Opozita i kërkon Kurtit platformë për dialog

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë një paraqitjeje para Kuvendit të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një debati parlamentar në Kuvendin e Kosovës, ka kritikuar marrëveshjet e arritura në proceset e kaluara të dialogut me Serbinë.

Kryeministri Kurti përmendi një nga një marrëveshjet që u arritën në Bruksel nga qeveritë e kaluara, duke thënë se shumica prej tyre nuk kanë gjetur zbatim dhe se kanë qenë të dëmshme për Kosovën.

Përkundër insistimit të partive opozitare, Kurti nuk pranoi të fliste shumë për takimin e 15 qershorit, kur në Bruksel pritet të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në atë që cilësohet si rifillim i dialogut për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Opozita kërkoi nga kryeministri më shumë informacione për përgatitjet e qeverisë për takimin e 15 qershorit si dhe u kërkoi prezantimin e një platforme nga ekzekutivi për këtë proces.

SHIKONI EDHE: Zbatimi i marrëveshjeve, peng i rinegociimit

Megjithatë, Kurti tha se nuk mund të paraqesë platformë, pasi siç tha ai, dialogut të ri ende nuk i dihet agjenda.

“U kërkua që këtu ne të vijmë më platformë për takimin e së martës. Gabim do të ishte. Është gabim. A e dini pse? Sepse në javën e ardhshme nuk do të ketë takim të ri të dialogut të vjetër. Nuk do të jetë një takim i radhës i të njëjtin dialog që na ka sjellë në këtë situatë. Por, do të jetë takim për dialogun e ardhshëm. Ky është dallim i madh konceptual”, theksoi ai.

Kurti tha se qeveritë e kaluara që kanë udhëhequr me procesin e dialogut kanë bërë gabime të shumta që kanë vendosur Kosovën në një pozitë të dobët.

“Çfarëdo platforme për dialogun e ri do të ishte gabim para takimit për dialogun. Platforma nuk është hapi i parë. Kur e përpilon platformën e ke pranuar dialogun, dialogut që ende si dihet agjenda. Prandaj ju keni bërë këso gabime dhe na keni sjellë në këtë situatë”, deklaroi kryeministri Kurti.

Opozita ia përmendi kryeministrit Kurti qëndrimet që ai kishte para se të vinte në pushtet se nuk bënë të bisedohet me Serbinë pa kërkuar falje dhe se nuk duhet të bisedohet pa u zgjidhur fati i të pagjeturve.

Hoxhaj kritikon paraqitjen e Kurtit

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, kritikoi paraqitjen e kryeministrit Kurti.

Hoxhaj tha se priste që në këtë seancë të diskutonte për dialogun ku kryeministri do t’i bënë publike parimet, qëllimet, temat, afatet kohore.

“Mënyra se si ka folur sot për dialogun, kësaj i thonë sharlatanizëm, papërgjegjësi, sjellje joserioze dhe jodinjitoze. Sinqeritet cinik dhe fraza hipokrite, mjerisht”, deklaroi Hoxhaj.

SHIKONI EDHE: Unifikimi për dialogun, në duart e Kurtit

Hoxhaj tha se paraqitja e kryeministrit Kurti ia ka bërë të qartë atij se dialogu me Serbinë nuk është i përgatitur politikisht e as në aspektin diplomatik.

LDK: Kurti po shkon në dialog i papërgatitur

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, akuzoi kryeministrin Kurti se po shkon në raundin e ri të bisedimeve i papërgatitur dhe duke shkelur çdo parim e premtim që të kishte dhënë sa ishte në opozitë.

Abdixhiku kritikoi Kurtin, i cili, sipas tij ka ndryshuar aq shumë prej se ka ardhur në pushtet saqë ka harruar faktin se për shumë vite kishte kundërshtuar dialogun pa kushte.

“Ju do të duhej që në këtë kuvend të paraqisni një dokument që së paku i paraqet parimet e kufizimet tuaja në këtë proces të rëndësishëm dhe keni pasur tre muaj ditë kohë. Këtë kohë e keni shfrytëzuar sërish për populizëm duke thënë se dialogu nuk është prioritet, por ja që të martën vizitën e dytë të tuajën jashtë vendit me dy këmbë e duar në tavolinë dialoguese”, tha Abdixhiku.

Abdixhiku tha se çdo marrëveshje që mund të nënshkruajë qeveria e drejtuar nga Albin Kurti duhet të kalojë nëpër filtrin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

SHIKONI EDHE: Kurti: Bashkëpunimi i BE-së dhe SHBA-së në dialog, i domosdoshëm

Haradinaj do që SHBA-ja të ketë një të dërguar për dialogun

Të papërgjegjshëm e ka cilësuar raportimin e kryeministrit Albin Kurti, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Haradinaj kërkoi nga qeveria dhe kryeministri Kurti që me çdo kusht të kërkojnë nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden, emërimin e një emisari për dialogun Kosovë-Serbi.

“Pse kryeministri i Kosovës nuk i drejtohet presidentin amerikan (Joe Biden) së bashku me presidenten (Vjosa Osmani), kryetarin e kuvendit (Glauk Konjufca), qoftë edhe me partitë e tjera dhe t’i kërkohet një i ngarkuar special, një emisar special për dialogun Kosovë-Serbi, për njohjen, siç e ka quajtur presidenti Biden, reciproke, më në fund. Ku është problemi pra?”, deklaroi Haradinaj.

SHIKONI EDHE: Opozita i kërkon Palmerit rol më të madh të SHBA-së në dialog

Për shkak të mungesës në seancë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, partitë opozitare u larguan nga salla plenare.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri dhe shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi thanë se nuk ka kuptim vazhdimi i seancës pa prezencën e kryeministrit, i cili e kishte thirrur vet debatin.

15 qershori ballafaqon Kurtin e Vuçiqin

Dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë pritet të rifillojë të martën, më 15 qershor.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, kanë shprehur qëndrime të kundërta sa i takon temave që do të fliten në këtë takim.

Procesi i dialogut ngeci vitin e kaluar kur asokohe, pala serbe rihapi çështjen e zbatimit të Marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

SHIKONI EDHE: Vuçiq: Nuk do të jetë e lehtë në Bruksel

Në Kosovë është kundërshtuar vazhdimisht formimi i një asociacioni njëetnik, derisa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se Kurti nuk ka nevojë të shkojë në Bruksel, nëse nuk dëshiron të bisedojë për formimin e Asociacionit.

Marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë nuk u zbatua asnjëherë, pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.

Dialogu i Brukselit u ndërpre disa herë në të kaluarën, por pauzën më të gjatë ky proces e pati, pas vendosjes së tarifës 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Taksa u vendos në fund të vitit 2018.

Dialogu Kosovë-Serbi i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, filloi në vitin 2011 dhe përmes tij synohet arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve mes dy vendeve.