Mickoski shpreh keqardhje për incidentin në Aeroportin e Shkupit, Kurti pret raportin zyrtar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski , gjatë takimit të tyre në Shkup më 5 gusht 2024.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, tha se i vjen keq për incidentin në Aeroportin e Shkupit, ku u përfshi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Ndërkaq, homologu i tij kosovar, Albin Kurti, tha se një raport zyrtar do të zbardhë gjithë ngjarjen.

Gjatë një konference për media, pas takimit në Shkup me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Mickoski tha se nuk dëshiron që incidente të tilla të përsëriten, teksa shtoi se dy shtetet kanë raporte të mira.

Kryeministri maqedonas tha se herën tjetër kur Osmani të përdorë Aeroportin e Shkupit për udhëtime, ai personalisht do ta shoqërojë "deri në momentin kur të largohet".

Ai po ashtu tha se autoritetet e Aeroportit në Shkup aplikojnë masa standarde të sigurisë, sa i përket fluturimeve komerciale.

Çfarë tha Presidenca për incidentin në aeroport?

Presidenca e Kosovës ka akuzuar autoritetet e Maqedonisë së Veriut për shkelje të praktikave ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, duke thënë se, gjatë 1 gushtit, presidentes Vjosa Osmani është tentuar t’i merret telefoni personal nga një pjesëtar i sigurimit të Aeroportit të Shkupit (TAV).

Incidenti ka ndodhur para udhëtimit të planifikuar të Osmanit drejt Sllovenisë, ndërsa Presidenca e Kosovës nuk ka bërë të ditur nëse qëllimi i udhëtimit të saj ka qenë zyrtar apo i natyrës private.

Presidenca kosovare ka thënë se përkundër se i janë bërë të ditura rregullat diplomatike, sigurimi “ka tentuar fizikisht ta shtyjë presidenten, me ç’rast është detyruar që të reagojë Policia e Kosovës për ta hapur rrugën”.

Ky institucion po ashtu ka thënë se ndodhitë e 1 gushtit nuk mund të vlerësohen ndryshe, veçse “një provokim i pastër dhe tendencë për të shkaktuar incident”.

Presidenca e Kosovës tha më 2 gusht se në vend se të kërkojë falje, MPB-ja maqedonase “ka arsyetuar në tërësi kërkesën e sigurimit të aeroportit për ta marrë dhe për ta vendosur në skaner telefonin personal të presidentes së Kosovës, i cili përdoret nga kreu i shtetit edhe për komunikime zyrtare për çështje të sigurisë nacionale”.

Kurti, ndërkaq, tha se takimi me homologun maqedonas, ishte “i hapur, i sinqertë dhe serioz”.

Kjo vizitë në Shkup e Kurtit, së bashku me një delegacion ministrash, u zhvillua në kohën kur raportet u acaruan për shkak të incidentit në Aeroportin e Shkupit.

Kurti tha se se gjatë takimit, autoritetet maqedonase shprehën sërish keqardhje për ngjarjen ku u përfshi Osmani.

“Ka qenë përvojë dhe përjetim i rëndë i presidentes Osmani më 1 gusht, aq më tepër që ishte me dy vajzat e vogla”, tha Kurti.

Ai tha se po pret një raport, pas hetimit zyrtar, që do të zbardhë të gjithë atë që ka ndodhur.

“Do të ketë një raport zyrtar që do ta zbardhë këtë çështje në tërësi, edhe që të kuptojmë se çfarë saktësisht ka ndodhur, por edhe që të mos na përsëriten më kurrë situata të tilla", tha ai.

Kryeminsitri kosovar u pyet nëse Kosova mban qëndrimin se kjo ngjarje ishte provokim. Por, Kurti tha se nuk e di që institucionet kanë pasur një qëndrim të tillë dhe këtë mund ta ketë thënë ndonjë "qytetar", por jo edhe institucionet e Kosovës, duke theksuar se Ministria e Jashtme dhe Diasporës e Kosovës përmes njoftimeve, ka shprehur qëndrimin e Qeverisë.

Por, ngjarjen e ka cilësuar si provokim institucioni i Presidencës së Kosovës.

