Ndërlidhjet

“As s’na troket kush në derë, as s’do ta hapim”: Serbët në veri hezitojnë të regjistrohen


Qytetarë duke ecur në një bulevard në Mitrovicë të Veriut. Tetor, 2023
Qytetarë duke ecur në një bulevard në Mitrovicë të Veriut. Tetor, 2023

Regjistruesit nuk kanë trokitur ende në derën e familjes 6-anëtarëshe Milletiq në Leposaviq, edhe pse kanë kaluar më shumë se tri javë që nga nisja e procesit të regjistrimit të popullsisë në Kosovë.

Kjo familje thotë se nuk është e sigurt se do të përgjigjet në pyetjet nga pyetësori, edhe nëse dikush do t’i trokiste në derë gjatë dy javëve të ardhshme.

“Kjo është bërë më shumë çështje politike”, thotë Dallibor Milletiq për Radion Evropa e Lirë, duke iu referuar regjistrimit të popullsisë që ka nisur më 5 prill dhe do të vazhdojë deri më 17 maj.

Ai shton se askush nuk ua ka shpjeguar detajet e këtij procesi dhe se mesazhe kontradiktore po dëgjohen si nga Prishtina, ashtu edhe nga përfaqësuesit politikë të serbëve.

Edhe pse beson se do të ishte mirë të dihej numri i saktë i pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë, ai thotë se “ky nuk është moment i favorshëm për regjistrim”.

“Nuk e di ende se çfarë do të bëj [sa i përket regjistrimit]”, thotë ky banor i Leposaviqit - komunë e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Regjistruesit nuk e kanë vizituar ende as pensionistin nga Mitrovica e Veriut, Dragan Illiq.

Në këtë komunë, të banuar po ashtu me shumicë serbe, ai jeton vetëm me gruan e tij, por thotë se nuk do të marrë pjesë në regjistrim, edhe nëse dikush u troket në derë dhe u kërkon t’iu përgjigjen disa pyetjeve.

“Populli nuk është budalla, populli sheh, populli kupton. Ky regjistrim do të thotë shkatërrim për të. Thjesht, kjo është situata në Kosovë tani”, thotë Illiq për Radion Evropa e Lirë.

Familjet Milletiq dhe Illiq nuk janë të vetmet që hezitojnë ose refuzojnë të regjistrohen.

Shumica e serbëve në katër komunat në veri të Kosovës refuzojnë të regjistrohen, thanë zyrtarë tëAgjencisë së Statistikave të Kosovës, të hënën.

Drejtori i kësaj agjencie, Avni Kastrati, tha se bojkotimi i regjistrimit nuk është gjë e mirë për komunitetin serb dhe nëse vazhdon, shtoi ai, aje do të bëhet vetëm vlerësimi i popullsisë.

Në “thirrjen” për bojkotim ka marrë pjesë Lista Serbe - partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit.

Para fillimit të regjistrimit, ajo ka thënë se pjesëtarët e komunitetit serb nuk do të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë, për shkak të “represionit” nga autoritetet e Kosovës.

Në komunat me shumicë serbe në veri, tensionet janë të larta tash e sa kohë. Krizat kanë vazhduar që kur serbët janë larguar nga institucionet e Kosovës në veri, me iniciativën e Listës Serbe, në nëntor të vitit 2022.

Pas tërheqjes së tyre, udhëheqjen e katër komunave në veri - Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq - e kanë marrë kryetarët shqiptarë, gjë që i ka rritur tensionet edhe më shumë.

Serbët në veri të Kosovës nuk kanë marrë pjesë as në regjistrimin e fundit të popullsisë në vitin 2011, ndërsa pjesëtarët e komunitetit serb në jug të Ibrit, në përgjithësi, e kanë bojkotuar atë, me ftesë të Beogradit zyrtar.

Sipas atij regjistrimi, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë është rreth 1.8 milion - prej të cilëve rreth 25.000 janë serbë. Megjithatë, sipas vlerësimeve të sektorit civil, janë rreth 100.000 pjesëtarë të komunitetit serb që jetojnë në Kosovë.

