Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se rezultatet e regjistrimit të popullsisë do t’iu mundësojnë institucioneve që të krijojnë politika, strategji dhe të marrin vendime më të mira për zhvillim më të qëndrueshëm.
Këto deklarata Kurti i bëri gjatë ceremonisë së mbajtur më 25 maj për shënimin e përfundimit të regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Kosovë.
“Të dhënat e mbledhura do të jenë baza për politika, strategji e vendime më të mira, për një zhvillim edhe më të hovshëm e më të qëndrueshëm të vendit tonë”, tha Kurti.
Regjistrimi i popullsisë nisi më 5 prill. Fillimisht ishte caktuar që të përfundonte më 17 maj, por pas kërkesave të disa komunave, procesi u shty deri më 24 maj.
Gjatë këtij procesi, edhe diaspora ka mundur të regjistrohet përmes një platforme online.
Agjencia e Statistikave të Kosovës e vlerësoi të suksesshëm procesin e regjistrimit.
"Regjistrimi i popullsisë, si një nga projektet më madhore dhe më komplekse të një vendi në kohë paqeje, përkundër sfidave dhe kompleksitetit që ka pasur, u realizua me shumë sukses. Suksesi është arritur falë bashkëpunimit dhe koordinimit që ka pasur ASK-ja me institucionet e tjera [vendore e ndërkombëtare]", u tha në njoftimin për media të ASK-së.
Më 5 prill, kur edhe filloi regjistrimi – Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë e cila gëzon mbështetjen e Beogradit – kishte thënë se serbët nuk do të merrnin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë.
SHIKONI EDHE: “As s’na troket kush në derë, as s’do ta hapim”: Serbët në veri hezitojnë të regjistrohenRegjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë, në vitin 2011, nuk ishte mbajtur në katër komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan – të banuara me shumicë serbe, ndërsa serbët nga komunat e tjera në jug, me ftesë të Beogradit, kryesisht e kishin bojkotuar procesin.
Sipas Ligjit për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, çdo person mund të gjobitet nga 30 deri në 2.000 euro, nëse refuzon t’i japë informacionet e kërkuara nga regjistruesi.
Gjobat janë edhe më të mëdha, deri në 20.000 euro, për biznese.