“Situata e djeshme në Aeroportin e Shkupit nuk mund të shpjegohet e as të vlerësohet ndryshe, përveçse si një provokim i pastër dhe tendencë për të shkaktuar incident”, tha Presidenca përmes një reagimi më 2 gusht.

SHIKONI EDHE: Kosova i dërgon notë proteste Maqedonisë së Veriut, e quan "provokim" situatën në Aeroportin e Shkupit

Gjatë konferencës për media në Shkup, Kurti tha se është optimist se ngjarje të tilla nuk do të përsëriten në të ardhmen.

"Besoj që duhet ta synojmë të vërtetën dhe kurrsesi tensionimin. Pra, le të zbardhet rasti, janë organet përkatëse që e bëjnë këtë gjë. Kryeministri Mickoski dhe unë nuk mund ta bëjmë tash edhe zyrtarin doganor, edhe policin hetues, edhe Inspektoratin e Policisë, edhe atë që mbikëqyrë sigurimin e Aeroportit e kështu me radhë. Siç u tha në takimin që ishim, po bëhemi ngadalë por sigurt ekspert të shumë detajeve teknike, por unë besoj që sa i përket thelbit të gjësë tashmë jemi përgjigjur dhe masat po ndërmerren", theksoi Kurti.

Kjo ishte hera e parë që Kurti u deklarua për ngjarjen në Shkup, ku është përfshirë numri një i shtetit të Kosovës, përderisa analistët në Kosovë kanë thënë më herët se dy krerët e shtetit kanë mosmarrëveshje për çështje të ndryshme dhe raportet e tyre kanë pësuar një tjetër “krisje”.

SHIKONI EDHE:

Afrim Hoti: Incidenti me presidenten në Shkup, pakujdesi e autoriteteve ose provokimGashi: Ndërhyrja ime, vetëm për të shmangur një incident diplomatik

Në delegacionin kosovar për këtë vizitë në Shkup ishte edhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, e cila i dërgoi notë proteste Shkupit, por edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe ai i Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliu.

Për çfarë tjetër u bisedua?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se në takimet në kryeqendrën maqedonase është biseduar edhe për rritjen e shkëmbimeve tregtare mes vendeve, por edhe për rastin e ish-anëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Blerim Ramadani.

Ai u arrestua nga autoritetet maqedonase më 17 korrik, nën dyshime për krime lufte, në bazë të një fletarrestimi të lëshuar nga Serbia. Më pas, ai është liruar në burgim shtëpiak, teksa Serbia po kërkon ekstradimin e tij.

Kurti tha se për këtë rast, por edhe për dy persona - të dënuar me burgim të përjetshëm për rastin Monstra në Maqedoninë e Veriut - që besohet se gjenden në Kosovë, do të ndiqen procedurat ligjore dhe dy Ministritë e Drejtësisë do të jenë në kontakt të vazhdeushëm.

Çfarë tha Shkupi për incidentin e 1 gushtit?

Autoritetet në Shkup kanë thënë më herët se kanë nisur hetimet për rastin, ndërkaq Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka thënë se përderisa Osmani ishte duke kaluar nëpër kontrollin kufitar, në momentin që asaj iu kërkua që të linte telefonin e saj që të kalonte përmes skanerit, “një pjesëtar i sigurimit të saj është tërhequr nga një punonjës i aeroportit, me qëllim që ajo të kalonte pa telefon të skanuar dhe bagazh dore”.

Nga Ministria e Jashtme maqedonase kanë shprehur keqardhje, për siç kanë thënë, keqkuptimet, që kanë ndodhur gjatë udhëtimit të Osmanit përmes aeroportit në Shkup.

Ndërkaq, nga Aeroporti i Shkupit kanë thënë se e kanë për obligim ligjor të kontrollojnë të gjithë udhëtarët, bagazhet dhe mallrat, përfshirë ata që udhëtojnë nëpër zonën VIP të aeroportit.

Ngjarja në Aeroportin e Shkupit është dënuar nga figura politike opozitare në Maqedoninë e Veriut, edhe nga kryetari i VLEN-it, Arben Taravari.

