Tarifa 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës është vendosur nga Qeveria e Kosovës në nëntor të vitit 2018, por ajo ishte vlerësuar si pengesë për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pasi kjo e fundit ka refuzuar që të kthehet në tavolinën e bisedimeve pa u hequr tarifa.

Që atëherë, SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian, në vazhdimësi u kanë kërkuar autoriteteve të Kosovës që të heqin tarifën, për t’i hapur rrugë rinisjes së dialogut.