Kurti: Nuk mund të barazohet fjala komunitet me Asociacion

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se në Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve me Serbinë, flitet për arritjen e një niveli “adekuat të vetëmenaxhimit të komunitetit serb” e jo për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Kurti u përgjigj kështu për gazetarët kur u pyet të komentonte deklaratën e emisarit evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, i cili në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 21 mars, tha se neni 7 i Marrëveshjes drejt normalizimit, nuk përfshin zotime të reja për Kosovën, por nënkupton krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Nuk mund të barazohet fjala komunitet me komunë, e as me fjalën Asociacion, ashtu siç nuk mund të barazohet fjala popull me fjalën Republikë”, tha Kurti pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës.

Kosova dhe Serbia më 27 shkurt u pajtuan për Marrëveshjen drejt normalizimit, apo që njihet ndryshe edhe si propozimi evropian. Ndërkaq, më 18 mars, palët u pajtuan për Aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

Në nenin 7 të marrëveshjes, kërkohet të sigurohet “një nivel i përshtatshëm i vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë”. Pavarësisht se ky formulim duket se është referencë për Asociacionin, në tekstin e marrëveshjes nuk përmende Asociacioni në mënyrë eksplicite.

“Në pikën 7 të Marrëveshjes Bazë thuhet një ‘nivel adekuat i vetëmenaxhimit të komunitetit serb’. Thuhet komunitetit serb, e jo komunave. Komuniteti nuk është kategori territoriale. Komunat janë njësi territoriale dhe administrative, por nuk është e njëjta gjë. Unë e kuptoj që s’janë krejtësisht të ndryshme, të pa lidhura, por nuk janë e njëjta gjë”, tha Kurti.

SHIKONI EDHE:

Lajçak: Kemi qenë më ambiciozë, por Marrëveshja e Ohrit është e detyrueshmeKurti: Vuçiq refuzoi ofertën time për vetëmenaxhimin e serbëve Vetëmenaxhim a Asociacion

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Duke komentuar deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili tha më 21 mars se Beogradi nuk do të zbatojë pjesë të marrëveshjes që thonë se nuk do të pengohet anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare, Kurti tha se BE-ja “duhet të dëshmohet tani” që marrëveshja të respektohet.

“Ne kemi marrëveshje, kishim marrëveshje më 27 shkurt, bëmë sërish marrëveshje më 18 mars dhe që të dyja janë marrëveshje. BE-ja po thotë që është marrëveshje, në anën tjetër keni deklarata të palës serbe e cila tregon se si nuk e ka ndërmend të zbatojë diçka apo se si tashmë po shkel diçka tjetër. Por, ne nuk do të mund të merremi me këtë, andaj ekziston ndërmjetësuesi. Tash, BE-ja është ajo që duhet të sigurojë që marrëveshjet e dakorduara duhet të zbatohen në terren. Nuk ka kuptim që marrëveshjet të ngelen tekst në letër, pa ndryshuar realitetin e qytetarëve. Është ndërmjetësi ai që imponon zbatimin ose konstaton moszbatim, shkelje apo sanksione përkatëse. Është ndërmjetësi ai që e ka fjalën tash për çfarëdo devijimi, deformimi apo shkeljeje”, tha Kurti.

SHIKONI EDHE: Vuçiq: Nuk do ta zbatojmë pjesën e marrëveshjes lidhur me anëtarësimin e Kosovës në OKB

Kosova dhe Serbia më 18 mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut arritën pajtim për Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit.

Palët nuk e nënshkruan marrëveshjen, por BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara kanë thënë se pavarësisht se nuk është nënshkruar, ajo është marrëveshje e obligueshme për palët.

Marrëveshja, prej 11 nenesh, nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë. Megjithatë, dokumenti kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Dokumenti kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.