Koalicioni VLEN është pjesë e Qeverisë maqedonase, të udhëhequr nga VMRO DPMNE-ja e Mickoskit. Ky koalicion, i përbërë nga parti që më herët ishin në opozitë, ishte përkrahur nga Kurti dhe partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, e cila kishte anëtarë në listën zgjedhore të këtij koalicioni.

Neziri: Incidenti në aeroport nuk do të rrënojë raportet mes Prishtinës dhe Shkupit

Njohësi i zhvillimeve politike, Xhelal Neziri, nga Maqedonia e Veriut tha se në konferencën për media të Kurtit dhe Mickoskit u pa se incidenti në Aeroportin e Shkupit nuk ka ndikuar negativisht në raportet e mira mes Maqedonisë së Veriut me Kosovën.

"Mendoj se është sqaruar ky incident me presidenten Osmani, në kuptimin se nuk ka qenë i qëllimshëm apo nuk ka qenë provokim nga Shkupi zyrtar. Po ashtu duket se është sqaruar edhe çështja e asaj që është e vërtetë, a është e vërteta ajo që e thotë kabineti i presidentes apo atë që e thonë institucionet e Maqedonisë së Veriut. Dhe, si duket ka një marrëveshje që të pritet raporti përfundimtar i hetimit që do ta bëjnë autoritetet kompetente në Maqedoninë e Veriut", tha Neziri për Radion Evropa e Lirë.

"Nëse rezulton se ndonjëri nga zyrtarët e sigurisë së Aeroportit ka përgjegjësi për incidentin, si duket ai do të mbajë përgjegjësi për këtë veprim", shtoi ai.

Sipas Nezirit, faktori i parë që ka mundur të shkaktojë incidentin është që edhe vet zyrtari i Aeroportit të Shkupit të jetë motivuar politikisht apo etnikisht që të shkaktojë një incident të tillë, për shkak se, sipas tij, me siguri e ka njohur presidenten e Kosovës. Ose, një variant tjetër, sipas tij, mund të jetë se e gjithë kjo ngjarje është një keqkuptim lidhur me protokollet e sigurisë që duhet të ndiqen për personat që kalojnë përmes terminalit VIP.

Your browser doesn’t support HTML5

Neziri: Incidenti në aeroport nuk do të rrënojë raportet mes Prishtinës dhe Shkupit

Neziri konfirmoi se në Maqedoni të Veriut po zhvillohet një debat i ashpër politik sa i përket këtij incidenti. Opozita shqiptare ka kritikuar Qeverinë, duke e akuzuar për tendencë ndaj presidentes Osmani. Debati po ashtu është ndezur edhe për faktin se për herë të parë pjesë e Qeverisë maqedonase është Ivan Stoikoviq, mik i Beogradit dhe Moskës, dhe një person që hapur është shprehur kundër Kosovës.

Pastaj, sipas Nezirit, ky debat u kurorëzua në atë mënyrë që Qeveria maqedonase të portretizohet si antikosovare.

“Prandaj, edhe reagimi i Qeverisë maqedonase ishte pikërisht në atë kontekst: të mos tregojë frikë dhe nënshtrim për atë që ndodhi në Aeroportin e Shkupit”, tha Neziri.

Lidhur me reagimin e partive shqiptare – që e kanë dënuar incidentin, por kanë fajësuar njëra-tjetrën për të – Neziri tha se ka kohë që raportet e tyre janë të armiqësuara dhe çdo rast ato e përdorin për të këmbyer akuza, sikurse ndodhi edhe për ngjarjen e 1 gushtit.

“Është një luftë e ashpër që ndodh mes partive politike shqiptare. Është BDI dhe Fronti Evropian si koalicion opozitar që akuzon koalicionin VLEN, që është pjesë e Qeverisë, si një përfaqësues jolegjitim i shqiptarëve për shkak se mori më pak vota në zgjedhjet e fundit parlamentare. Dhe ky debat mbi legjitimitetin ka prodhuar krizë të paparë në marrëdhënies mes partive politike këtu. Incidenti u përdor apo u keqpërdor pikërisht në këtë kontekst, legjitimiteti dhe fuqia politike që mund të ketë VLEN-i për të përfaqësuar shqiptarët në këtë Qeveri”, tha ai.

Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë raporte diplomatike dhe deri më tani nuk kanë pasur incident të kësaj natyre.