Regjistrimi i popullsisë: Gjërat që duhet t’i dini
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:55 0:00

Si është situata në jug të Ibrit?

Radio Evropa e Lirë e pyeti Agjencinë e Statistikave të Kosovës se sa pjesëtarë të komunitetit serb i janë përgjigjur regjistrimit deri më tani, por nuk mori përgjigje.

Drejtori i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati, tha në një konferencë për media të hënën se serbët në jug të Ibrit po “regjistrohen në mënyrë masive”, por nuk dha ndonjë shifër.

Nebojsha Vesiq jeton me familjen e tij 4-anëtarëshe në Kllokot, që është njëra nga gjashtë komunat me shumicë serbe në jug të Ibrit.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai tregon se i është përgjigjur regjistrimit, sepse, siç thotë, është e nevojshme të dihet se sa pjesëtarë të komunitetit serb jetojnë në Kosovë.

“Të dihet se kush jemi, ku jemi. I vetmi problem është se zgjat pak shumë, kërkon kohë”, thotë ai.

Një prej pasojave të bojkotimit të regjistrimit të popullsisë mund të jetë zvogëlimi i buxhetit për komunat, sepse fondet ndahen në bazë të numrit të banorëve në një vetëqeverisje lokale.

Në Kosovë janë gjithsej dhjetë komuna me shumicë serbe.

Bekim Salihu, nga Instituti Kosovar për Studime të Avancuara GAP, ka thënë më herët për Radion Evropa e Lirë se bojkotimi i regjistrimit të popullsisë mund të ndikojë negativisht në zhvillimin ekonomik lokal.

Sipas tij, nëse në një komunë nuk dihet numri i saktë i banorëve, atëherë është e pamundur të vlerësohet potenciali njerëzor dhe ekonomik - gjë që mund të çojë, sipas tij, në mungesë strategjish apo planifikimi.

Regjistrimi i diasporës: Çfarë përfiton Kosova?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:38 0:00

Boban Simiq, nga organizata joqeveritare Qendra për Veprime Afirmative Sociale (CASA), thotë se procesi i regjistrimit në komunat në veri “pothuajse nuk zhvillohet fare” dhe kjo, sipas tij, është pasojë e “organizimit të dobët dhe mungesës së fushatës” nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Ai thekson se ky nuk është procesi i vetëm që organizohet nga institucionet e Kosovës në veri e që bojkotohet nga pjesëtarët e komunitetit serb, dhe kujton këtu votimet që u zhvilluan këtë muaj për zëvendësimin e kryetarëve shqiptarë në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Serbët i bojkotuan këto votime me ftesë të Listës Serbe.

“Nëse marrim parasysh se regjistrimi përfundon më 17 maj dhe, ndërkohë, janë festat e 1 Majit dhe të Pashkëve - kur shumë njerëz do të jenë jashtë Kosovës - është vështirë të pritet që të ketë ndonjë ndryshim të dukshëm në trendin e regjistrimit në veri”, thotë Simiq për Radion Evropa e Lirë.

Regjistruesit janë të obliguar që të njëjtën amvisëri ta vizitojnë tri herë, në rast se në dy herët e para nuk gjejnë dikë, nga i cili do t’i merrnin të dhënat.

Gjatë vizitës në amvisëri, regjistruesit janë të detyruar ta lënë një njoftim se kanë qenë dhe nuk kanë gjetur askënd.

Agjencia e Statistikave të Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të jenë aktivë dhe t’u drejtohen komunave të tyre nëse regjistruesit nuk shkojnë te ta në pesë-gjashtë ditët e ardhshme.

Ata që vendosin të mos regjistrohen, mund të përballen edhe me gjoba që i parasheh ligji: nga 30 deri në 2.000 euro.

Gjobat për biznesmenët janë edhe më të larta dhe shkojnë deri në 20 mijë euro.

Gjatë 24 ditëve të para të procesit janë regjistruar rreth 891.000 banorë.

Rezultatet preliminare të regjistrimit pritet të publikohen në gjysmën e dytë të qershorit.

Kontribuoi Maja Fiqoviq; përktheu Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG